Rruga deri te 2 korriku: Akti që ndryshoi historinë

Atë ditë të nxehtë të korrikut në oborrin e ish-Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës 114 delegatë me Deklaratën Kushtetuese do të jetësonin kërkesat e akumuluara për pothuajse një shekull nën regjimet jugosllave. Ky ishte hapi i radhës pas Deklaratës mbi çështjet kushtetuese të miratuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, më 14 qershor 1990. Por rruga deri aty ishte e gjatë e me plot ngjarje, prej muhabetit në Korzo të Prishtinës deri te shkrimi i tekstit të dokumentit që u lexua atë ditë




Me ngritjen e dy gishtave, delegatët e ish-Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. 114 delegatët nënshkrues nisën duartrokitjet e fuqishme para ndërtesës së mbyllur të Kuvendit pasi nënkryetari Muharrem Shabani përfundoi leximin e Deklaratës me fjalët: «Prishtinë, 2 korrik 1990».

Mbyllja me dry e institucionit më të lartë të Krahinës së atëhershme nuk i kishte ndalur delegatët – shumica pa kostume e kollare – që të jetësonin kërkesat e akumuluara për pothuajse një shekull nën regjimet jugosllave. Delegati Adem Mikullovci kishte kërkuar të konfirmohej edhe njëherë nëse ishin respektuar të gjitha normat juridike e kushtetuese të kohës për fuqizimin e legjitimitetit të dokumentit që do ta shpallte Kosovën «si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (Konfederatë)». Bujar Gjurgjeala dhe të tjerët konfirmojnë se janë respektuar të gjitha procedurat ligjore.

«O jetë, o vdekje»

Leximi i Deklaratës kushtetuese mbetet momenti i veçantë në jetën e Shabanit. «Natyrisht tash njeriu ka momente të ndryshme të caktuara në jetë, por në kuadër të rrethanave e të veprimit të përbashkët politik të kohës, momenti më i rëndësishëm është 2 korriku», kujton Shabani pas saktësisht 25 vitesh, duke e përshkruar si privilegj dhe përgjegjësi mundësinë për ta legjitimuar vullnetin e popullit.

«Emocionet janë të përziera, sepse ka qenë në pyetje ‹o jetë o vdekje›. Në ato rrethana, ne kemi pranuar që të realizojmë vullnetin edhe të atyre minatorëve, edhe të atyre studentëve, edhe të akademikëve, edhe të gjitha shtresave të popullit, atë vullnet që ishte i akumuluar me gjenerata të tëra për liri dhe për vetëvendosje», thekson Shabani në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që ka organizuar të enjten akademi me rastin e 25-vjetorit të 2 korrikut.

Ceremonia është hapur me Himnin Kombëtar shqiptar, para se të intonohej edhe himni i Kosovës, i kompozuar nga Mendi Menxhiqi, më 2008.

Për aspektin juridik e kushtetues të Deklaratës ishte përkujdesur akademiku i ndjerë, Gazmend Zajmi, nismëtar i dokumentit që kurorëzoi kërkesat e kohës, që do të finalizohej me Pavarësinë e Kosovës 18 vjet më vonë.

Pas marsheve protestuese të fundit të ‘88-s, minatorët e «Trepçës» më 20 shkurt 1989 u mbyllën në galeri, 800 metra nën tokë, në grevë urie, me kërkesa të qarta politike. Ndër të tjera, kërkonin të mos prekeshin parimet themelore të Kushtetutës së vitit 1974.

Një muaj më vonë, 215 intelektualë shqiptarë nënshkruan një apel, me të cilin kërkohej ruajtja e autonomisë së Kosovës, e kërcënuar nga Slobodan Milosheviqi. Por, as kjo nuk bëri punë.  Teksti i Apelit, i cili, sipas numrit të nënshkruesve të publikuar, do të quhej «Apeli 215», nuk do të ndryshonte gjë pasi Serbia më 23 mars 1989 e çoi deri në fund zotimin e vet për suprimimin e autonomisë së Krahinës Socialiste të Kosovës.

Gazetari veteran, Zenun Çelaj, kujton se si në pranverën e vonë të vitit 1990 po shëtiste nëpër Korzo të atëhershme të Prishtinës me Fehmi Aganin, të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1999, dhe Zajmin, kur akademiku iu tha se kishte ardhur koha që shqiptarët të ndërmerrnin hapa legjitimë për shtruarjen e kërkesave për avancim të statusit.

Qasje e dyfishtë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës miratoi më 14 qershor 1990 Deklaratën mbi Çështjet Kushtetuese, me të cilën shkencërisht argumentohej e drejta e subjektivitetit të barabartë politik të Kosovës në Jugosllavi, e cila bëri jehonë në opinion. Në fletushkën e ASHAK-ut, shpërndarë pas akademisë solemne të 25-vjetorit, thuhet se të pranishëm në mbledhjen e 14 qershorit ishin akademikët: Musa Haxhiu, Mark Krasniqi, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Jashar Rexhepagiq, Minir Dushi, Muslim Mulliqi, si dhe anëtarët korrespondentë: Enver Gjerqeku dhe Remzi Bakalli. Në mbledhjen e 27-të të Kuvendit të Akademisë mbajtur në orën dymbëdhjetë mungonin akademikët: Bozhidar Jovanoviq, Lubisha Rakiq, Osman Imami, Sinan Hasani, Syrja Popovci, Svetomir Arsiq, Rexhep Qosja, Vladeta Vukoviq, Vukashin Filipoviq, si dhe anëtari korrespodent, Dragoslav Pejçinoviq.

Në pjesën e parë të punimeve, Kuvendi shqyrtoi projektamendamentet në Kushtetutën e RSFJ-së.

Akademikët e pranishëm, pas diskutimeve dyorëshe, i propozuan Kuvendit të KSA të Kosovës «ta përgatisë dhe ta proklamojë Deklaratën kushtetuese mbi pozitën e re kushtetuese të Kosovës në rregullimin kushtetues të vendit në drejtim të barazisë së Kosovës në federatë – konfederatë, si Kosovë e të gjithë qytetarëve dhe të nacionaliteteve të barabarta të saj, në të cilën shqiptarët konsiderohen jo pakicë kombëtare apo kombësi, por komb».

«Kosova kërkon subjektivitet të barabartë politik në Jugosllavi», ishte titulli në faqen e pestë të «Rilindjes» së 15 qershorit 1990, ku shkruhej hollësisht për zhvillimet për «çështjet kushtetuese drejtuar Kuvendit të KSA të Kosovës, të RFSJ dhe RS të Serbisë».

Në ballinën e të njëjtit numër, kryeartikulli ishte: «Zgjidhje të papranueshme për të cilat duhet dhënë pëlqimi», duke iu referuar propozimeve për ndryshime kushtetuese në nivel federate që e dëmtonin statusin e deriatëhershëm të Kosovës.

Në nëntitull shkruante se «assesi nuk mund të pranohen zgjidhjet e propozuara kushtetuese në propozimin e Kryesisë së RSFJ-së e të RSS-së me të cilat ngushtohet e suprimohet autonomia e Kosovës…»

Paralelisht me këtë, «Rilindja» në ballinë kishte publikuar edhe një shkrim tjetër me titullin: «Përkrahen amandamentet në Kushtetutën e RSFJ-së». Përkrahja shprehej prej Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës. «Ndryshimet e propozuara shpien nga vendosja e pluralizmit të formave të pronësisë dhe mënjanojnë pengesat kushtetuese për jetësimin e formave ekonomike», thuhej në nëntitull.

Makina e shkrimit e Deklaratës Kushtetuese

Çelaj, kryeredaktor i «koha.net», kujton përgatitjet që ishin bërë me kujdes prej rrethit të ngushtë të njerëzve më besnikë të akademik Zajmit për shkrimin e Deklaratës Kushtetuese që do të binte ndesh me politikën jugosllave të dominuar nga politikanët serbë.

«Kishte dy javë që, disa njerëz, ishim marrë me përgatitjen e Deklaratës», thekson Çelaj, duke treguar se si Zajmi po ia diktonte fjalë për fjalë dokumentin që do të lexohej më 2 korrik prej delegatit Shabani në oborrin e Kuvendit nën mbikëqyrjen e hekurt të forcave të riformuara dhe civile të policisë jugosllave. Një kopje të deklaratës ende e ruan me fanatizëm bashkë me makinën e shkrimit në bibliotekën e tij personale. Ka edhe shkrime ku ka hedhur kronologjinë e ngjarjes.

«Më 2 korrik të vitit 1990 u vu guri themeltar i Kosovës së lirë», është fjalia e parë që bie në sy. «Akademik Gazmend Zajmi ishte ideatori dhe autori i Deklaratës Kushtetuese», shkruan më tej Çelaj në një përmbledhje me rastin e dhjetëvjetorit të 2 Korrikut. Pak më poshtë, Çelaj bën një krahasim: «Si nëntori, muaji në të cilin kanë ndodhur ngjarje që kanë shënuar historinë kombëtare, ashtu edhe korriku i dhjetë vjetëve të shkuar ka shënuar ngjarje me rëndësi për historinë e Kosovës».

Gazetari që me pedantëri e hodhi në letër atë që diktonte akademik Zajmi, shkruan se ato ngjarje prinë në udhëtimin e mundimshëm, tragjik e madhështor, drejt pavarësimit.

Ilajz Ramajli, kryetar i legjislaturës së fundit kosovare në Jugosllavi, thotë se teksti i 2 korrikut përmbajtjen e kishte bazuar në Deklaratën e 14 qershorit të AShAK-ut. Ramajli thekson se Deklarata Kushtetuese u pasua natyrshëm prej Kushtetutës së 7 Shtatorit në Kaçanik në të njëjtin vit dhe referendumit për pavarësi dhe zgjedhjeve të para parlamentare të organizuara prej lëvizjes paqësore në krye me Ibrahim Rugovën.

Çelaj do të shkruante Deklaratën Kushtetuese me makinën e shkrimit në shtëpinë e tij. Ishin shtypur disa kopje.

«Një ishte dërguar brenda në Kuvend, por ishin mbyllur dyert», rrëfen ish-nënkryetari i Kuvendit të KSA të Kosovës, Shabani, që do ta lexonte tekstin në oborrin e Kuvendit nga njëra kopje që i ishte bërë dokumentit. Vlerëson në retrospektivë se detyra besuar atij ishte «privilegj dhe sakrificë». Dy ditë para seancës së jashtëzakonshme Shabani nga Vushtrria do të vendosej në kryeqytet, sepse kishin filluar arrestimet dhe marrjet në pyetje. Ngulmon se assesi nuk duhet të hiqej dorë prej skenarit të përgatitur.

Shpallja me çdo çmim

«Në qoftë se vritet apo arrestohet njëri, do të vazhdonte tjetri, kështu me radhë, dhe akti i shpalljes së Deklaratës medoemos nuk do të ndalej. Edhe pse natyrisht kam pasur mandej me familje, kolegë, reperkusione dhe përndjekje», kujton Shabani, i cili më pas do të emigronte në shtetet e Perëndimit. «Ta lësh fëmijën në klasën e parë në fillore dhe ta gjesh në vitin e parë të shkollës së mesme, nuk është e lehtë. Mirëpo kemi pasur sakrifica edhe më të mëdha», thekson ai.

Hivzi Islami, kryetar i ASHAK-ut, ka thënë para delegatëve të ’90-s se Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 korrikut ishte reagim ndaj suprimimit me dhunë të gjendjes kushtetuese dhe vendosjes së gjendjes okupuese e koloniale në Kosovë, si dhe terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve. «Deklaratës Kushtetuese i kishin paraprirë reagimet e fuqishme gjithëpopullore shqiptare, të prira nga protestat e minatorëve dhe të studentëve, si dhe Deklarata e përmendur e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës», ka thënë Islami.

Ai ka shtuar se Deklarata e 2 korrikut 1990, dokumentet e mëparshme juridike e kushtetuese, lufta paqësore para dhe pastaj lufta e armatosur, u paraprinë proceseve politiko-juridike të Kosovës deri te pavarësia dhe sovraniteti i saj më 17 shkurt 2008 dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 10 prillit 2008. «Ndërhyrja e NATO-s në gjysmën e parë të vitit 1999 qe po ashtu me rëndësi vendimtare për çlirimin e Kosovës dhe arritjen e objektivave të përmendur”, ka theksuar Islami. “Brezat luftuan për më shumë se për Kosovën e pavarur, por fuqia e shqiptarëve dhe konstelacioni i raporteve ndërkombëtare në këtë fazë të zhvillimeve ishin të tilla sa nuk mund të arrihej më shumë».

Në video-materialet arkivore të paraqitura pas fjalimeve në akademinë e AShAK-ut me rastin e 25-vjetorit të 2 korrikut – ku morën pjesë rreth 60 delegatë të 2 korrikut dhe pasardhës të 28 delegatëve të ndjerë – qytetarët deklarojnë mbështetjen e tyre të fuqishme për delegatët e legjislaturës së fundit të KSA të Kosovës.

«Unë e kam pritur me shumë gëzim, sepse kjo është e pritur kah moti, shumë moti. Nuk është kërkuar asgjë më tepër pos barabarësia e plotë me të gjitha kombet dhe kombësitë», thekson një burrë në mes të pesëdhjetave, pa iu treguar identiteti, «prandaj me këtë rast shpreh gëzim shumë të madh dhe iu uroj të gjithëve që e fituan statusin e barabartë, shqiptarët, sikur gjithë popujt e tjerë në Jugosllavi».

Dy të këqijat më të mëdha

Një tjetër e përmbledh shkurt vlerësimin e tij: «Është një premtim për status të barabartë, për të drejta të barabarta».

Një grua thotë se delegatët zbatuan kërkesën e popullit. «Kërkesat e popullit çdo herë duhet të realizohen», thekson ajo.

Çerekshekulli më vonë, dhjetë delegate të legjislaturës së vitit ’90, me lule në dorë, që iu dhuruan në hyrje të objektit të AShAK-ut, u janë bashkuar kolegëve të dikurshëm për një fotografi që do të arkivohet prej Shërbimit Profesional të Akademisë. Disa madje ua kishin harruar emrat njëri-tjetrit.

Akademiku Islami thotë se shoqëria kosovare duhet të jetë mirënjohëse ndaj brezave që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te rëndësia e 2 korrikut. «25-vjetori i Deklaratës Kushtetuese për nga dimensioni kohor duket një jubile i vogël, por nuk ka asnjë dyshim se është tejet i rëndësishëm për jetën politike dhe kombëtare të Kosovës», ka thënë Islami. «Prandaj, është gjithashtu momenti që t’i falënderojmë delegatët e Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së vitit 1990 për guximin e pashoq që treguan në momentet kyç të historisë sonë më të re, duke e shpallur Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990» dhe duke u hapur rrugë proceseve e projekteve të tjera në favor të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të KSA të Kosovës, Ramajli kujton se «shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, i kishte prirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar».

Prej qeveritarëve të tanishëm, e pranishme në akademinë e së enjtes ka qenë vetëm presidentja Atifete Jahjaga, e cila është larguar pa mbaruar ceremonia e gërshetuar me pika artistike të muzikës klasike. Nuk janë parë krerë partish apo deputetë të legjislaturës aktuale.

Ramajli ka thënë se «për kohën kur u nxorën», dokumentet e Kosovës që nuk njihnin më legjitimitetin e vendimeve të njëanshme të Serbisë në kurriz të Kosovës, shprehnin «kontinuitetin e vullnetit politik të popullit shqiptar që nga lufta për pavarësi, për çlirim kombëtar, dhe për krijim të shtetit sovran të mishëruar me përpjekje të pareshtura që të jemi zotë të vetvetes, që të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të përkushtuar për liri».

Islami, kryetari i ASHAK-ut, ka thënë se demokratizimi i jetës shoqërore dhe funksionalizimi i të gjithave institucioneve nuk është punë e lehtë, «veçanërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dy të këqijat më të mëdha, që gjallojnë tash e 16 vjet” pas luftës. 

Pika e parë e Kuvendit të qershorit të vitit 1990: Nëna Terezë, anëtare nderi e Akademisë

Në pikën e parë të pjesës së parë të Kuvendit të 27-të të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademikët e pranishëm ishin pajtuar më 14 qershor 1990 që Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, të shpallej anëtare nderi e ASHAK-ut.

Propozomi i Seksionit të Shkencave të Natyrës të Akademisë që Nëna Terezë të zgjidhej anëtare nderi ishte «përkrahur njëzëri dhe u përshëndet me duartrokitjet e të pranishmëve», thuhet në fletushkën e ASHAK-ut. «Pas kësaj kryetari i Akademisë (Musa Haxhiu, v.j.,) konstatoi se Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Tereze, pasi që i përmbush të gjitha kushtet e parapara me Ligj dhe Statut, u zgjodh anëtare nderi e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës», thuhet në përmbledhje e historikut të institucionit më të lartë shkencor në vend, ku arsyetohet nderimi që i bëhet laureates shqiptare të «Nobelit» për paqe, më 1979.

«Mirënjohje e ndërsjellë» ishte titull në ballinën e «Rilindjes» së 15 qershorit të vitit 1990. Aty shkruante se Kuvendi i ASHAK-ut, anëtare nderi të kësaj Akademie “dje zgjodhi Gonxhe Bajaxhiun – Nëna Terezë, duke arsyetuar këtë me virtytet njerëzore, moralin e lartë të saj, kontributin e dhënë për paqe e mirëqenie në botë dhe për dëshminë që ia dha njerëzimit se si me vullnet të mirë mund të zgjidhen të gjitha problemet».

Pothuajse përmbajtjen e të njëjtit arsyetim të vendimit të 14 qershorit ’90 e ka përsëritur edhe Islami në akademinë e 25-vjetorit të 2 korrikut. «Këtë ditë, Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës zgjodhi anëtar nderi të kësaj Akademie nobelisten e njohur, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Terezën, për virtytet njerëzore, moralin e lartë dhe për kontributin e dhënë për paqe në mbarë botën».