Rrogat në Zvicër bien për 8 për qind

Sindikatat e punëtorëve i akuzojnë punëdhënësit për abuzim me Lëvizjen e Lirë.

Foto: Jat306 / Shutterstock.com

Ndërmjet 2012 dhe 2014 të punësuarit në Zvicër kanë fituar 8 për qind më pak, nxjerr «SonntagsZeitung». Më të prekur janë industria, administrata publike, sektori bankar, sistemi shëndetësor dhe trafiku. Në një afat dyvjeçar rrogat kanë rënë për mesatarisht 2 për qind. Më së shumti kanë rënë rrogat fillestare për të huajt me qëndrim vjetor në Zvicër, çka e rrit presionin tek ata zviceranë që shkelin për herë të parë në botën e punës dhe të profesionit. Në sektorin induatrial ata tani fitojnë 0,7 për qind më pak, ndërsa në administratën publike madje 3,7 për qind më pak.

Forcimi i frangës i detyron ndërmarrjet t’i zvogëlojnë shpenzimet. Kjo e ka rritur edhe presionin e rrogave. Ekonomisti i federatës së sindikatave i akuzon firmat për abuzim me Lëvizjen e Lirë. Sipas tij, ndërmarrjet rekrtojnë punëtorë për rroga të ulëta jashta vendit, në vend që të angazhojnë vendas me rroga dinjitoze.

Kontrollet e rrogës nga viti i kaluar kanë treguar që 17 për qind e firmave të huaja dhe 11 për qind e atyre zvicerane janë ndeshur me rregullat për rrogat. Për drejtorin e shoqatës së punëmarrësve të Zvicrës, ndërmarrjet po mundohen që rrogat e atyre që për herë të parë ngjiten në tregun e punës t’i shtypin që në fillim. Ndërsa përfaqësuesi i punëdhënësve i refuzon këto kritika; sipas tij, nga 2002-shi rrogat në Zvicër janë zhvilluar pozitivisht. Dhe, nuk ka shpërdorim të Lëvizjes së Lirë.

Federata e sindikatave kërkon kontroll më të rreptë kundër presionit të rrogave, kontrata të përgjithshme kolektive, mbrojtje nga largimi prej punës për punëtorë më të moshuar dhe detyrim paraqitjeje për vendet e lira të punës në qendrat e ndërmjetësimit të punës. Për më tepër ato kërkojnë edhe një listë të zezë të firmave që i thyejnë rregullat. Bashkimi i punëdhënësve është absolutisht kundër këtyre kërkesave. Ndërsa përfaqësuesi i Sekretariatit Shtetëror për Ekonomi, Seco, shprehet për më shumë kontrolle në kantonet që janë më të prekura nga imigracioni – sidomos në Tesinë dhe në Gjenevë. ks