Rrofshin të gjitha paragjykimet tona!

Nuk ka kohë më të përshtatshme për të kultivuar paragjykimet se sa stina e verës, sepse të gjithë jemi bashkë – Kosovë e Shqipëri, Tetovë e Mallakastër, Strugë e Suharekë, diasporë dhe turistë çekë.



Qëndron njeriu në rend para arkës së një dyqani, pret e pret për të paguar. Përpara gjendet një varg me maqedonas, kuptohet sllavë, dhe shitësja të gjithëve u flet – shqip. Asnjëri maqedonas s’merr vesh. Ata vazhdojnë të kuvendojnë me gratë dhe fëmijët e tyre maqedonisht, shitësja vazhdon shqip. Dikur një klient humb durimin: «Oj, zonjë, këta janë maqedonas dhe s’kuptojnë shqip». Zonja ka dëgjuar mirë dhe përgjigjet si me mauzer: «Mirë, mirë, por edhe këta kosovarët nuk e flasin, por e kuptojnë shqipen». Kështu bëri vaki para ca vitesh në Sarandë.

Qëndron njeriu në recepsion të hotelit në Sarandë, në pritje për të marrë çelësin e dhomës. «Ju nga Kosova jeni?» Pasi ka shtruar edhe nja dhjetë pyetje të tjera recepsionistja e habitur thotë: «Sa mirë e flisni shqipen».

Rrofshin paragjykimet!

Qëndron njeriu para policit kufitar në Qafë Botë, rrugës për në Parga, një qytezë e mrekullueshme në Greqi, ku të moshuarit ende flasin shqip. Dhe befas polici pyet: «Nga jeni?» Për të mos e komplikuar punën (sepse ku e di polici i Qafë Botës ku është Kamenica!), i them: «Kur jam në Kosovë gati të gjithë kohën e kaloj në Prishtinë». Mirë, duket se për Prishtinën ka dëgjuar xhaxhi polic, andaj e ka gati një pyetje legjendare: «E njihini Qefser Majacin?» Ky është ai momenti kur duhet përmbajtur veten. Po ku e di një kosovar mesatar se kush është Qefser Majaci i Prishtinës, një qytet me 200 mijë banorë dhe 200 mijë patriotë të ardhur nga të katër anët e Kosovës, pastaj këtu hyjnë edhe ardhacakët fundjavorë nga diaspora.

«Do ta vizitoj nesër Kosovën. Me një shoqen time. Ajo është me origjinë nga Kosova». Kështu flet, si ujëvarë që s’ndalet kurrë, një shitëse librash në Tiranë. «Shumë mirë që shkoni në Kosovë. Tani udhëtimi është i lehtë. Brenda dy orësh arrini». Nuk dua t’i mbaj ligjëratë për «rrugën e kombit» librashitëses, sepse befas mund të fillonim që të dy t’i mallkojmë të gjithë ata politikanë që duke shtruar asfalt keqpërdorën miliona dollarë nga buxheti i varfër i Shqipërisë së varfër. «Do të shkoj në një qytet që ka një pazar», vazhdon të flasë shitësja e librave. «Mirë. Në Kosovë çdo qytet ka një pazar», i them. Shitësja është në siklet, nuk e di në cilin qytet kosovar do të shkojë ditën e nesërme. Shtyp numrin e telefonit të shoqes së saj me origjinë kosovare dhe e pyet: «Moj, ku do shkojmë nesër?» Heshtje prej disa sekondave. Pastaj: «Ah, në Prizren». Edhe Prizreni ka së paku një pazar, por ky qytet është i njohur edhe për diçka tjetër në historinë shqiptare.

Rrofshin gjykimet tona të gabuara!

Mund të shkoni në Sarandë, si shqiptar i Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës apo Malit të Zi, me plot paragjykime. Sidomos për policët e Republikës së Shqipërisë. Barkmëdhenj, dallkaukë, të pasjellshëm, aspak profesionistë. Kështu mund të mendoni nëse vini si kapadai nga Prishtina apo ndonjë qytet tjetër jashtë asaj që herë me humor, herë me hidhësi quhet «Shqipëria londineze». Dhe polici në Portin e Sarandës, sapo të zbresësh nga anija, të thotë: «Mos merr taksie për të shkuar në hotel se të çojmë ne». Çfarë mikpritjeje!

Mund të shkoni në jug të Shqipërisë si kosovar, tetovar ose preshevar dhe të mendoni se përtej lumit Shkumbin flitet vetëm greqisht. Pastaj duke shkuar nga Tepelena në Përmet në çdo të dytën shtëpi do të shihni vetëm flamuj grekë: një shqiponjë të zezë dykrerëshe në sfond të kuq!

Rrofshin paragjykimet tona!

Shkoni në Shqipëri, sepse kështu më së miri i varrosni paragjykimet. Vetëkuptohet se kjo vlen edhe për shqiptarët e Shqipërisë: shkoni në Kosovë, në Strugë, në Tetovë, sepse kjo është udha më e mirë që në të ardhmen të mos bëni pyetje apo konstatime qesharake: «A gjendet Gostivari afër Gjakovës?», «A e njihni Qefser Majacin?», «Sa bukur e flisni shqipen».

Nuk duhet zbukuruar asgjë. Shqipëria nuk është top-destinacion turistik. Sezoni zgjat dy muaj dhe nuk mund të presësh shërbim aq të mirë. As shumë mirëkuptim. Shpesh kamerierët gjatë verës fillojnë t’u shërbejnë turistëve kafe pasi u kanë shërbyer lopëve sanë. Por krimi më i madh që bëjnë turistët janë përgjithësimet. Shqipëria ka restorante me ushqim cilësor të nivelit të Zürichut. Veçse me një dallim: për një darkë të mirë (supë apo sallatë, paragjellë, verë, ushqim kryesor, desert, kafe, një gotëz raki me kafe) dy veta në Zürich papritur mund të paguajnë deri në 300 franga (rreth 300 euro). Në Shqipëri këta dy veta nuk do të paguajnë më shumë se 30 euro për një darkë. Me këtë çmim shijoni dhe festoni, sidomos ju të diasporës, mos prisni shërbim si në «Kronenhalle» apo «Baur au Lac» në Zürich, ku mbase s’keni qenë kurrë.

Shkoni në Shqipëri dhe bëni edhe ndonjë punë të hairit, batakçinj të të gjitha viseve shqiptare. Shikoni njëherë çekët. Vijnë në veri të Shqipërisë dhe e sinjalizojnë rrugën nga krahina Nikaj-Mërtur në Theth. Merrni shembull zviceranët. Vijnë në Shqipëri dhe sinjalizojnë rrugët në Theth, madje njëri prej tyre ka shkruar edhe një libër, ciceron bjeshkatarie për Theth e Kelmend. Shkoni në Shqipëri dhe hidhuni në vaskat e Thethit, sepse kështu shpëlaheni nga paragjykimet. E ju të Shqipërisë? Mos u hidhuni në lumin e Prizrenit se nuk është i thellë, por hidhuni në Dokufest, festivalin më të mirë të filmit dokumentar në Europën Juglindore.