Rritje e vazhdueshme e numrit të xhihadistëve nga Zvicra

Po rritet numri i «udhëtarëve xhihadistë». Ndër vendet me më shumë të përfshirë në zonat e konfliktit për krye banori bëjnë pjesë Kosova dhe Shqipëria.

Foto: Shutterstock.com



Shërbimi Informativ Federal mban evidencë për të larguarit për motive xhihadiste nga Zvicra, që kanë qenë apo shkojnë për herë të parë në zonat e konfliktit. Në raportin e tij të fundit mujor flitet për 71 raste, nga të cilët janë konfirmuar 40 si të tilla. Gjithashtu është konfirmuar kthimi në Zvicër i shtatë prej tyre, ndërsa për gjashtë të tjerë nuk ka konfirmim. Ndërkohë është vërtetuar vdekja e shtatë personave, kurse ajo e gjashtë vatave mbetet të verifikohet.

Në maj të 2013-tës, Shërbimi Informativ kishte sinjalizuar se që nga 2001-shi kishte pasur 20 të ashtuquajtur udhëtarë për motive xhihadiste. Një vit më vonë ky numër ishte rritur në 40.

«Swissinfo» njofton që edhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Luftimin e Drogës dhe Kriminalitetit është e shqetësuar për fenomenin e aktiviteteve terroriste të personave nga vende të tjera të përfshirë në konfliktet e armatosuara. Në maj të 2015-tës, fenomeni kishte arritur përmasa të panjohura deri më tani. Sipas Zyrës, nga shtatori i 2014-tës deri në maj të 2015-tës numri i xhihadistëve ishte rritur nga 15’000 në 25’000 veta. Në përpjestim me popullsinë, numri më i madh i këtye «udhëtarëve» vijnë nga Tunizia, Maroko, Jordania, Libani, Kosova, Bosnja dhe Shqipëria.

Ndërsa sipas Qendrës për Hulumtimin e Radikalizimit dhe dhunës politike, një OJQ-je me seli në Londër, Zvicra bën pjesë në grupin e vendeve perëndimore me më së paku «udhëtarë xhihadi» që kanë humbur jetën në luftime pro miolion banorë. Më pak kanë Italia dhe Spanja, kurse në majë qëndron Belgjika. ks