Rritja e pagës: Haradinaj mund të ndiqet penalisht

Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat e zëvendësministrat që morën pjesë në votimin që nxori vendimin për ngritjen e pagave të tyre, rrezikojnë procedurë ndaj tyre sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit por edhe mund të ndiqen penalisht sipas Kodit Penal të Kosovës.




Zyrtarët e lartë publikë që kanë votuar këtë vendim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit «rast për rast», dispozitat e caktuara që rregullojnë veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë «e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit të lartë», thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion me të cilin konstatohet se vendimi i Qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj është marrë në konflikt të interesit.

Ndonëse në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion bëhet e ditur se nuk është shqyrtuar çështja e kompetencës nëse Qeveria ka pasur të drejtë për rritje të pagave ose jo, por ka trajtuar vetëm procedurën e nxjerrjes së vendimit, përmes opinionit rekomandohet që vendimi të kthehet në rishqyrtim duke shfrytëzuar mënyrë tjera ligjore që nuk bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalim të Konfliktit të Interesit. Megjithëse opinionet e Agjencisë Kundër Korrupsion janë udhëzuese, nëse gjendja e konstatuar nuk evitohet brenda afatit të paraparë, zyrtarët mund t’u nënshtrohen dispozitave sanksionuese të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit por edhe të Kodit Penal të Kosovës.

Në opinionin  e Agjencisë Kundër Korrupsionit parashihet përgjegjësia individuale e secilit nga ata që votuan. «Meqenëse përgjegjësia (për parandalimin e Konfliktit të Interesit) është individuale Agjencia Kundër Korrupsion është e obliguar që ndaj secilit zyrtar të lartë publik, pjesëmarrës në vendimmarrje të iniciojë procedura individuale sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit si dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës», thuhet në opinionin e AKK-së. Neni 424 i Kodit Penal të Kosovës përcakton se kur konflikti i interesit është vepër penale.

«Personi zyrtar i cili merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes ose ndonjë person juridik që ka të bëjë me të ka interes financiar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet», përcaktohet në Kodin Penal të Kosovës. Po në Kodin Penal të Kosovës parashihet se «merr pjesë», do të thotë ushtrimi i vendimit përmes «vendimit, miratimit, mosmiratimit, rekomandimit, këshillimit, hetimit ose në ndonjë mënyrë tjetër të ushtrimit të ndikimit për një çështje zyrtare». Sanksionet penale ndaj atyre që gjenden në konflikt të interesit nuk përjashtohet as me Ligjin për Parandalimin e Konflikt të Interesit. Ky Ligj në nenin 21 parasheh që përpos sanksioneve monetare të parapara me nenin 20 të po këtij Ligji, nuk përjashtohet përgjegjësia penale.

«Dispozitat e këtij Ligji nuk përjashtojnë përgjegjësinë disiplinore dhe penale të zyrtarit të lartë sipas legjislacionit ne fuqi. Çdo herë kur agjencia ka dyshim te arsyeshëm se me shkeljen e dispozitave te këtij Ligji ka elemente te ndonjë vepre penale, detyrohet që të paraqes kallëzimin penal në prokurorinë kompetente», përcaktohet në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Sigurisht se të gjitha këto pasoja mund të shmangen nëse evitohet situata e konfliktit të interesit ndërsa Rregullorja e Punës e AKK-së parasheh edhe afatin brenda të cilit duhet shmangur konfliktin e interesit. Neni 21, paragrafi 3 i Rregullores së Punës së Agjencisë Kundër Korrupsion parasheh se si procedohet në rastet e konfliktit të interesit.

«Pasi që zyrtari të njoftohet për të gjeturat, Agjencia cakton afatin brenda të cilit zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit. Afati për shmangien e konfliktit të interesit caktohet varësisht specifikave të rastit por nuk mund të jetë më e gjatë se 30 ditë», parashihet në rregulloren e punës së AKK-së. Paragrafi tjetër i kësaj rregulloreje të punës parasheh se çfarë ndodh nëse zyrtari nuk ndërmerr veprimet e nevojshme për shmangien e konfliktit të interesit. «Zyrtari përgjegjës përgatit raportin me të cilin rekomandon që rasti të përcillet në institucionin ku zyrtari që ka qenë objekt i procedurës së zhvilluar ushtron funksionin, për fillimin e procedurës për shkarkimin e tij nga funksioni dhe i ndërmerr masat tjera të parapara me Ligjin nr. 04/L- 051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik», përcaktohet në rregulloren e punës së AKK-së. Menjëherë pas publikimit të opinionit të AKK-së sonte Qeveria e Kosovës reagoi duke thënë se vendimi nuk është obligues dhe se janë në përgatitje të një përgjigje. (Kallxo.com)