Rritet shprehia e dehjes në Zvicër

Shprehitë e varshmërisë në Zvicër kanë ngelur stabile: Çdo i katërti pi cigare, rreth shtatë për qind kanë marrë substanca narkotike. Vetëm pirja dehëse është rritur.

Foto: Shutterstock.com



Ndërkohë është publikuar raporti i monitorimit të varshmërisë në Zvicër në autorizim të Entit Federal të Shëndetësisë, me çrast janë anketuar 11’000 persona. Ai jep një pasqyrë të plotë të raportit të zviceranëve me substanca dhe pije dehëse në Zvicër.

Shprehitë alkoholike

Nga këtu del se 87,5 për qind e popullsisë zvicerane në vitin 2014 kanë konsumuar alkohol. Sipas raportit që e transmetojnë mediat zvicerane – 10,3 për qind e popullatës pijnë përditë alkohol. Më së paku në Zvicrën gjermane: 8,2 për qind. Në atë franceze janë 14,7 për qind, kurse në atë italiane 20,8 për qind që konsumojnë alkohol.

Gjatë javës zviceranët pijnë për gjysëm më pak alkohol se në fundjavë. 53,5 për qind e popullatës pi së paku një herë në javë një pije alkoholike. Numri i zviceranëve që pijnë  «kronikisht rrezikshëm», me 4,2 për qind në katër vitet e fundit mbetet stabil. Për një grua kjo domethënë mesatarisht dy gota birrë ose një decilitër verë në ditë, për një burrë – më shumë se katër gota bierrë ose verë në ditë.

Dehja në Zvicër po rritet në kontinuitet nga viti 2011. 22 përqind e të anketuarve deklarojnë se një herë në muaj pijnë «rrezikshëm». Te gratë kjo domethënë më tepër se katër gota birrë ose verë, kurse te burrat pesë gota – njëra pesë tjetrës. 31,6 për qind e të rinjëve ndërmjet 15 dhe 19 vjeç bëjnë pjesë në këtë segment, ndërsa ndërmjet 20 deri 24-vjeçarët përfaqësohen me 42 për qind. Edhe përqindja e të moshuarve ndërmjet 64 deri 75 vjeç dhe e grave në këtë segment është rritur. Stabile ka ngelur vetëm përqindja e zviceranëve që nuk konsumojnë alkohol: 12,5.

Tymosja mbetet e njëjtë

Nuk ka ndryshuar as gjendja e të pirit të duhanit. Në Zvicër tymosin 24,9 për qind e popullatës mbi 15 vjeç; 17,3 për qind e të cilëve përditë, kurse 7,6 për qind nganjëherë. Ata që pijnë cigare rregullisht pohojnë se në ditë tymosin nga 13,5 cigare mesatarisht. Çdo i treti duhanxhi harxhon nga një paketë cigare e më shumë në ditë. Te burrat duhanpirja është zvogëluar paksa në raport me një vit më parë – nga 29,7 në 28,8 për qind. Ndërkaq te gratë ajo është rritur lehtë – nga 20,6 për qind në 2013-tën në 21,1 për qind në 2014-tën.

Pirja e të ashtuquajturave e-cigare (cigare elektronike) është më shumë se dyfishuar. 14 për qind e të anketuarve deklarojnë se së paku njëherë e kanë provuar një e-cigare. Në 2013-tën këta përbënin vetëm 6,7 për qind. Në fakt, ka gjithnjë e më shumë konsumatorë të e-cigareve. Por, me 0,7 për qind ata mbeten një pakicë e vogël.

Kanabisi – droga më e preferuar ilegale

Droga ilegale më e preferuar e zviceranëve, sipas studimit, mbetet kanabisi. 6,7 për qind e të anketuarve kanë konsumuar në 12 muajt para anketimit së paku një herë kanabis. Përqindja e konsumit të kokainës është 0,5; e heroinës 0,1; kurse ajo e ekstazisë, LSD-së ose e spidit me 0,4 për qind konsiderohet e vogël. Enti ndërkaq sugjeron që këto numra në fakt janë më të ulëta se sa në realitet, sepse deklarimet lidhur me konsumin e drogave ilegale nuk janë gjithmonë të realta.

Në total: 31,5 për qind e të intervistuarve mbi 15 vjeç deklarojnë se një herë në jetën e tyre kanë përdorur kanabis. Te burrat kjo shifër është me 37,9 për qind më e lartë se sa te gratë me 25,3 për qind.

Të rinjtë – me më së shumti drogë

Më së shumti drogë në vitin e kaluar kanë pirë të rinjtë. Numri i të rinjëve nga 15 deri 24-vjeç që vitin e kaluar së paku një herë e kanë përdorur xhointin është 21 për qind. Tek grupmoshat më të reja, kjo formë e konsumit nga 2011-ta ka ardhur duke u rritur.

Në përgjithësi, raporti i të rinjve me të gjitha këto substanca ka qenë më i rrezikshmi. Prandaj, sipas studimit, vëmendja më e madhe për prevencion duhet të fokusohet tek ata. Sepse: kush fillon si i ri me një konsum të rrezikshëm, rrezikon që më vonë të bëhet i varur nga ai. ks