Rreziku nga Ushtria Propaganduese Online e Kosovës (UPOK)

Në prag të themelimit të Ushtrisë së Kosovës është shtuar numri i lajmeve të rrejshme, i propagandës dhe i fushatave specifike të hutimit të opinionit. Shpesh burim i ndotjes së informacionit janë faqet anonime në Facebook dhe mediat serbe.

Arta Berisha. Foto: Jeton Sopa.



Lajmi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës më 14 dhjetor 2018 ka shtuar dozën e dezinformatave përmes mediave online dhe propagandës nga adresat e dyshimta rreth kësaj teme.  FSK nuk ka faqe zyrtare në Facebook me emrin kushtetues. Aktivitet e FSK-së publikohen në faqen e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në kanale të tjera të komunikimit me publikun. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala.

Por, në Facebook dhe rrjete të tjera sociale janë të paktën katër faqe me emrin Ushtria e Kosovës. Këto faqe ndiqen nga mijëra simpatizantë. Aty publikohen rregullisht informata për FSK-në dhe promovohen faqe të ndryshme lajmesh online, të cilat nuk janë anëtare të Këshillit për Mediat e Shkruara. Në të shumtën e rasteve materialet e publikuara janë propagandistike dhe nuk i shërbejnë informimit të drejtë e cilësor të qytetarëve.

«Këto janë disa nga armët që Amerika do t’i dhurojë Ushtrisë së Kosovës», thuhet në titullin e një videoje të huazuar nga gostream.co. Aty prezantohen automjete të rënda, të cilat gjoja po ashtu do t’i marrë Kosova si dhuratë, por defekti i këtij lajmi është se nuk e ka asnjë fakt për këtë. «CIA dërgon anije të mbushura me tanke dhe armë për Ushtrinë e Kosovës» – kështu «njoftojnë» mediat serbe. Në gjuhën shqipe këtë «lajm» e publikoi portali «Bota Press». Edhe këtu faktet për involvimin e CIA në armatosjen e FSK-së mungojnë.

Qeveria e Serbisë në vazhdimësi angazhohet për ta minuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa aktualisht po ndërmerr hapa diplomatikë që ta ndalojë avancim e Forcave të Armatosura të Kosovës në Ushtri të Kosovës.  Kosovarët janë përdorues pothuaj të përhershëm të internetit. 86,7 për qind e kosovarëve përdorin internetin çdo ditë. Këtë e kanë treguar të dhënat e Shoqatës për Teknologji dhe Informacion në Kosovë në vitin 2013. Ndërkohë kjo përqindje mund të jetë rritur, duke pasur parasysh digjitalizimin në pesë vitet e fundit. Duket se interesat financiare dominojnë në masë të madhe ato profesionale dhe lajmet e paverifikuara rreth kësaj teme shkojnë përtej zhvillimeve që edhe mund të besohet se kanë ndodhur. «Turqia dhuron avionë për Forcën e Sigurisë së Kosovës» është një lajm që i servohet publikut kosovar në një kohë kur FSK ka mungesë kapacitetesh në këtë drejtim. Me fjalë të tjera: nuk ka pilotë dhe personel të kualifikuar për aviacion luftarak. Për shkak të strukturës specifike, FSK ende nuk është e plotësuar me kuadro dhe pjesëtarë të cilët janë shkolluar dhe trajnuar për drejtimin dhe mirëmbajtjen e helikopterëve dhe avionëve ushtarakë. “Tani për tani FSK ka një pilot helikopteri dhe dy inxhinierë teknikë të mirëmbajtjes”, thonë zyrtarët e FSK-së.

Vizita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Garden Kombwtare tw Iowas në SHBA është shfrytëzuar jo vetëm nga faqet anonime në Facebook, por edhe nga mediat online që konsiderohen serioze për të shpërndarë lajme të paverifikuara dhe pjesërisht të vërteta.  «Veseli teston pajisjet ushtarake amerikane që do t’i dhurohen Kosovës», shkruan që në titull Indeks online. Burimet zyrtare pranë zyrës së kryeparlamentarit Veseli në kushte anonimiteti shpjeguan se një pjesë e pajisjeve të prezantuara nëpër fotot e kryeparlamentarit tashmë kanë mbërritur në Prishtinë. Një pjesë e tyre do të blihen nga buxheti i shtetit dhe do të hyjnë në kornizën afatmesme të shpenzimeve 2019-2025, ndërsa pjesa tjetër do të jepet si donacion nga SHBA-të. Sa ju përket automjeteve që njihen si «High Mobility Multipurpose Wheeled Vehicle» (shkurt HMMWV ose për shkak të shqiptimit më të lehtë Humvee), Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka sqaruar se 24 prej tyre janë blerë nga buxheti i Kosovës. Në fillim të vitit 2019 do të vijë kontingjenti tjetër prej 27 Humvee që është donacion i SHBA-së. Nga ana tjetër kryeparlamentari Veseli nuk ka detyrë kushtetuese të blejë mjete ushtarake dhe të shpërndajë buxhetin.

Opinioni publik në Kosovë e në veçanti ata që informacionin e marrin nga mediat online dhe ato sociale kanë gëlltitur dezinformata të shumta edhe për qëndrimet e shteteve të cilat e kanë përkrahur të drejtën e Kosovës për transformimin e forcave të armatosura në ushtri. «Erdogani kundër ushtrisë së Kosovës», shkruan portali Periskopi. Ky lajm është shpërndarë edhe në Facebook, ku nga disa është pëlqyer, nga të tjerët është komentuar negativisht. Ministria e FSK-së konfirmon se nënshkruar marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi me 14 shtete, që nënkupton edhe me ushtritë e shteteve përkatëse; mbi bazën e këtyre marrëveshjeve janë zhvilluar edhe shumë aktivitete konkrete.

Raportimi për FSK-në ditëve të fundit ka treguar se, krahas mungesës së profesionalizmit, në mediat online informimi kontanimohet edhe nga faqet anonime në mediat sociale që duket se krijohen enkas për të shkaktuar mjegull në raste kur ka ose priten ngjarje me peshë. Në raportin e Këshillit të Evropës «Information disorder toward an interdisciplanary frame work for research and policy making» argumentohet se për ta kuptuar më mirë ndotjen e informacionit («information pollution») duhet të analizohen në mënyrë të veçantë tri elemente: agjenti, mesazhi dhe interpretuesi. Gjithashtu duhet të analizohen tri fazat e çrregullimit të informacionit – ato janë: krijimi, prodhimi dhe shpërndarja. Siç shpjegon raporti, «agjenti» që e krijon mesazhin e fabrikuar mund të jetë i ndryshëm nga agjenti që e prodhon atë mesazh, i cili gjithashtu mund të jetë i ndryshëm nga agjenti që e shpërndanë. Gjithashtu duhet të kuptohet kush janë agjentët dhe kush e shtynë përpara punën e tyre. Ndikimet e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta të ndotjes së informacionit janë vështirë të matshme. Raporti i Këshillit të Evropës thekson se është ende herët të kuptohen implikimet që shkaktohen. Por, në shembujt e mëhershëm në Europë dhe botë çrregullimi i informacionit influencon edhe demokracitë më serioze.  Më shqetësuese, sipas raportit, janë implikimet afatgjata të fushatave dezinformuese, të dizajnuara në mënyrë specifike për të krijuar konfuzion dhe për të ndarë shoqërinë ekzistuese duke shkaktuar tensioneve raciale, religjioze e nacionaliste. Për debatin aktual fokusi i mekanizmave kontrollues tek shkrimet e faqeve të lajmeve anonime dhe demaskimi i tyre është detyrë themelore.

Transformimi dhe ndryshimi i misionit të FSK-së natyrshëm se ka zgjuar kureshtjen e qytetarëve. Një kërshëri e lartë e tillë u dëshmua se po keqpërdoret jo vetëm nga politikanët që duan të fitojnë poenë politik, por edhe nga mediat që duan për arsye klikimesh të  lansojnë lajme të rreme e të pakonfirmuara.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së.