Rreziku nga popullistët (anti)europianë: BE mund të paralizohet pas zgjedhjeve të majit

Në zgjedhjet për Parlamentin Europian kritikët e BE-së ka gjasa të korrin fitore të mëdha. Partitë popullore duhet të gjejnë partnerë, Brukseli frikësohet nga paralizimi politik, shkruan «Süddeutsche Zeitung».




Në fund të majit rreth 400 milionë qytetarë të Bashkimit Europian do të vendosin mbi të ardhmen e aleancës së shteteve. Ata do të përcaktojnë kursin e Europës në pesë vitet e ardhshme. Me sa duket kontinenti gjendet para një sprove të jashtëzakonshme, shkruan gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» në numrin e së shtunës.

Në Itali, Poloni apo Francë shumë qytetarë e kanë përshtypjen se BE nuk po e përmbush më premtimin për siguri e mirëqenie. Kriza e valutës së përbashkët euro dhe kriza e refugjatëve kanë hapur hendeqe të thella. Brexiti, tensionet transatlantike dhe frika nga fuqia ekonomike e Kinës janë vështirësi të tjera.

«Süddeutsche Zeitung» shkruan se në zgjedhjet për Parlamentin Europian kërcënon një revoltë populliste. Sipas anketave kritikët e BE-së pritet të fitojnë më shumë se kurrë vota. Për herë të parë që nga zgjedhjet e drejtpërdrejta më 1979 kristiandemokratët dhe socialdemokratët mbase do të humbin shumicën e tyre absolute. BE-në e pret një konflikt i përhershëm mes pro- dhe antieuropianëve. Shumë qytetarë nuk mund ta kuptojnë se përse BE ka aq shumë vështirësi të marrë vendime sa i përket ndarjes së drejtë të azilkërkuesve. Në të ardhmen do të jetë edhe më vështirë të gjenden kompromise.

Deri më tani Partia Popullore Europiane dhe socialdemokratët kanë qenë vendimtar në Strassburg dhe Bruksel, ky gjenden selitë e Parlamentit Europian. Por, një anketë e Parlamentit Europian tregon se kjo do të marrë fund të shpejti: partive popullore u kërcënohen humbje të mëdha. Ato mbase do të jenë të shtyra të bashkohen me grupe të tjera për të zgjedhur presidentin e Komisionit Europian. I mundshëm do të ishte një koalicion mes liberalëve dhe Lëvizjes La République en Marche të presidentit francez Emmanuel Macron, e cila deri më tani nuk i është bashkuar asnjërit prej grupeve të etabluara politike, shkruan «Süddeutsche Zeitung».

Duket se do të jetë e nevojshme që të ketë edhe një grup tjetër për të arritur një shumicë stabile – për shembull të Gjelbrit. Por, si t’ua shpjegojnë të Gjelbrit votuesve të tyre se duhet të zgjedhin Manfred Weberin nga CSU-ja gjermane si pasardhës të Jean-Claude Junckerit për aq kohë sa partia e kryeministrit hungarez Viktor Orban është anëtare e Partive Popullore Europiane, pra e familjes së partive konservatore. Ditëve të fundit janë shtuar zërat për përjashtimin e partisë së Orbanit Fidesz nga Partitë Popullore Europiane.

Jo vetëm konservatorët kanë politikanë në radhët e tyre qe nuk kanë aq respekt për sundimin e ligjit. Edhe socialdemokratët janë të detyruar të pranojnë se në Rumani dhe në Maltë janë aktiv miqtë e tyre partiakë, të cilët kanë të përfshirë në afera të korrupsionit. Liberalët kanë në Çeki kryeministër Adrej Babishin, i cili dallohet për tone antieuropiane dhe hetohet për keqpërdorim të fondeve të Brukselit.

Skena politike e Europës po ndryshon ose ka ndryshuar. Në Itali qeverisin popullistët, jo socialdemokratët. Në Poloni në pushtet janë nacionalistët. Në Spanjë do të mbahen zgjedhjet parlamentare pak para atyre europiane: socialistët pritet të humbin pushtetin, popullistët të fitojnë më shumë vota. Pa marrë parasysh se kë do ta dërgojnë qeveritë në kryeqytetet europiane në Bruksel si komisar – disa kandidatura do të shkaktojnë tensione, shkruan «Süddeutsche Zeitung». Sa më shumë që përplasen përkrahësit dhe kundërshtarët e BE-së, aq më i madh rreziku që BE të paralizohet. Kjo do të ishte krejt për qejfin e shteteve autokratike si Rusia dhe Kina. Edhe presidenti amerikan Donald Trump nuk do të kishte asgjë kundër.