Rrezik për të gjithë Ballkanin nga kaosi në Maqedoni

Shteti është pa qeveri dhe parlamenti pa kryetar.

Gjorgje Ivanov. Foto: Truba7113 / Shutterstock



Ska qeveri, s’ka parlament, s’ka prefektë dhe, para së gjithash, s’ka rrugëdalje: Kaosi në Maqedoni po e kërcënon Balkanin edhe ashtu të rënduar nga krizat. Për këtë po angazhohen edhe kryetarët dhe kryeministrat e UE-së. Vendi i vogël Ballkanik, Maqedonia, po zhytet gjithnjë e më thellë në kaos. Tani janë pezulluar edhe zgjedhjet lokale, ashtu që prefektët dhe këshillat komunale në maj të tërhiqen pa pasardhës. Akoma më keq – nuk po duket asnjë zgjidhje në horizont. Kryetari maqedonas, Gjogje Ivanov, sapo iu është drejtuar kryetarit të këshillit të UE-së, Donald Tusk, për ta justifikuar situatën e ndërlikuar.

Samiti i UE-së duhet të merret me këtë rast problematik, i cili rrezikon të reflektojë te vendet fqinje. Ivanovi refuzon t’ua japë mandatin për qeverinë opozitarëve socialdemokratë (SDSM), edhe pse ata kanë arritur t’i sigurojnë 67 nga 120 vendet e parlamentit. Arsyetimi i tij kushtetues: Pakti i SDSM-së me tre parti shqiptare e rrezikon unitetin e vendit. Marrëveshja e koalicionit duhet të arrijë që gjuha e shqiptarëve, të cilët përbëjnë çerekun deri një të tretën e dy milionë banorëve, të barazohet me maqedonishten. Deri më tani ka sunduar maqedonishtja sllave që shkruhet me alfabet cirilik. Sipas kësaj, monedhat e denarit në të ardhmen do ta kishin edhe shkrimin shqip. Shënimet e policisë dhe ushtrisë do të bëheshin gjithashtu në dy gjuhë në të gjitha regjionet, në të cilat shqiptarët përbëjnë më tepër se 20 për qind. Edhe në gjyq duhet të flitet lirisht shqip.

As Brukseli, as Washingtoni nuk kanë mundur ta detyronin Ivanovin t’u përmbahet standardeve demokratike dhe shumicës parlamentare t’ia mundësojë formimin e qeverisë. Sepse, në thelb, fjala nuk është aspak për çështje kombëtare, por çështje të forta penale. Prej një viti prokurorja speciale po heton kundër kryeministrit shumëvjeçar Nikola Gruevski, i cili është edhe tutori i presidentit. Ai akuzohet për përhapje të korrupsionit dhe kriminalitetit si dhe për kapje të drejtësisë dhe medieve.

Duke qenë se kampit të Gruevskit i kanoset burgu, ai nuk dëshiron në asnjë rrethanë t’ua lëshojë pushtetin të majtëve. Ai shumë më tepër këron zgjedhje të reja pas votimeve të dhjetorit të kaluar. Partia prej kohësh në pushtet e Gruevskit, VMRO, në mënyrë sistematike po e nxit disponimin kundërshqiptar. Këtë javë u sulmua muzeu i gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit me molotv-kokteje. Gruevski po i thërret përkrahësit e tij gjithnjë e më hapur për dhunë. Në demonstrata tanimë janë sulmuar gazatarë kritikë.

Përfaqësuesja për politikën e jashtme të UE-së, Federica Mogherini, në vizitën e fundit në Shkup këtë muaj ka paralajmëruar se situata në Maqedoni është një lojë me zjarrin. Sepse gjendja e shqiptarëve në gadishullin e Ballkanit është gjithandej shumë eksplozive: Në jug të Serbisë sikurse në Kosovë dhe në Mal të Zi. Madje në vetë «shtetin amë», Shqipëri, marrëdhënia ndërmjet qeverisë dhe opozitës është e tensionuar. Nuk përjashtohet dhuna. Fundja trazirat e fundit të ngjashme me luftën qytetare ndërmjet maqedonasve shqiptarë dhe atyre sllavë më 2001 nuk janë një histori edhe aq e largët. Para dy vitesh, në qytetin e tretë më të madh, Kumanovë, në një shkëmbim zjarri humbën jetën mbi dy duzina njerëzish.

(kurier.at) ks