Rreth 3000 personave nga Ballkani u kanoset dëbimi nga Zvicra

Vendet e tyre të prejardhjes – Serbia, Kosova, Bosnja – konsiderohen të sigurta, andaj Zvicra po rishqyrton të drejtën e qëndrimit të mijëra personave nga Ballkani, të ardhur si refugjatë.

Pamje nga viti 1999: Drejtori i Entit të atëhershëm Federal për Refugjatë, Jean-Daniel Gerber, duke i pritur në aeroport refugjatët kosovarë. Foto: Keystone



Sekretariati Shtetëror për Migrim i Zvicrës (SEM) ka njoftuar se vitin e ardhshëm në mënyrë sistematike do të verifikojë nëse kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend së paku 3000 persona nga vendet e Ballkanit. Bëhet fjalë për azilkërkues, të cilëve nuk u është pranuar e drejta e azilit, por kanë janë lejuar të jetojnë në Zvicër me status të përkohshëm. Këtë status e marrin ata persona, të cilët për arsye të ndryshme – luftë, luftë civile, dhunë e përgjithshme apo gjendje e rëndë shëndetësore – nuk mund të kthehen në vendin e origjinës. Aktualisht në Zvicër jetojnë 36 mijë persona me status të përkohshëm qëndrimi. Mes tyre janë edhe 3 mijë veta nga Ballkani – 1450 nga Serbia, 866 nga Kosova dhe 509 nga Bosnjë-Hercegovina.

Një deputete e Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila ndjek një kurs të ashpër ndaj të huajve, ka kërkuar që qeveria zvicerane të ndërmarrë masa ndaj këtyre njerëzve, duke pasur parasysh se vendet prej nga vijnë ata janë të sigurta dhe nuk ka arsye të mëtejme të qëndrimit në Zvicër. Deputetja Barbara Steinemann tha se si anëtare e entit social në komunën e Regensdorfit afër Zürichut ka vërejtur se «praktikisht të gjithë serbët dhe kosovarët e pranuar përkohësisht jetojnë nga ndihmat sociale». Sipas saj edhe komuna të tjera zvicerane raportojnë për përvoja të njëjta. Supozohet se në mesin e 866 shtetasve të Kosovës një pjesë e konsiderueshme janë pjesëtarë të pakicave etnike si romë dhe ashkali. Sekretariati Shtetëror për Migrim i Zvicrës nuk veçon banorët e Kosovës sipas etnisë, por i trajton të gjithë si shtetas kosovarë. (-lli)