Rreth 25 për qind e fëmijëve vijnë nga çifte të pamartuara

Gjithnjë e më shumë çifte që krijojnë familje nuk martohen. Më 2015 janë regjistruar më shumë atësi dhe më pak martesa.

Foto: Olena Yakobchuk / Shutterstock.com

Vitin e kaluar në Zvicër ka pasur më shumë lindje se një vit më parë: 86’000, që i bie 3,1 për qind më shumë se më 2014. Është rritur sidomos numri i lindjeve jashtë martesës, transmeton «20 Minuten». Ai shkon në 19’800, që i bie një rritje prej 7,1 për qind. Kjo domethënë që rreth 25 e fëmijëve të lindur janë jashtë martesës. Në Nëshatel kjo shifër shkon në mbi 30 për qind.

Mirëpo, rritja e numrit të lindjeve jashtëmartesore nuk domethënë që më shumë baballarë i ikin përgjegjësisë prindërore. Numri i atësive të pranuara shkon në një hap me lindjet jashtëmartesore. Janë vetëm 171 burra që janë detyruar ta pranojnë atësinë me vendim gjyqësor. Megjithë shtimin e lindjeve nuk është rritur dëshira për të lindur fëmijë, konstaton raporti – shifra e lindjeve ngel në 1,5 fëmijë për grua. Shtimi i lindjeve në tërësi shpjegohet me rritjen e numrit të popullsisë.

Në krahasim me një vit më parë, ka rënë dëshira për martesë. Më 2015 janë kurorëzuar 41’900 çifte, që i bie 1,1 për qind më pak se më 2014. Më së shpeshti martesa janë lidhur ndërmjet çifteve, me ç’rast që të dy partnerët vijnë nga jashtë. Janë shënuar edhe më pak martesa ndërmjet të njëjtës gjini, numri i tyre ka rënë për 2,6 për qind në 700 sish. Në kantonin Obwalden nuk është shënuar asnjë martesë e tillë.

Ndërkohë më 2015 janë shkurorëzuar 16’960 çifte, ndërsa më 2014 numri i tyre shkonte në 16’737. Numri i ndarjeve ka filluar të rritet nga viti 2010. Nëse vazhdon me këtë trend, sipas Entit Federral të Statistikave, një ditë 40 për qind e çifteve do të shpërbëhen nga divorcet.

Sipas Entit Federal të Statistikave, vala e gripit në fillim të 2015-tës dhe vapa e korrikut kanë çuar në më shumë vdekje. Më 2015 në Zvicër ka pasur 67’600 vdekje, që i bie 5,7 për qind më tepër se një vit më herët. ks