Rrënjët



Një mesele tejet interesante. Një përrallë. Ashtu si i dimë ato, me vëllezër, me vese, me qypa… Por, që ka ngjarë vërtet! Nga dëshira profesionale, dua ta përcjell menjëherë tutje. E dëgjova duke ua rrëfyer të tjerëve, në vija të trasha, prandaj nuk munda të interesohem për ca detaje e biografi. Por, ato nuk e ndryshojnë thelbin e ngjarjes, dhe do t’i ndërtoj vetë ngapak.

Shtëpia shtrihet rrëzë një kodre. Nuk është as mal, as fushë. Nuk mund t’i thuash tamam as fshat, as qytet. Në të jeton një familje e madhe prej rreth 15 vetash. Gjithsesi, një çift i moshuar dhe tre djemtë me familjet e tyre. Por, shtëpia pothuajse nuk duket nga një pemë e madhe në oborr. Seç i bezdis mëngjes e mbrëmje, o e zë diellin, o nuk e lë kullosën të rritet, o e mbush oborrin me gjethe… Dhe, vendosin ta qërojnë që aty, njëherë e mirë.

Por, kush ta bëjë këtë? Është një punë as për gra, as për burra. Prandaj, e goditin një rom. Këta përshtaten për gjithçka. Fundja, sharraxhinjtë në këtë vend janë pothuajse të gjithë romë. Mund të duket e pabesueshme, por ta zëmë që plaku falet pesë herë në ditë, edhe në xhami. Duke qenë se nuk kanë një të tillë në fshat-qytetin e tyre, do kohë edhe rruga. Po ndalove për një çaj në kafene, shkoi koha kur ta shkulë pemën. Aq më tepër që atij nuk i bën më as takati.

Sikur ta shkruaje një novelë me këtë mesele, secili nga burrat e shtëpisë do të përbënte një kapitull më vete. Djali i madh kujdeset për pazarin e shtëpisë dhe e zëvendëson plakun në sebepe, për urime dhe për ngushëllime, në mort e në dasma. Kjo nuk është për ta nënçmuar. Aq më pak tani që janë shtuar adetet dhe në verë, kur bëhen vetëm dasma gjithë ditën e lume. Sepse, për më tepër, janë shtuar edhe ndarjet, e edhe martesat e dyta i bëjnë me dasma.

Personazhi i radhës është djali tjetër, i cili e ka një punë shteti në administratë. Punë për zotni, me çantë dhe me kravatë. Por, atij i duhet t’ia kryejë ca shërbime partisë në pushtet, pa të cilën nuk do ta kishte punën. Sidomos kur ka zgjedhje, ai mobilizon njerëz për tubime, dhe votime, ngjet afishe në mure, bën propagandë në darkë nëpër kafene, në shoqërinë e ngushtë dhe në akraballëk. Për më tepër, atë nuk e lë autoriteti të merret me pemët e malit.

Vëllai tjetër është i papunë dhe vegjeton në partinë opozitare. Sepse, duhen ruajtur ekuilibrat. Po fitoi partia tjetër, jo vetëm e përzënë nga puna vëllain, por të marrin në qafë fare. Të hapin telashe me pensionin e plakut, ta ndërpresin ujin nëse e tërë lagjja është me partinë e parë dhe çfarë nuk u kujtohet. Në kohë zgjedhjesh, që i bie pothuajse çdo vit, jo zgjedhje të përgjithshme, jo lokale, jo të parakohshme, jo presidenciale, ai është gjithë kohën në telefon mobil dhe në automobil.

S’ka si të jetë ndryshe: Së paku njëri prej djemve duhet të jetë patjetër në emigracion, Zvicër, Gjermani, Belgjikë a Danimarkë. Ndryshe, ajo shtëpi nuk qëndron në këmbë. Ndryshe, ajo pemë nuk rrëzohet përtokë. Këta të Perëndimit i kanë marrë shprehitë e njerëzve ku jetojnë, nuk i vonojnë punët gjatë, i kryejnë vetë ato. Po ku ta gjesh emigrantin…?

Kështu ata merren vesh që një ditë të vijë një rom dhe ta kryejë punën e pemës, e cila, megjithatë, nuk është edhe aq kot. Është një pemë me gjerësi prej afro një metër. Nikoqirët i prijnë romit te vendi, i japin lekët dhe nisen. Pas ca kohe dëgjojnë zhurmat e rënies së pemës, i ndjejnë përrenjtë e dritës që i përmbytin odat e shtëpisë, shohin horizontin tej larg, e bota u duket më e madhe. Por, në fund, në vend të pemës shohin cungun e saj që ka ngelur lidhur për tokë si një sofër.

Nikoqirët janë të palumtur. Ata donin ta shkulin pemën me gjithë rrënjë. I çojnë haber romit të kthehet e ta përfundojë punën, por ai nuk duket. Vetë nuk mundin, sepse njëri falet pesë herë në ditë, tjetri është gjithë kohën në dasma, tjetri është zyrtar dhe s’ka lezet, i katërti është gjithë kohën mobil, kurse i pesti është në fund të botës. Një ditë romi e dërgon një rom tjetër më të  gatshëm për punë të dyta, sepse edhe romët i kanë romët e tyre.

Zotërinjtë i prijnë për te vendi romit të dytë, por nuk i japin as kapar që të sigurohen se puna do të kryhet plotësisht. Kurse ai shfajësohet se nuk ka asnjë vegël pune. Ata e pajisin me të gjitha veglat që kanë. Aman, mjafton t’ua heqë qafe rrënjët. Dhe, romi i dytë fillon punën, të gërmojë e të sharrojë. Nikoqirët në fillim janë të vëmendshëm për zhurmat, pastaj harrohen. Dikur u bën përshtypje heshtja e gjatë. Romi i dytë nuk kërkon as bukë, as ujë. As bëzan!

Ata nxjerrin fëmijët të shohin se ç’po bën argati. Haberet janë të zymta. Kur dalin vetë të rriturit, ç’të shohin: një grumbull trualli rreth një grope; në majë të gërmadhës nga drita e diellit verbon shkëlqimi i një lire floriri! Është kusuri që ka lënë romi, i cili u jep xhevap pyetjeve të nikoqirëve, se pse nuk ka zhurma, çfarë bëri, e pse nuk është aty. Rrënjët e pemës janë hedhur mënjanë dhe qëndrojnë si brinjët e një kaprolli të rënë nga dora e një gjahtari me fat.

Nikoqirëve nuk u besohet ajo që ka ngjarë. Ata e kërkojnë romin e dytë me qiri çdo ditë pazari. Por, s’ka. Çojnë haber pas haberi, përmes të njohuri e të panjohuri. Por, kot. Janë bërë vrer si nikoqorët, si romi i parë. Një ditë mësojnë se romi i dytë është arratisur në Turqi dhe ka lëshuar rrënjë atje…