Rrënim

Georg Trakl.



Në mbrëmje, kur nisin dhe bien paqe kambanat,
Ndjek unë fluturimet mahnitëse të zogjve, që varg
Shkojnë, si karvanë pelegrinësh të devotshëm larg,
Zhduken hapësirave vjeshtore, t’kthjellta e t’paana.

E s’ua ndiej orëve akrepin të lëvizë një grimë
Tek endem përmes kopshtit plot me mugëtirë
Ëndërroj ’dhe ca për fatin e tyre më të ndrirë
Ashtu e ndjek përmbi re unë të tyrin rrugëtim.

Pastaj një puhi rrënimi më çon një drithërimë.
Klith thirravaj mëllenja nëpër degët pa fletë.
Tundet hardhia anë të ndryshkurës thurimë.

Ndërkaq si valle vdekje fëmijësh të zbehtë
Përreth buzësh t’errëta pusi, që moti i grin,
Luleyje blu ngrijnë n’erë tek përkulen lehtë.

Përktheu: Arb ELO

Georg Trakl u lind më 3 shkurt, 1887, në Salcburg, Austri, i katërti nga gjashtë fëmijë të tregtarit të hekurishteve Tobias Trakl dhe gruas së tij (të dytë) Maria. Fëmijërinë dhe rininë i kalon në qytetin e lindjes. Në gjimnaz nuk e kalon klasën e gjashtë, duke e shtyrë të atin të vendosë për një karrierë në farmaci. Pasi mbaron një kurs trevjeçar si praktikant, aktivizohet në shërbimin farmaceutik ushtarak. Nga maji 1912 deri në gusht të 1914-ës jeton më së shumti në Insbruk, gjysmën e parë të vitit si “aksesist medikamentesh” në spitalin e garnizonit. Meqenëse ndihet i dobët për të përballuar mundimet që kërkon shërbimi, kalon në rezervë. Në janar 1913 punësohet si shkrues në një ministri në Vjenë; pas tri ditësh e lë punën dhe kthehet në Insbruk. Provon edhe dy herë – në korrik dhe në fund të vjeshtës së po atij viti – të vendoset në Vjenë. Më kot. Kthehet vazhdimisht në Tirol, si endacak. Këtu gjen te Ludwig von Ficker, në Myhlau, botuesin e revistës kulturore Der Brenner, strehë dhe mbrojtje nga hallet e botës, duke qëndruar aty me ndërprerje të shkurtra gjer në fillim të luftës. Po atë vit (1913) e kalon pranverën në Hohenburg, në Igls dhe shkurtimisht në Salcburg; udhëtime të shkurtra e të rastësishme, të mundësuara nga miqtë, e çojnë në Venecia, Berlin dhe liqenin e Gardës. Në fund të gushtit 1914 dërgohet në detyrën e tij të vjetër (me gradën toger) si aksesist medikamentesh në një kolonë sanitare të Insbrukut në Galici, në front. Pas betejës së Grodekut i duhet të kujdeset, i vetëm në një hambar, për nëntëdhjetë të plagosur rëndë, pa mundur t’u ndihë. Në dëshpërim të thellë, kërkon të vrasë veten; ia heqin armën shokët. Qetësohet përsëri dhe vijon shërbimin, pa shenja të jashtme shqetësimi. Disa javë më vonë komandohet papritur të shkojë në Krakov. Beson se e kanë dërguar të punojë si farmacist. Me tmerr i duhet të konstatojë se e kanë shpënë atje për ta mbajtur nën mbikqyrje në pavijonin psikiatrik të spitalit. Aty edhe vdes, 27 vjeç, natën mes 3 dhe 4 nëntorit 1914, me gjasë nga një dozë e madhe helmi, që e ka marrë më datë 2 nëntor në darkë; ka dyshime lidhur me qëllimshmërinë e vetëhelmimit, meqë Trakli ishte përdorues i rregullt droge. Në varrimin e tij nuk merr pjesë askush, përveç minatorit Matthias Roth, djalë i ri e shok besnik. Në vjeshtën e vitit 1925 eshtrat e poetit sillen në Tirol, ku prehen, sot e kësaj dite, në varrezën e bashkisë Myhlau, Insbruk.