Rrena

Werner Bergengruen.



Ku është ai popull që këtë do ta duronte në shpirtin e tij pa pësuar dëm?
Me vite të tëra ushqimi ynë i përditshëm ka qenë rrena.
Solemnisht ia filluan, me kurora stolisën makina e plugje, folën për lirinë dhe bukën, dhe gjithçka, gjithçka ishte rrenë.
Në kohërat ngaherë të shkuara heroike morën hua fluturimet gjithë ushtimë të shqiponjave, duke lavdëruar etërit veten lavdëronin, dhe gjithçka, gjithçka ishte rrenë.
Nëpër rrugë marshonin njësitë e pafundme të bajraktarëve, kambanat tingëllonin, dhe gjithçka, gjithçka ishte rrenë.
Lavdërimet e tepërta dhe qortimet nuk i matnin sipas ligjit të vdekur, jetën e ftonin, dhe gjithçka, gjithçka ishte rrenë.
Pritej që thatësia të lulëzojë! Ia nxirrnin fundin kur premtonin lumturinë, dhe gjithçka, gjithçka ishte rrenë.
Ende me gjak në duar, mbështollën me shirita zie qypat me hi, kënduan për lavdinë e të vdekurve, dhe gjithçka, gjithçka ishte rrenë.
Rrenën e kemi marrë si frymën. Deri në thellësinë e pafundme të zemrës, pikë pas pike, mjegulla e helmatisur e rrenës na mbante.
Dhe ne, të kapur për fyti, të ngufatur nga rrena, i thërrisnim me zë të lartë ferrit, që me rrezen e shfarosjes e vërteta të godasë këndej.

Nga gjermanishtja:
Enver ROBELLI