Rregullore në Prizren mbi pjesëmarrjen e publikut në planifikimin hapësinor

Prizren, 7 tetor – Bazuar në dispozitat e ligjeve në fuqi, si dhe në orientimin strategjik të Komunës së Prizrenit, Kuvendi Komunal në partneritet me OJQ «EC Ma Ndryshe» ka iniciuar procesin për hartimin e Rregullores mbi pjesëmarrjen e publikut në planifikim hapësinor në Komunën e Prizrenit, i cili më pastaj do të miratohet dhe zbatohet nga organet përkatëse komunale, ka njoftuar Zyra për informim e Komunës së Prizrenit.




«Inicimi i procesit për hartimin e Rregullores mbi pjesëmarrjen e publikut në planifikim hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkë me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë është një hap në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, që është edhe njëri prej synimeve kryesore të propozim-rregullores që është në përpilim e sipër», ka thënë kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i OJQ «EC Ma Ndryshe», Hajrulla Çeku, ka theksuar se pjesëmarrja si proces përfshin apo pasqyron në vete një numër të të drejtave themelore të qytetarëve, si ajo për t’u informuar, për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në aktivitetet që lidhen me kushtet dhe ambientin jetësor të tyre.