Rregullat e Cosa Nostras kosovare

Kapja e shtetit me metoda kriminale: ky është bilanci i «qeverisjes» nga e ashtuquajtura Parti Demokratike e Kosovës. Edhe sa do të durojnë qytetarët e Kosovës?

Ilustrimi: Shutterstock

Kur para disa vitesh gazetat italiane botuan dhjetë rregullat e mafies, binte në sy sidomos rregulli i pestë: «Është obligim të jesh në dispozicion të Cosa Nostras në çdo kohë. Edhe atëherë kur gruaja gjendet para lindjes». Seria më e re e përgjimit të krerëve të së ashtuquajturës Parti Demokratike e Kosovës (PDK), që ka filluar ta bëjë publike portali Insajderi, të kujtohen tamam Cosa Nostran italiane. Për dallim nga mafiozët italianë, të cilët jetojnë në ilegalitet dhe luftohen nga drejtësia italiane, Cosa Nostra kosovare që funksionon me siglën PDK e ka kapur shtetin në të gjithë sektorët dhe nuk ka asnjë frikë nga konsekuencat ligjore.

Çdo vend ka mafien e vet, ndërsa në Kosovë mafia ka shtetin e vet – rrallëherë kjo thënie ka qenë më e saktë se në rastin e operacionit të PDK-së për marrjen në pronësi të shtetit të Kosovës. Pronarët e shtetit duhet të jenë përherë të zgjuar, vigjilentë, në aksion, vulgarë, primitivë, të pamëshirshëm në realizimin e qëllimeve të tyre korruptive, të egër në ngritjen e kurtheve, të pakompromis në shkeljen e ligjeve, duhet të flasin pallavra për integrimet europiane dhe të sillen dhe veprojnë si hajdutë.

Opinioni kosovar tashmë i ka dëgjuar disa nga këto biseda, por kur e ke parasysh që prej 1 mijë muhabeteve janë botuar vetëm tri, atëherë mund të merret me mend se zbavitja në 997 ditët e ardhshme do të jetë e madhe – një zbavitje e tmerrshme që i kushton shumë shtetit të Kosovës, qytetarëve, të ardhmes sonë, gjeneratave që do të vijnë pas nesh.

Çështja është nëse qytetarët e Kosovës do të presin edhe 997 ditë për të hequr nga pushteti këtë strukturë tejet të kriminalizuar, të korruptuar, të nepotizuar. A do të presin anëtarët e vërtetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që partinë e tyre t’ua shkatërrojë Isa Mustafa për interesat e tij të ngushta dhe ta shndërrojë në nëndegë të PDK-së? A do të qëndrojnë indiferentë ata pak pjesëtarë të shoqërisë civile që ende kanë ideale për këtë vend? (Pjesa më e madhe e shoqërisë civile dhe gazetarëve që shiten si prostituta mezi presin të rreshtohen në aradhet e krimit – dhe këtë e kanë vërejtur me kohë Hashim Thaçi e Kadri Veseli).

Rezultatet e kulturës shtetërore që kanë imponuar këto dy figura në shoqërinë e Kosovës po shihen prej vitesh. Është kultura e sharjes me nënë, e vjelljes së fjalëve më vulgare, e shpifjeve, e kurtheve, e kurdisjes së tenderëve. Krerët e PDK-së, shumica prej të cilëve kanë vepruar në konspiracion, janë shembulli më i dukshëm se edhe kur del nga ilegalja (siç kanë dalë këta më 1999), ilegalja s’del prej teje kurrë. Veprimi institucional është në kundërshtim me mendësinë e tyre.

Këtë e dëshmon muhabeti që zhvillojnë shefi i shefave Adem Grabovci dhe jurishniku i PDK-së nga Prizreni Nijazi Kryeziu. Qe disa margaritarë: «34 kanë konkuru. Hiqe se s’pe nxhoh kush osht. Jo, s’po e di kush o. Jo, jo s’të thom unë me shti atë, qysh kemi me shti atë po ja bajmë me ta si me Sylë Hoxhën tani na e qin nanën. Bujar Hasani, ja qifsha nanën Naitit se drejtor i LDK-së osht ai. Edhe le ta qin nanën Naiti me ta bashkë. Se drejtor i Eqremit oshtë ai. Qyky Naser Bajraktari po të kallxoj ty, ky thirret në emër të Partisë Demokratike edhe bohet ma me kompetent se na në Prizren kur osht puna për PDK-në. Unë nuk ja di adresën këtij osht… m’doket i Fatmirit osht dikund i Malishëvës anena. Po smuj, po qysh bre nonen ja qifsha me t’i dhanë emrat kur s’e di listën, kur s’e di kush ka konkurue. Esati e di që ka konkurs, se më ka vetë. Drita Grazhda, mahet me neve po s’osht me neve, se herën e kalume kur e kemi çue ka thanë më ka çue tjetër kush. A po din? Fatmir Pireci? Ish-zëdhënës i Eqremit, qija nanën…».

Gjatë gjithë kësaj bisede të pistë nuk flitet për kritere profesionale, për kualifikimin e kandidatëve për të qenë pjesë e Bordit të Ujësjellësit. Kriter i vetëm duket të jetë ky: a je a s’je me PDK-në? Po qëllove anëtar i LDK-së, lërë që s’ke shans të gjesh vend pune në komunën e Prizrenit, por të garantuar e ke edhe një sharje me nënë. Pafytyrësia arrin deri aty, saqë shefi i shefave pas publikimit të përgjimeve skandaloze shfaqet në opinion thua se nuk ka ndodhur asgjë dhe krenohet se paskësh hapur vende të punës, se nuk paskësh bërë kurrfarë krimi. Dhe në këtë valle futet edhe kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, i cili si të ishte një nxënës që frikësohet se nuk do kalojë vitin, ngutet të thotë se nuk ka elemente penale në këto muhabete. Tash i mbetet Adem Grabovcit vetëm të pres ftesën për Lutjet e Mëngjesit në Washington – bash ashtu si vitin e kaluar, kur krenohej se «në Lutjet e Mëngjesit prezent do të jetë presidenti i SHBA-së, Barack Obama, Sekretari i Shtetit, por edhe njerëz me ndikim në jetën politike dhe biznesore nga shumë shtete të botës». Ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm, kur do të shkojë sërish në Washington për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, Grabovci do të shoqërohet nga ambasadori amerikan Greg Delawie. Marrëzia në këtë vend duket se nuk ka fund!

Italia kishte prokurorë të patrembur si Paolo Borsellino dhe Giovanni Falcone, të cilët ishin simbole të luftës kundër mafies, ndërsa Kosova e ka Bahri Hysenin, zolat dhe deputetët e LDK-së që janë bërë paterica të krimit të organizuar, duke u shtirur si institucionalistë. Pas djegies misterioze të veturave të politikanëve të LDK-së, me ç’rast gishti drejtohej nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse deri më sot policia nuk arriti të arrestojë asnjë keqbërës, tash, pas sulmit të mbrëmshëm me zolë, shefat e magazinave me zola dhe shërbëtorët e tyre nga LDK prapë përpiqen të shesin mjegull, madje duke thënë se parlamenti qenka tempull i demokracisë. Kjo përbërje e shumicës së parlamentit është turpi i Kosovës, është varri i demokracisë.