Rrëfimi shqiptar për diktaturën

Rrëfimi për një diktaturë apo për një ideologji, pa marrë parasysh ngjyrat e saj, na vë në një pozitë të sikletshme, meqë përpos arsyes nuk e shmangim dot emocionin.




Kjo ngjet si në rrëfimin publicistik, po ashtu edhe në atë artistik e letrar, madje në këtë të fundit me nuanca më të theksuara. Këtë mirëfilli e potencon studiuesi amerikan, Michael Freeden, i cili thoshte se «të diskutuarit për ideologjinë na bën të themi, të kujtojmë e të japim përgjigje të fuqishme emocionale.»

Në diskursin letrar shqiptar një rrëfim i tillë e ka prodhuar tematikën e diktaturës, që është pothuajse më e pranishmja si në poezinë, po ashtu edhe në prozën shqipe në dekadën e fundit të shekullit XX dhe të parën në shekullin XXI. Të flasësh për romanin shqiptar të kësaj kohe, si zhanri më i madh i prozës sonë, medoemos hyn në këndin e ligjërimit për e rreth diktaturës e ideologjisë komuniste, me të cilën u përballë shoqëria shqiptare për gati gjysmë shekulli. Nëse e shohim nga ky këndvështrim, atëherë i japim vetes të drejtë të flasim për shkrimin në përgjithësi dhe romanin shqiptar në veçanti si shprehje e asaj që mendimtari italian, Gianni Vatimo, e cilësonte si «kujtesë kulturore», kur diskursi, qoftë ai artistik apo intelektual, e reprezenton të kaluarën. Atëherë shtrohet pyetja se sa mund ta shpërfaqin të djeshmen romanet, që ndërtohen si projekte fiksionale? Një pyetje e përsëritur qindra herë kur i marrim dhe i analizojmë romanet përtej aspektit të tyre artistik e stilistik, përtej strukturës së tyre të brendshme. Ndaj bindjen se analizimi i romaneve shqiptare që e kanë këtë tematikë është gati-gati i pamundshëm nëse nuk dalim përtej kësaj strukture, meqë narracioni mbi ideologjitë dashtë e padashur na detyron që ta ndërtojmë një diskurs interpretimi për e rreth ideologjisë. Është e vështirë të komunikohet ta zëmë me romanin e Kadaresë «Pallati i ëndrrave» pa e pasur parasysh Sigurimin e shtetit komunist shqiptar. Jo që nuk mund të analizohet ky roman edhe pa e pas parasysh këtë, por zbërthimi i alegorisë për mendimin tim nuk mund t’i arrijë caqet e kërkuara. Apo romanin «Një dashuri dhe shtatë faje» të Rexhep Qosjes pa e pasur idenë e diferencimeve ideologjike të intelektualëve shqiptarë të Kosovës, të bëra nga shteti komunist jugosllav pas demonstratave të vitit 1981. Prapë jemi të kujtesa kulturore, dhe këtu sërish na ndihmon Vatimo, i cili teorisë rreth efektit të shkrimit për e rreth dogmës ia shton edhe përkufizimin se ky «shkrim mund të jetë njëkohësisht personal dhe njëkohësisht i angazhuar». Dhe sërish mund të shtrohet pyetja se si një tekst, në rastin tonë një roman, mund të jetë njëkohësisht personal e njëkohësisht i angazhuar? Kësaj i përgjigjemi nëse i marrim dhe ua analizojmë dimensionin emocional e subjektiv në raport me atë objektiv në romanet shqiptare të kësaj natyre. Ta zëmë nëse për shembull i lexojmë në këtë mënyrë «Ferrin e çarë» të Visar Zhitit dhe «Përtej grilave» të Emin Kabashit, që natyrshëm janë diskurse personale, marrë parasysh edhe biografinë e autorëve, gjë që i bën romane me elemente autobiografike. Por, edhe janë të angazhuara njëkohësisht, meqë përmes tyre na shpërfaqet një realitet i përjetuar në burgjet e shtetit komunist shqiptar dhe në atë komunist jugosllav, në rastin e romanit të dytë. Kur jemi te realiteti objektiv i shënjuar përmes diskursit fiksional, që gjithsesi se është mënyrë subjektive e nënvizimit të këtij realiteti, atëherë nuk kemi se si të mos i referohemi konceptit të Jonathan Cullerit, të cilësuar nga ai si «kontrata narrative», që nënkupton njëlloj marrëveshjeje mes marrësit dhe dhënësit të një rrëfimi lidhur me efektin që mund ta ketë te ky i fundit te narracioni letrar. Ky koncept është doemos i ndërlidhur me teorinë e Michael Riffaterre për, siç e quan ai, «vërtetësinë fiksionale», sipas të cilit «në fiksion, roman, ndodh një transformim retorik i diskursit, që përmes principeve të veçanta i bën me dije lexuesit se është duke u ndërtuar një botë në vete». Koncepte e teori mjaftë të rëndësishme të interpretimit, të cilat duke insistuar në lexime imanente e zbehin paksa dimensionin e ndikueshmërisë së romaneve shqiptare me temë diktaturën në kujtesën tonë kulturore. Por, ja që zbërthimin më të hollësishëm të diskurseve letrare për e rreth diktaturës apo ideologjisë në mënyrë të vetëdijshëm na imponohet që ta kërkojmë atë që mund ta definojmë si vërtetësi përtej fiksionit.

Po të dilnim pak nga fusha e interpretimit të relacionit në mes të fiksionit narrativ dhe realitetit objektiv, të shpërfaqur në romanet shqiptare me temë diktaturën dhe ta preknim pak çështjen e personazhit dhe të karakterit në këto rrëfime do të zhbironim një larushi profilesh, që herë janë të njëjta e herë të dallueshme me njëri-tjetrin. Studiuesi amerikan, Gregory Currie, flet për tipin e «karakterit si përcaktues vital të ndodhive në një rrëfim dhe si një profil reprezentativ të rrëfimit letrar», kështu që një profil të tillë karakteri e hasim edhe te romanet tona të kësaj tematike. Po të shihnim në një llupë krahasimtare gjashtë personazhe të romaneve të ndryshëm të autorëve të ndryshëm do t’i vërenim qartazi mënyrat e zhvillimeve të tyre dhe impaktit që ata kanë mbi rrëfimin letrar që ndërtohet për ta e mbi ta. Thesar Lumi i Fatos Kongolit, Mark Alemi e Lul Mazreku të Kadaresë, Çerem Çapari i Rexhep Qosjes te romani «Një dashuri dhe shtatë faje», Gjergj Elez Alia i Ridvan Dibrës dhe personazhi-narrator A.A. i Bashkim Shehut te romani «Rrethi» janë ndër profilet më karakteristike të romanit shqiptar të kësaj natyre të shkruar në mes të viteve 1990-2010.

Këtu natyrshëm lind kureshtja e lexuesit që e ka në gjak hapjen e çështjeve për ta ditur se, meqë këta mund të cilësohen si personazhe ndër më të skaliturat e romanit të sipërpërmendur, a janë profile personazhesh që më shumë evokojnë të kaluarën e afërt dhe pasojat e sistemit totalitar mbi qenien njerëzore dhe individin që herë nuk di e herë nuk do të bëhet pjesë e një mendësie të përgjithshme apo janë personazhe që në mënyrë graduale e sfidojnë sistemin në fjalë.

Mark Alemi, kryeprotagonisti i romanit «Pallati i ëndrrave», është prototip i një karakteri që mund ta cilësojmë si hero të groteskut, meqë ai në asnjë rast nuk e ka të qartë arsyen pse drejtuesit e sistemit sillen në atë mënyrë me të, pse e gradojnë kur ia vrasin dhe dhunojnë të afërmit e tij. Atëherë a është Mark Alemi shënjues i praktikës totalitare, shënjues se si regjimet e dhunshme veprojnë me e mbi individët e caktuar. Filozofi Isaih Berlin lidhur me praktikat e shteteve totalitare thoshte se ato «konsistojnë në formimin e individëve që nuk janë në gjendje për t’u marrë me aso pyetjesh që do ta rrezikonin qëndrueshmërinë e sistemit.» Protagonisti i «Pallatit të ëndrrave» nuk bën dhe nuk guxon të shtrojë pyetje as kur i vritet i ungji, nuk shqetësohet dhe nuk guxon ta bëjë një veprim të tillë, sa që të duket se mbi të e për të veprojnë të tjerët, mekanizmi i shtetit totalitar. Siç shton Berlin «çdo pyetje shqetësuese në shtetet totalitare konsiderohej si çrregullim harmonie, e në të shumtën e rasteve si çrregullim psikik i parashtruesit, që ishte akt i dënueshëm jo vetëm për individin, por edhe për rrethin e tij». Mark Alemi jeton në atmosferën e frikës, brenda një atmosfere të terrorit të përditshëm e të vazhdueshëm, dhe duke qenë brenda pallatit të regjimit e ka të pamundur sfidimin. Krejt ndryshe është karakteri i Lul Mazrekut, i po të njëjtit autor, në romanin që për titull ka emrin e tij «Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut». Ai nuk e bën as më të voglën përpjekje që të pajtohet me pamundësinë e tij, por mospajtimin dhe sfidimin e sistemit totalitar komunist, e bën duke tentuar që të arratiset nga shteti shqiptar, parajsa e kuqe e të cilit nuk i ofronte asgjë, madje ia shuante edhe synimet jetësore për ta ndërtuar një jetë e një karrierë normale. Duke mos qenë pjesë e «pallatit» e as i përkëdheluri i nomenklaturës, Lul Mazreku çdo veprim të tij e mendon mbi bazën e përpjekjeve të tij për arratisje nga shteti, si e vetmja mënyrë e individit për ta bërë kundërshtarin e regjimit totalitar enverist. Nisur nga analiza e këtyre dy personazheve të romaneve të Kadaresë edhe mund ta shtrojmë hamendësimin tonë se a mos autori si mesazh ka dashur të na thotë se e vetmja mënyrë e sfidimit të regjimit diktatorial shqiptar ishte arratisja, ikja nga atdheu i kapur në të gjitha segmentet e tij.

Thesar Lumi i romanit «I humburi» i Fatos Kongoli, përfaqëson profilin e një karakteri të ndërtuar në bazë të modelit të absurdit, qenësimi i të cilit sillet rreth tehut të së vetëdijshmes dhe të së pamundshmes, të cilat përballen mes vete që nga fillimi e deri në përfundim të rrëfimit. Ai e ndjen veten të humbur, njashtu sikurse titulli i romanit, meqë është i vetëdijshëm për kalbësinë e sistemit, por nuk mund të bëjë gjë, nuk mund të veprojë sikurse Lul Mazreku, megjithëse për dallim prej Mark Alemit atij i shfaqen dilemat dhe dyshimet rreth sistemit.

Çerem Çapari i romanit «Një dashuri dhe shtatë faje» të Rexhep Qosja përballet me një sistem totalitar, ngjyrat e të cilit janë të ngjashme me atë me të cilin përballen karakteret e lartcekur, por veprimet i ka të ndryshme. Ky sistem ia imponon individit që të diferencohet nga njerëzit e tij, në mënyrë që të jetë në vijë të kornizave të tij ideologjike. Çerem Çapari përpos që e gjykon dhe kritikon sistemin, ai i gjykon edhe disa nga bashkëkohësit e tij, që herë të shtyrë e herë me vetëdëshirë i kishin pranuar rregullat e lojës, të imponuara nga regjimi. Kryeprotagonisti i këtij romani të Qosjes, për dallim prej personazheve të lartpërmendura që siç duket antagonistin e madh e kanë regjimin, ai për të kundërtin e tij, përpos regjimit, e ka edhe funksionarin e tij, besnikun e sistemit totalitar, Sylejman Akjanin. Atëherë hapet çështja se a mos mesazhi i Qosjes është se mundimet mbi individin nuk i shkaktoi vetëm regjimi si totalitet, por edhe njerëzit që verbërisht i shërbyen atij, madje këta të fundit ishin edhe katalizator të së keqes. Për shkak të strukturës fragmentare, diskursit eruditiv që e ka ky roman, Çerem Çapari nuk e ka atë impaktin brenda romanit çfarë e kanë personazhet e romaneve të lartpërmendur, në kuptimin që jo i gjithë rrëfimi sillet rreth tij.

Antagonistin e fuqishëm e ka edhe personazhi Gjergj Elez Alia i diptikut romansor të Ridvan Dibrës, të titulluar «Triumfi i Gjergj Elez Alisë» dhe «Triumfi i dytë i Gjergj Alisë». Gjergji i rimarrë nga diskursi ynë folklorik në tekstin e autorit del tërësisht i deheroizuar, veçori kjo e ironisë dhe parodisë në letërsinë bashkëkohore. Balozi në këto romane është i identifikueshëm me diktatorin. Lexuesi i rëndomtë do ta priste një ballafaqim fizik të Gjergjit me Balozin, sikurse në arketipin epik, por ai përpos urrejtjes dhe shpërfilljes ndaj tij nuk bën gjë tjetër. Me këtë rast do të hapnim çështjen se a mos autori na ka lënë si mesazh se e vetmja mënyrë e sfidimit të diktaturës dhe diktatorit shqiptar ka qenë shpërfillja.

Personazhi A.A. i romanit «Rrethi» të Bashkim Shehut është njëkohësisht edhe narrator i shumë pjesëve të romanit, meqë ky krijim karakterizohet me shumësi narratorësh. A. A. shënjon profilin e karakterit të penduar me veprimet e bëra në vitet e para të post-diktaturës, që si mesazh vjen si zgjatim i epokës totalitare, meqë shumë segmente e përfaqësues të regjimit të kaluar gjallojnë për mrekulli dhe udhëheqin me sistemin e tranzicionit, sa që duket se vetëm i kanë ndryshuar ngjyrat, por jo edhe veprimet. Këtu del edhe porosia e këtij narracionit ecejaket politike e sociokulturore në Shqipëri janë zhvilluar në një rreth, nga i cili vështirë se do të mund të dilet. Porosia mund të interpretohet mirëfilli me mendimin e filozofes me prejardhje hebraike, Hannah Arendt, e cila lidhur me këtë do të thoshte «lëvizjet totalitare kurdo dhe kudo mund të krijojnë shtete totalitare, atyre u duhen vetëm masa që kanë oreks për organizim politik dhe për mbikëqyrjen e çdo segmenti shoqëror». Pra, nëse lejon shoqëria, diktaturat mund të ndodhin në mënyrë ciklike, rrethore, pa marrë parasysh ngjyrat apo kohët.

Është për t’u vënë re se shumë romane të shkruara në vitet 1990-2010, sidomos ata të shkruar e të botuara brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë, kanë për temë diktaturën dhe pasojat e saj mbi individin. Thuajse çdo autor e ka një ose dy vepra që merren me këtë tematikë. Në disa sosh vërehet një linjë uniforme e motiveve dhe tipizimet të karaktereve dhe një sforcim të diskursit antitotalitar. Se a do të merren edhe më tutje romancierët shqiptarë me këtë temë kjo mbetet të shihet. Siç do të thoshte Harold Blumi «askush nuk mund ta profetizojë të ardhmen e romanit», kështu që edhe ne nuk mund ta dimë se ç’do të ndodh nesër.

*Autori është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ky shkrim është lexuar në konferencën shkencore «Java e Albanologjisë», të organizuar nga IAP-i