Rrëfimi për pinguinin

Foto: Shutterstock



Kjo ngjarje me të vërtetë më ka bërë vaki. Më patën angazhuar si moderator në një anije kryqëzore. Në raste të tilla çdokush mund të mendojë: «Njeri, kjo është fantastike! Luks!» Edhe unë ashtu mendova. Deri kur hipa në anije. Sa i përket publikut unë isha në vaporin e gabueshëm. Mysafirët në bord sigurisht kishin sens për humor, por unë nuk arrita ta zbuloj atë për dy javë rresht. Edhe më keq: naupatia (sëmundje që shkaktohet nga trazimi prej detit, v.j.) nuk ka respekt për ty edhe nëse ke licencën e mjekut. Që t’i bie shkurt: në anijen kryqëzore unë isha kryq e tërthor i palumtur.

Më në fund! Pas tri ditësh mbi det shkela tokën. «Ky është luks i vërtetë!» Shkova në një kopsht zoologjik norvegjez. Dhe atje pashë një pinguin që po rrinte në shkëmbin e tij. Ndjeva dhembje për të: «A duhet edhe ti të bartësh smoking? Ku e ke belin? Para së gjithash: ku i ke gjunjët, i ka harruar zoti?» Gjykimi im ishte i qartë: konstruksion i gabuar.

Pastaj përmes xhamit shikova pishinën e pinguinëve. Befas pinguini «im» u hodh në ujë, notoi fare afër fytyrës sime. Kushdo që i ka parë pinguinët në ujë, nuk mendon për asgjë. Ai ishte në elementin e tij! Pinguini është dhjetë herë më aerodinamik se Porscheja! Me një litër benzinë pinguini do të kalonte 2500 kilometra! Pinguinët janë notues të shkëlqyeshëm, gjahtarë, valltarë në ujë! Ndërsa unë mendoja: «Konstruksion i gabuar!»

Ky takim më mësoi dy gjëra. E para: sa shpejt gjykoj dhe si mund t’ia huq pafund. Së dyti: sa i rëndësishëm është rrethi për të funksionuar ajo që je i aftë ta bësh.

Të gjithë ne kemi shkathtësitë tona, kemi dhe dobësitë tona. Shumë prej nesh përpiqen gjatë gjithë jetës t’i përmirësojnë mangësitë e veta. Nëse i përmirëson dobësitë e tua, më së shumti do të jesh mesatar. Nëse i forcon shkathtësitë e tua, do të bëhesh i pashoq. Dhe kush nuk është si të tjerët mund ta ngushëllojmë: të tillë si të tjerët ka mjaft! Shpesh më pyesin përse e kam lënë spitalin dhe jam ngjitur në skenë. Shkathtësia dhe mangësia ime është kreativiteti. Kjo domethënë: të mos bëj gjithçka sipas planit, të improvizojë, vazhdimisht t’i lidh gjërat me njëra-tjetrën nga fillimi dhe papritur. Në spital kjo është vështirë të bëhet. Dhe më pëlqen të formulojë lirshëm, të vjershërojë, të loz me gjuhën. Këtë vështirë mund ta bësh kur shkruan raporte mjekësore dhe receta. Në skenë unë e shfrytëzoj shumë më tepër atë çfarë jam, çfarë di, çfarë mundem dhe çfarë mund të jap. Më pëlqen më shumë dhe të tjerët gëzohen më shumë bashkë me mua. Kur performoj drejtpërdrejtë, jam në element, në rrjedha!

Njerëzit rrallëherë ndryshojnë tërësisht dhe në mënyrë thelbësore. Nëse ke lindur pinguin, edhe shtatë vjet fizioterapi nuk të bëjnë gjirafë. Atëherë mos ngurro: edhe si pinguin mos qëndro në stepë. Ec me hapa të vegjël dhe gjeje ujin. Pastaj: hidhu! Dhe noto! Atëherë do ta kuptosh se si është kur je në elementin tënd.

Dr. Eckart von Hirschhausen është mjek dhe humorist gjerman.

Nga gjermanishtja: Enver ROBELLI