Rrëfimi i spiunit shqiptar të CIA-s në ISIS

Blerim Skoro, nga Kosova, pretendon se i ka shërbyer shërbimeve sekrete amerikane në luftën e «Shtetit Islamik», por tani rrezikon të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të shkeljeve ligjore

Foto: argus / Shutterstock.com

Ishte një prej të premteve mbrëma në muajin shkurt kur në hyrje të metros së «Barclays Center» në Brooklyn ishte arrestuar një burrë për përdorim të kartelës së abonuar studentore – që më vonë do të merrej vesh se kartela e metrosë ishte e së bijës.

Ai më vonë do të rrëfente si ky gabim katastrofal do të bëhej shkas për pasoja absurde: Burri, Blerim Skoro, shtetas i Kosovës, tani ëhstë prapa grilave dhe përballet me dëbim të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por zoti Skoro nuk ishte futur në sherre të pafundme veç për shkak të tiketës së huaj.

«Po punoja për qeverinë e Shteteve të Bashkuara», i kishte deklaruar një zyrtari amerikan të azilit në muajin maj, duke shpjeguar jetën e dikurshme përtej oqeaneve dhe pse ka treguar arsyet për të cilat tani frikësohet të riatdhesohet në Kosovë, thuhet në transkriptin e dosjes së tij. «Më trajnuan në Washington. Isha spiun».

Dikur shtetas i Jugosllavisë së shkatërruar, zoti Skoro (45) duket se ka bërë jetë të jashtëzakonshme, mbase edhe të fshehur, që nisi prej arrestimit më 2000 pas ngritjes së akuzave në nivel federal për drogë; nisi të bashkëpunonte me prokurorët në rastin e tij dhe të tjerëve, u shpall fajtor dhe u dënua me shtatë vjet burgim.

Pas 11 shtatorit, 2001, thotë se ishte bërë pjesë e inteligjencës amerikane duke shërbyer si informator nga burgu për Zyrën Federale të Hetimeve (FBI), duke ofruar informacione për të burgosurit e tjerë që kishin lidhje me terroristët. Pas vuajtjes së dënimit, më 2007 ishte deportuar, thekson zoti Skoro, por ishte pajtuar që të punonte për qeverinë amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.

Ai thekson se kishte vepruar si operues dhe se ishte përzier me anëtarë të «Al-Qaedas» në Ballkan, duke ofruar tinëz të dhëna për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për komplote dhe njerëzit që qëndronin prapa tyre.

Pasi CIA kishte prerë të gjitha lidhjet me të më 2010, thekson ai, ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara nëprmjet Kanadasë – ilegalisht, e pranon vetë ai – dhe vjet me ndihmën e një avokati ishte takuar ndaras me zyrtarë të FBI-së dhe të kundërterrorizmit në Departamentin Njujorkez të Policisë, duke u munduar pa sukses të ofronte ndihmë klandestine në luftën kundër «Shtetit Islamik».

Rrëfimet e spiunëve, prej vetë natyrës së tyre janë të paverifikueshme dhe zyrtarët qeveritarë nuk janë fort të gatshëm të flasin e komentojnë raste të tilla. Në të vërtetë, një zëdhënës i FBI-së kur është pyetur për rastin e zotit Skoro, ka thënë se nuk mund t’i «konfirmojë a mohojë» pjesët e rrëfimit të zotit Skoro. Departamenti Policor, CIA dhe zyra e kryeprokurorit amerikan në Brooklyn ka refuzuar kërkesën për koment.

Zoti Skoro, gjatë intervistave të shumta që kanë zgjatur për orë të tëra në burgun e Bergen Countyt në pjesën veriore të New Jerseyt dhe në intervista telefonike, ka treguar se ka njohuri të thella për njerëzit, vendet dhe faktet e caktuara, duke deklaruar se të dhënat e tij mund të konfirmohen edhe me videoxhirime, fotografi dhe kopje të teksteve që u janë dorëzuar avokatëve të tij.

Zoti Skoro, gruaja dhe tre fëmijët e të cilit kanë shtetësi amerikane dhe që jetojnë në qytetin njujorkez, ka theksuar se ka ende shumëçka për t’u treguar autoriteteve amerikane. «Kam pasur punë me terroristët më të pashpirt dhe më të rrezikshëm në Ballkan dhe Lindje të Mesme», thekson ai.

Zoti Skoro, besimtar i devotshëm mysliman, ka thënë se njerëzit e tjerë të sojit të tij do të duhej të ndihmonin në luftën kundër ISIS-it. Por ai sugjeron se burgosja e tij përçon mesazh të kundërt.

Ai ka theksuar se myslimanët do të pyesin: «Si mund t’i besojmë qeverisë tonë kur i burgosni spiunët?»

Zoti Skoro kishte shkelur për herë të parë më 1994 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 2000 ai kishte nisur të bashkëpunonte me qeverinë pas rastit të kapjes me drogë. Ai po transportonte së paku 14 kilogramë heroinë dhe kokainë, dhe kishte shpëlarë 670 mijë dollarë amerikanë në pazare droge, ka shkruar gjykatësi në verdiktin e tij.

Prokurorët kishin kërkuar që gjykata të tregohej e butë me të, duke cituar ndihmën dhe theksuar se kishte informacione të rëndësishme që ia kishte ofruar shërbimeve sekrete për trafikantët e drogës në komunitetin shqiptar të qytetit.

Zoti Skoro ka theksuar se FBI-ja i kishte premtuar se do ta lejonte të qëndronte në SHBA pas vuajtjes së dënimit me burg dhe se do të shërbente si informator prapa grilave. Por pasi i ishte bërë e ditur më 2007 se do të riatdhesohej, ka thënë se kishte lënë prapa vetes hidhërimin dhe ishte pajtuar të bashkëpunonte me agjencinë në misione jashtë vendit.

Ishte trajnuar në një shtëpi të sigurt në Maqedoni, dhe ishte ngarkuar me detyra në Pakistan, Ballkan, Siri dhe vende të tjera, ka thënë ai, duke u shtirë si xhihadist që ishte radikalizuar në burg. «Askush nuk kishte asnjë fije dyshimi në mua», ka theksuar ai. «Isha i regjur në këtë punë».

Zoti Skoro ka treguar se në Egjipt ishte shoqëruar shumë me Betim Kaziun, një burrë që më vonë do t’i thoshte se kishte plane për të sulmuar trupat amerikane të vendosura në Kosovë, dhe se madje kishte xhiruar një video për martirizimin. Zoti Skoro thotë se e informoi për këtë rast CIA-n dhe zoti Kaziu ishte arrestuar më vonë për t’u gjykuar e dënuar në Brooklyn me 27 vjet burgim.

Zoti Skoro thekson se më 2010 ishte qëlluar dhe plagosur rrugës drejt një qendre të CIA-s në Maqedoni. Ia kishte dalë të arratisej, por CIA i kishte prerë lidhjet me të, duke ia paguar mundin në vlerë prej 35 mijë deri në 40 mijë dollarë amerikanë.

Vitin tjetër, teksa po kërkonte azil në Kanada, zoti Skoro ishte intervistuar prej gazetarit Vincent Larouche për portalin «Rue Frontenac». Shkrimi me titullin «I arratisur me një mijë sekrete» i referohej atij me nofkën Abu. Rrëfimi i zoti Skoro aty konsiderohej «bindës», por theksohej se pjesa më e madhe e rrëfimit nuk mund të verifikohej.

Aspekte të rrëfimit të tij kishin dalë në publik edhe më 2015 në një vendim gjykate në Kanada, lidhur me kërkesën e tij për azil, ku kishte përdorur emrin e tanishëm, dhe citohej pretendimi i tij se ishte spiun i CIA-s, i infiltruar në celulat terroriste islamike.

Stephane Handfield, avokat nga Montreale që kishte mbrojtur zotin Skoro në Kanada, ka thënë se kërkesa e tij për azil ishte hedhur poshtë më 2013, dhe kërkesa tjetër drejtuar gjykatës federale për apelim të vendimit ishte hedhur poshtë më 2015. Por zoti Skoro tashmë kishte hyrë ilegalisht në nëntor 2014 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në qytetin njujorkez, ai kishte kontaktuar shumë avokatë, që së fundi i kanë thënë se u dukej i besueshëm rrëfimi i tij. Një prej tyre, Rene Kathavala, që i prin një firme avokatësh që përfiton prej dëmshpërblimit eventual të klentit, ka thënë se komapnia «Herrington and Sutcliff» do të bëjë çmos për ta ndihmuar zotin Skoro, dhe avokatin Irwin Berowitz në rastin e deportimit.

Berowitz ka theksuar se zyrtari i azilit, që së fundi e ka intervistuar zotin Skoro, e merrte të besueshëm rrëfimin dhe kishte shprehur «drojën e arsyeshme të përndjekjes» ligjore nëse do të riatdhesohej në Kosovë. Këto pretendime kanë mundësuar që rasti të përfundojë në tavolinën e punës së një gjykatësi të imigracionit për procese të tjera gjyqësore.

Zoti Skoro ishte referuar edhe te Joshua Dratel, avokat që ka hartuar praktikën e sigurisë kombëtare. Zoti Skoro ka kontaktuar me të në prill 2015, me qëllim që të ofrimit të «ndihmës sekrete proaktive forcave të sundimit të rendit» në lidhje me ISIS-in, ka deklaruar zoti Dratel në një përgjigje me shkrim dorëzuar rastit të zyrës së imigracionit.

Zoti Skoro në fillim i kishte thënë zotit Dratel se do të pranonte një thirrje nga një zyrtar amerikan, që do t’i referohej zotit Skoro me emër të koduar, thuhet në deklaratë. Zoti Dratel ka konfirmuar se e ka pranuar këtë thirrje telefonike. Telefonuesi kishte kërkuar të merrte vesh nëse zoti Skoro ishte jashtë vendit, me qëllim që të mund ta «përdorte atë». Por nëse ai ishte në Shtetet e Bashkuara, atëherë ishte «jashtë mundësive» të tij, kishte deklaruar telefonuesi.

Kur zoti Dratel kishte thënë se zoti Skoro ishte në Shtetet e Bashkuara, telefonuesi ia tregoi zotit Dratel emrin dhe numrin e një zyrtari të lartë të kundërterrorizmit të FBI-së në kryeqytetin amerikan.

Zotit Dratel ka deklaruar se në qershor 2015, zoti Skoro u takua eventualisht në zyrën e tij me agjentë të FBI-së; njëri agjent, kujton zoti Dratel, kishte thënë se CIA ia kishte konfirmuar zyrës së imigracionit se zoti Skoro kishte pasur lidhje dikur me agjencinë e inteligjencës.

Zoti Dratel kishte aranzhuar në nëntor një takim të zotit Skoro me zyrtarët e policisë njujorkeze, përfshirë John J. Millerin, zëvendëskomisar për inteligjencë dhe kundërterrorizëm. Por zyra dhe policia papritmas kishin refuzuar ta angazhonin zotin Skoro.

Një zyrtar i lartë qeveritar ka deklaruar se zyrtarët që u takuan me zotin Skoro kishin vënë në dyshim besueshmërinë e tij. Zyrtari ka refuzuar të identifikohej për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për rastin.

Jack Cloonan, agjent i pensionuar i kundërterrorizmit i FBI-së që ishte përfshirë në hetimin e «Al-Qaedas» në vitet nëntëdhjetë, ka theksuar se kurrë nuk kishte dëgjuar për zotin Skoro dhe nuk kishte ide nëse pretendimet i kishte autentike. Por ka thënë se rasti vë në pah se sa e rëndësishme ishte për qeverinë të kishte njerëz që ishin myslimanë dhe operacionalë, që do të mund të kryenin detyra për nevojat e inteligjencës amerikane.

Zoti Cloonan ka pandehur se zoti Skoro mund të konsiderohet i padobishëm prej autoriteteve për shkak të identitetit të zbuluar në Kanada, ose për shkak se ishin shtruar dilema për besueshmërinë e tij. Por zoti Cloonan ka theksuar se e kupton gjithashtu që zyrtarët ishin të interesuar të takoheshin me të.

«Ka shenja të qarta se të gjithë po hahen», thekson zoti Cloonan. «Të gjithë po mundohen të marrin informata, sepse nuk e dimë nëse do të ketë edhe një sulm tjetër në vendin tonë».

Pas hyrjes së dytë ilegale të zotit Skoro në muajin mars, e kishin arrestuar pasi prokurorët federalë në Brooklyn argumentonin se mund të arratisej.

Por më 23 mars, një ditë pas sulmeve vdekjeprurëse të ISIS-it në Bruksel, një prokuror e telefonoi zotin Dratel dhe i tha se tani qeveria ishte e interesuar ta takonte zotin Skoro për të vendosur nëse mund të ndihmonte.

Zoti Dratel ka thënë se është takuar i vetëm me prokurorët, duke theksuar fort atë çfarë dinte klienti i tij dhe duke ua ofruar kopjet e «screen shots» të disa teksteve të mesazheve ndërmjet zotit Skoro dhe një operuesi të rëndësishëm të ISIS-it në Siri. Dy ditë më vonë, qeveria, pa kurrfarë shpjegimi, tërhoqi akuzën për rihyrje ilegale të zotit Skoro në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokurorët nuk u takuan drejtpërdrejt me zotin Skoro, ka treguar zoti Dratel.

(«New York Times»)