Rrapëllima shqiptare kundër Erdoanit

Një gazetar shqiptar e pyeti presidentin turk nëse ekziston «mundësia apo rreziku» i «krijimit të Shqipërisë së Madhe». Erdoan u përgjigj si çdo politikan perëndimor nga Washingtoni në Berlin. Megjithatë, nëpër media e moçale sociale ai po përshkruhet si armik i shqiptarëve. A ka fund kjo marrëzi?

Rexhep Taip Erdoan. Ilustrimi: Shutterstock



Gazetari i «Top Channel» Sokol Balla ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdoan. Shumë gazetarë perëndimorë do të dëshironin të kishin një shans të tillë. Pa marrë parasysh se çfarë mendojnë mediat mbi pushtetin e Erdoanit, i cili padyshim është autokratik, presidenti turk drejton një vend me rëndësi të madhe gjeostrategjike, andaj mbetet bashkëbisedues i pashmangshëm i Washingtonit, Brukselit, Berlinit, Londrës, Parisit dhe shumë kryeqyteteve të tjera.

Në përgjithësi përgjigjet e presidentit Erdoan në këtë intervistë janë të moderuara. Me përjashtim të kërcënimeve të rëndomta kundër lëvizjes Gülen dhe degëve të saj në Shqipëri, Erdoan nuk bëri ndonjë provokim sa i përket historisë 500-vjeçare të sundimit osman në Ballkan. Nuk tha se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, nuk e përmendi Skënderbeun (as për të mirë, as për të keq), nuk kërkoi ndryshimin («korrigjimin») e historisë, së paku jo në këtë intervistë. Gjatë bisedës ai nuk e përmendi fare termin «Shqipëri e Madhe». Ishte gazetari Sokol Balla që nga pakujdesia apo mosdija foli për «Shqipërinë e Madhe», një term i lansuar nga propaganda serbe. Shqiptarët zakonisht flasin për vise të banuara me shqiptarë në Ballkan ose për Shqipëri etnike.

Kjo ishte pyetja e Ballës: «Kryeministri Edi Rama, miku juaj ka deklaruar se refuzimi i vendeve të BE ndaj integrimit të Shqipërisë do të bëjë që forca të tjera të ndikojnë dhe gjejnë zgjidhje të tjera, apo ndoshta të detyrojnë shqiptarët të bashkohen kudo që janë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në krijimin e një Shqipërie të madhe. Mendoni se ekziston kjo mundësi, perspektiva apo rreziku i diçkaje të tillë?»

Të lexojmë tani përgjigjen e Erdoanit: «Nuk është ajo që do të donim të mendonim. Çdo vend duhet të konsiderohet në kushtet e tij gjeografike. (…) Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të respektohet njëherë e përgjithmonë. Këtë mbrojmë ne dhe kështu duhet të jetë. Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, apo Serbia s’ka rëndësi emri, për asnjë nuk duhet të luhen më këto lojëra. Të gjitha këto vende duhet të ruajnë integritetin territorial». Pa e përmendur Rusinë shprehimisht, por me gjasë duke aluduar në këtë shtet, Erdoani tha: «Ekzistojnë ata që po bëjnë llogari të tilla me Ballkanin dhe ne nuk do t’i lejojmë ata që të arrijnë synimet e tyre».

Çfarë ndodhi pas kësaj interviste? Në mediat dhe moçalet sociale të dynjasë shqiptare, aty ku s’ka redaktorë për t’i filtruar marrëzitë, mileti iliro-pellazg e quajti Erdoanin kundërshtar të bashkimit të shqiptarëve, armik të shqiptarëve e çka jo tjetër. Por, Erdoan nuk bëri asnjë mëkat kur u përgjigj në pyetjen mbi të ashtuquajturën «Shqipëri e Madhe». Njëjtë si Erdoani për çdo ditë flasin diplomatë amerikanë, ministra të punëve të Jashtme të vendeve europiane, burokratë të Brukselit. Ata nuk i kundërshton askush, as nuk i fyen. Parlamenti i Kosovës, pra të zgjedhurit tanë, kanë miratuar një Kushtetutë, e cila ia ndalon Kosovës bashkimin me çdo shtet tjetër. Përse kjo nervozë tani me Erdoanin? Përse heronjtë dhe heroinat e Facebookut nuk patën protestuar kur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 27 gusht 2010 deklaroi: «Pavarësia e Kosovës e ka përmbyllur kapitullin e vendosjes së kufijve dhe copëtimeve në territorin e ish-Jugosllavisë. Harta e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar përfundimisht. Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë fakte». Pothuaj të njëjtat fjalë Westerwelle i kishte thënë më parë në Beograd, para atyre politikanëve serbë që me zjarr e vrull retorik e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i qartë, harta e shteteve pasardhëse të ish-Jugosllavisë është përcaktuar.

Nëse gjermani është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, atëherë kjo pranohet si këshillë miqësore. Nëse Erdoani thotë të njëjtën gjë, atëherë kjo na qenkësh një deklaratë dashakeqëse, madje armiqësore. Duket se kanë rënë në hall edhe turqit me popullin shqiptar, i cili ditën lavdërohet me gjithë ata vezirë, guvernatorë e prijës ushtarakë që ia dhuroi Perandorisë Osmane, ndërsa natën mallkon Perandorinë Osmane që e paskësh deformuar kodin gjenetik shqiptar. Ditën me krenari tregohet se si një dinasti osmane me origjinë shqiptare nisi modernizimin e Egjiptit, natën mileti supereuropian shqiptar ankohet se «turku i mallkuar» i bart të gjitha fajet që Shqipëria s’po bëhet shtet funksional qe 100 vjet, ndërsa kudo tjetër në Ballkan ku kanë pushtetin shqiptarët, punët nuk po ecin mirë. Me qejf kreshnikët e torishtave patriotike shqiptare tregojnë se si Sami Frashëri i bëri turqit komb kulturor me alfabet, me letërsi e me enciklopedi, ndërsa me po kaq këmbëngulje mallkojnë turqit, këta «ardhacakë nga stepat aziatike». Zemrat e patriotëve shqiptarë të moçaleve të Facebookut ngrohen, kur lexojnë se Eqrem Bej Vlora ishte një erudit që ndihej komod në sallonet e Vjenës dhe kishte të dashur një aristokrate gjermane, por pakkush dëshiron të dëgjojë se Eqrem Bej Vlora ishte edhe diplomat osman në Rusi dhe anëtar i delegacionit osman me rastin e hapjes së hekurudhës së Hexhazit në Siri në vitin 1904. Kjo vijë hekurudhore lidhte Damaskun me Amanin.

Si zyrtar i lartë osman Eqrem Bej Vlora e shfrytëzoi këtë qëndrim në Siri për të vizituar qytete të ndryshme në Siri, Liban, Jordani dhe Palestinë. Më 1905 ai vizitoi me një anije luftarake osmane Egjiptin, Akaban (Jordani), Hadramautin (Jemen), Muskatin (Oman) dhe Kuvajtin. Përmes Karaçit (Pakistan) ai u kthye në Stamboll, që atëbotë ishte qyteti me më së shumti shqiptarë në botë. Po të mos shkatërrohej Perandoria Osmane si pasojë e paaftësisë së sulltanëve për ta refomuar dhe modernizuar atë, shumë shqiptarëve as që do t’u binte ndërmend të ktheheshin në Shqipëri, përfshirë edhe Ismail Qemalin. Fundja, edhe Lidhja e Prizrenit kërkoi jo më shumë se autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane.

Çfarë të bëjmë përballë fakteve të historisë? Të çmendemi? Jo. Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë marrëdhënie të mira me Turqinë, pa nënshtrim, pa servilizëm, siç e praktikojnë shpesh liderët politikë shqiptarë, sepse për politika të mençura nuk janë të aftë. Se si është gjendja në Tiranë, edhe gjendja e diskursit publik, tregon ky fakt: gazetari Sokol Balla e pyeti Erdoanin se çfarë mendonte mbi ngatërresat mes Edi Ramës me origjinë nga krahina e Vunos dhe Ilir Metës nga treva e Skraparit. Padishahu tha se ishte shumë i shqetësuar. Vërtet, turqit (dhe jo vetëm turqit) kanë rënë në hall me këtë milet të lashtë me origjinë ilire, me këtë popull me gjene patriotike dhe me këtë racë të pastër ariane, që duhet ende të pyes në Stamboll përse po kacafyten bajraktarët tanë. Për marrëzitë shqiptare më së paku i ka fajet Erdoani. Fajtorët i keni në skenën politike shqiptare.

Që të jetë e qartë: çfarë bën Erdoani në Turqi me pushtetin e tij është më shumë se arbitraritet dhe kësisoj ai rrezikon ta çojë këtë vend drejt diktaturës. Ky nuk është modeli që duhet ta lakmojnë Prishtina, Shkupi e Tirana. E keqja e shoqërive shqiptare është se kemi jo pak politikanë që do të donin të merrnin yrnekun e sundimit në Stamboll dhe Ankara. Pozitive është se gjysma e elektoratit turk kundërshton autokracinë e Erdoanit dhe vitet në vijim do të tregojnë se sistemi i tij do të shembet nga brenda nëse vazhdon me këtë kurs.