Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët të diskriminuar në shërbimin civil

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë më të papërfaqësuarit në institucionet e Kosovës, si qendrore ashtu edhe lokale, shkruan sot Koha Ditore.




Neni 11 i Ligjit për Shërbimin Civil parasheh që 10 për qind e të punësuarve në këtë Shërbim të jenë nga komunitet pakicë, por, sipas statistikave të Ministrisë së Administratës Publike të vitit të kaluar, nga komunitetet pakicë janë vetëm 8.7. për qind.

Sipas këtyre statistikave, të mbipërfaqësuar janë komunitetet serb, boshnjak e turk, ndërkohë që të diskriminuar mbeten komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Zëvendësministri i Administratës Publike, Mustafë Myrtaj, në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni Parlamentar për të Drejta, Interesa të Komuniteteve dhe Kthim, lidhur me monitorimin e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Civil, ka thënë se neni 11 i këtij Ligji nuk është duke u zbatuar në masë të kënaqshme.

Sipas statistikave që ai i ka prezantuar, në shërbimin civil janë të punësuar gjithsej 16 mijë e 364, prej të cilëve 1 mijë e 439 persona nga komunitetet pakicë.