Romeo dhe Xhulieta ndihmojnë të shërohen vragat e luftës së Kosovës

Më shumë pesëmbëdhjetë vjet pas konfliktit të hidhur, vënia në skenë e një tragjedie të Shakespearet bashkon kosovarët dhe serbët për të nxitur pajtimin, shkruan gazeta e njohur britanike «The Guardian».




Të pakta janë vendet më prekëse për të vënë në skenë një dramë për të «dashuruarit që kalojnë yjet» se sa në ish-Jugosllavi, ku  guximshëm është në rrugë të rivihet në jetë «Romeo dhe Xhulieta» e Shakepseare në zonën më në trendi në Beograd, por të harruar të portit të Savamalas.

Me një kastë të zgjedhur për të reflektuar ndasitë e thella që mbesin në këtë pjesë të Ballkanit, Romeo dhe Montagues do të luhen prej shqiptarëve kosovarë, derisa Xhulieta dhe Kapuleti do të aktrohen prej serbëve. Produksioni shihet si mundësi për ta çuar përpara dialogun dhe pajtimin në rajon.

«Mendoj se kjo do të shënojë fundin e konfliktit Serbi-Kosovë në mënyrë simbolike», ka deklaruar Jeton Neziraj, dramaturg kosovar dhe një prej ko-producentëve të dramës. Premiera e shfaqjes tashmë është dhënë në teatrin Kombëtar Serb në Beograd, para se muajin e ardhshëm të zhvendoset në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Pas vitesh të tëra me tension dhe përgjakje, Kosova shpalli veten shtet të pavarur prej Serbisë më 2008. Megjithëse lufta e Kosovës përfundoi më 1999, armiqësia dhe vështirësitë politike nuk kishin të sosur, me Serbinë që refuzon ta njohë Kosovën dhe tensionet po vazhdojnë ende ndërmjet dy shteteve.

«Boshllëku ndërmjet këtyre shteteve është i thellë», ka theksuar Alban Ukaj, aktor shqiptar kosovar që luan Romeon, ulur në teshatore në njërin prej mëngjeseve para nisjes së provave.

Ukaj, 34-vjeç, ishte student në Prishtinë gjatë kohës së luftës dhe përjetoi bombardimet prej së afërmi, megjithëse tani jeton në Sarajevë. «Nisa të humbja bindjen se ky rrëfim ndonjëherë do të merrte fund, kështu që ishte e rëndësishme për mua që të nisnim diçka», ka thënë ai.

Shfaqja është prodhim i përbashkët i dy organizatave teatrore, «Radionica Integracija» me seli në Beograd dhe «Qendra Multimedia» me seli në Prishtinë, dhe pjesërisht ka për qëllim t’u dëshmojë serbëve dhe kosovarëve se mund të angazhohen për bashkëpunim, së paku në skenë.

«Ne po bëjmë një shfaqje dhe këtë po e bëjmë bashkërisht, kjo është deklarata jonë», ka theksuar Miki Manojloviq, regjisor i shfaqjes. «Është shumë më e thellë se sa ajo thënia: ‹E kam përnjëmend këtë›. Bëni diçka bashkë. Nëse ndonjëherë flasim për pajtim, mbetet vetëm në nivel llafesh».

Shfaqja do të luhet shqip dhe serbisht, varësisht se cili karakter flet, me skena që përfshijnë të dy familjet duke folur njëkohësisht në gjuhën e tyre. Në teatër nuk do të mundësi përkthimi me titra për shikuesit.

«Ka njerëz në Beograd që nuk flasin shqipen, por do ta marrin vesh», ka thënë Manojloviq. «Është e lehtë të kuptohet pse dikush e do dikë, ose pse dikush e urren dikë».

Kjo nuk është përpjekja e parë për të përdorur ngjarjet kulturore për të ndërtuar ura lidhëse për të kapërcyer boshllëkun ndërmjet dy shteteve. «Polip», festival letrar në Prishtinë, mbajtur së pari më 2010, në gjirin e vet ka shkrimtarë serbë në mesin e atyre që ftohen rregullisht të marrin pjesë.

Bashkëthemeluesi Sasha Iliqi, serb, thekson se themeloi «Polipin» për shkak se «e mora vesh se nuk kishte asnjë bashkëpunim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuptimin kulturor dhe dikush duhej ta bënte këtë punë».

Ai gjithashtu ishte përfshirë në dy libra të botuara më 2011: «Nga Beogradi me dashuri», antologji e letërsisë serbe përkthyer në gjuhën shqipe dhe botuar në Prishtinë, dhe «Nga Prishtina me dashuri», vëllim i letërsisë kosovare botuar serbisht në Beograd.

«Qëllimi është që një ditë ato të bëhen pjesë e kurrikulave shkollore», është shprehur ai. «Është si hedhja e një guri në det, me valë e valë», ka thënë Borka Paviçviq, drejtoreshë e Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd, teksa diskuton rëndësinë e teatrit dhe arteve në përafrimin e vendeve. Qendra ka organizuar më shumë se pesë mijë ngjarje që prej themelimit të saj në janar të vitit 1995, në kulmin e luftës së Bosnjës, shumë prej të cilave ishin të lidhur me adresimin ose nisjen e dialogut për çështje të pazgjidhura rajonale.

«Kemi njerëz që zemërohen fort për këtë çfarë po bëjmë, por kemi edhe njerëz që na mbështesin dhe thonë se pajtohen me atë çfarë po bëjmë», ka thënë ajo. «Shfaqja e re, ‹Romeo dhe Xhulieta›, gjithashtu nënkupton se do të ketë shumë diskutime».

Ukaj është i vëmendshëm për atë se si do të pranohet shfaqja prej audiencave lokale: «Tani për tani, vetëm dua të jap më të mirën për një produkt të mirë të ‹Romeo dhe Xhulietës›. Nuk e di se çfarë reagime do të ketë».

Një prej pikave të nxehta që janë prekur prej këtij produksioni është fakti se shumë prej aktorëve kanë përvojë personale të ndikimit të ndasive të thella ndërmjet «familjeve të armiqësuara».

Frati Lawrence luhet prej Uliks Fehmiut, aktor 46 vjeç që jeton në New York. Fehmiu është i biri i aktorit shqiptar, Bekim Fehmiu, dhe aktores serbe, Branka Petriq. Bekim Fehmiu ishte larguar më 1987 nga skena midis një performance në shenjë proteste ndaj fjalimeve therëse të Slobodan Milosheviqit, liderit serb që më vonë do të gjykohej për krime lufte. Fehmiu kurrë nuk aktroi e as nuk u shfaq në rol publik prej asaj shfaqjeje, dhe bëri vetëvrasje më 2010.

«Babai e ka vuajtur tmerrësisht këtë periudhë», ka thënë Fehmiu. «Urrejtja është diçka që është shumë e rrezikshme dhe shumë kontaminuese. Kam kaluar nëpër një fazë të njohjes së vetes dhe të gjeneratës time si viktima. Por ta shikosh veten si viktimë nuk ju ndihmon të çani përpara».

Ai ka shtuar: «Çfarë po ndodh këtu nuk duhet të jetë përjashtim, por një mënyrë normale e të menduarit. Kjo njëmend ka kuptim. Duhet të besosh, së paku në njëfarë mase, se kjo farë që po hedhim do të vazhdojë të rritet».

Kasta e  «Romeo dhe Xhulieta» është vendosur në Veronën e ditëve moderne, por haptazi kanalizon disa ndjenja që ende gjallojnë në rajon.

«Unë përnjëmend dua të rrëfej diçka për urrejtjen, për dashurinë, për çfarë soj komunikimi mund të bëjmë», thekson Anita Mançiq, serbe që luan karakterin e «Infermieres».

«Nëse jetoj me ty, pa çare duhet të flas me ty», ka shtuar ajo. «Ne rrojmë në një vend, e pse të mos flasim njëri me tjetrin? Ky është problemi. Po jetojmë në të kaluarën».

Por ka shenja se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë nisur të shkrihen. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar më 19 prill, 2013 një marrëveshje në Bruksel në përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka marrë pjesë së fundi në një konferencë në Prishtinë, duke u bërë zyrtari i parë që viziton qytetin si politikan prijatar serb prej përfundimit të konfliktit.

«Deri në vitin 2008 nuk ka pasur absolutisht kurrfarë përkrahjeje prej qeverive; ato në fakt janë munduar t’i bllokojnë nismat si këto», ka deklaruar Neziraj. «Kështu njëmend ka qenë deri vitin e kaluar. Fakti se tani qeveritë po komunikojnë dhe po takohen ka ndikim në shoqëri. Njerëzit mendojnë: ‹O.K., nëse ministrat tanë po takohen, pse artistët nuk po mundkan të takohen?›»

Në fakt, sipas atyre që janë përfshirë, ky do të jetë produksioni i parë teatral që është mbështetur prej dy qeverive, dhe tashmë ka plane që të dilet edhe përtej Prishtinës e Beogradit për ta shfaqur shfaqjen në rajon.

«Është e zorshme të ndërtohet një urë», ka thënë Manojloviq. «Por është më e lehtë për ne – ne nuk po merremi me politikë, por me art. Por ne jemi të brishtë: disa politikanë mund të vijnë e të thonë lamtumirë, dhe kjo urë shkërmoqet. A e shihni sa i guximshëm është ky hap, dhe sa i drejtë?›».

DIALOGPUS