Rojtari i pyllit Joe Biden dhe «Shqipëria e Madhe» e Fatmir Veliut

Të gjithë ne i kemi budallenjtë tanë, por është e rëndësishme që budallenjtë të mos drejtojnë shtete, siç ka ndodhur në Jugosllavi pas vitit 1989.

Andrej Nikolaidis.

A e dini atë barsoletën që tregon se si partizanët dhe çetnikët luftojnë në pyll? Njëra palë niset në ofansivë, tjetra ia kthen, lufta zgjat… Pastaj vjen rojtari i pyllit dhe i dëbon të gjithë nga pylli.

Kështu edhe opozita kosovare konteston demarkacionin me Malin e Zi, për të cilin do të votojë Kuvendi në Prishtinë. Skandal pas skandali në parlament, fjalë të rënda, retorika gufuese patriotike, «tubimi spontan i fshatarëve», të cilët u futën në territorin e Malit të Zi dhe ngulën tabelat në të cilat shkruante «Kosova» – një orgji e vogël, neveritëse nacionaliste, e parë tashmë shumë herë në Ballkan.

Kështu ecën punët në Prishtinë ndërsa, në trajtën e nënpresidentit amerikan Joe Biden, nuk u shfaq rojtari i pyllit – dhe i dëboi të gjithë. Biden deklaroi se Amerika nga Prishtina kërkon ta pranojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Dhe se Kosova do të humb përkrahjen amerikane nëse nuk miratohet marrëveshja. Kësisoj në luftën politike kosovare, në të cilën kufiri me Malin e Zi për opozitën ka qenë vetëm mjet për sulm, fitues me nokaut u bë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përkrah demarkacionin, për të cilin në fund u angazhua edhe Biden. Ajo që thotë mbreti – këtë e dinë të gjithë popujt e vegjël – nuk kontestohet.

Athua ka ardhur koha që shqiptarët të tregojnë se si në interpretimin e tyre duket ajo që Ishtvan Bibo e ka quajtur «mjerimi i shteteve europianolindore»? Ky mjerim nuk bazohet në mungesën e madhështisë apo fuqisë. Përkundrazi: është gjithsesi e mundshme të jesh i dobët, i vogël dhe fisnik. Mjerimi fle në shpresën e kombeve-shteteve europianolindore se mund të bëhen të mëdha, duke besuar se bisha e nacionalizmit të tyre në një moment të përshtatshëm mund të zgjerojë dhe marrë (ata do të thoshin: kthejë) atë që u takon «historikisht», «sipas të drejtës».

Ajo çfarë e dallon Shqipërinë, për fatin e saj, nga Serbia e viteve ’90, është rrethana se atje, tani për tani, dhe për të mirën e të gjithë neve, shpresojmë edhe në të ardhmen, nuk është në pushtet një elitë, e cila me të vërtetë do të dëshironte të jetësojë idenë e «Shqipërisë së Madhe» dhe kësisoj t’ia vë flakën sërish Ballkanit. Gjëja më e mirë që mund të bëjnë shqiptarët për vete dhe për të gjithë ata me të cilët jetojnë apo pranë të cilëve jetojnë është të mos i përsërisin gabimet që i kanë bërë sllavët e jugut herën e fundit para një çerek shekulli.

Wikipedia për «Shqipërinë e Madhe» thotë: «Sipas anketës së Gallup Balkan Monitor të vitit 2010, idenë e ‹Shqipërisë së Madhe› e përkrahin 63 për qind të shqiptarëve nga Shqipëria, 81 për qind nga Kosova dhe 53 për qind nga Maqedonia, ndonëse shumica e shqiptarëve beson se është pak e besueshme se do të realizohet». Për këtë arsye është me rëndësi të thuhet se kur hokatarët sillen vërdallë nëpër Ballkan dhe shfaqin pikat e cirkut të «Shqipërisë së Madhe», kjo nuk është politika zyrtare e Tiranës. Për këtë arsye është me rëndësi të thuhet se çfarë ka bërë opozita kosovare në kufi me Malin e Zi nuk është politikë zyrtare e Prishtinës. Për shkak se është kështu dhe për shkak se Mali i Zi ka reaguar me maturi dhe në mënyrë racionale, puna ka përfunduar si është më së miri.

Paramendojeni nëse dikush nga territori i Serbisë do të ishte futur në Kroaci dhe të kishte vendosur tabela me shenjën «Srbija». Ose e kundërta, s’është me rëndësi. Çfarë shpërthimi ndjenjash nacionaliste do të kishte shkaktuar kjo? Në rastin tonë çështja u mbyll qetë dhe me doreza, me konstatimin e heshtur se të gjithë ne kemi budallenjtë tanë, por me rëndësi është që budallenjtë të mos drejtojnë shtete, siç ka ndodhur në Jugosllavi pas vitit 1989.

Në vitet e shkuara promotor i idesë së «Shqipërisë së Madhe» ka qenë një figurë obskure me emrin Koço Danaj. Tani i tillë është historiani i ri dhe kreu i Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, Fatmir Veliu.

A ju kujtohet parulla «Srbija do Tokija» (Serbia deri në Tokio)? Veliu, ndërkaq, angazhohet për «Shqiperinë deri në Albuquerque». Ai do të donte t’i bashkonte «të gjtiha territoret shqiptare», ndërsa nga Mali i Zi «kërkon» Tuzin, Petnjicën, Beranin, Plavën, Plevlen, Bijelo Polen, Gucinë, Tivarin dhe Ulqinin. Mashallah.

Veliu me gjasë e sheh veten si Charles de Gaulle ose Winston Churchill, por e keqja e kësaj është se politika e tij është vetëm kopje e klasit të të tretë të manisë së Sheshelit për të vizatuar kufijë. Ai, në fakt, është një Baja Mali Kninxha i klasit të tretë. Një Dragosh Kalajiq i klasit të tretë. Një Matija Beçkoviq i klasit të tretë, i cili kur mblidhet dhe hiqet e tëra, është trajta më e ulët e jetës së nacionalizmit serb.

Fatmiri i ri, i cili pasi e ka «hëngër» ndalimhyrjen në Greqi dhe Serbi, ka vendosur të vizitojë Malin e Zi dhe në Tuz të organizojë promovimin e librit të tij «Shqipëria e Madhe». Për dallim nga autoritetet greke dhe serbe, autoritetet malazeze trimërisht e lejuan të hyjë në vend. Përse e lejuan? Për shkak se ashtu si kur në pyetjen e një miku tim «përse ke botuar një tekst kaq idiot«», redaktori i atëhershëm i Monitorit (revistë malazeze, v.j.), Branko Vojiçiq, ishte përgjigjur: «Duhet lënë njerëzit që të kompromitohen lirisht».

Veliu erdhi, u soll vërdallë nëpër Facebook, ngjiti aty fotografinë e tij dhe komentin «Tuz, Shqipëri», thuhet se organizoi promovimin dhe iku – rruga e mbarë, rruga e hajrit, siç do të thoshin shqiptarët. Gjatë po kësaj vizite ai dha disa deklarata për media, të cilat erdhën me qejf që, nëse ka harruar dikush, të përkujtojnë se si funksionon fryma nacionaliste, e paaftë për analogji. Kur Vojislav Shesheli kërkon «Serbinë e Madhe», kjo është, apo jo, e drejtë dhe ai është patriot?

Është pikërisht analogjia ajo që e bën copë e grimë diskurskin e Veliut ashtu si edhe të Sheshelit, Gllavashit (nacionalist kroat, v.j.) dhe të çdokujt – që fjalën gjoja të mësuar ta përdorim për marrëzi.

Veliu bëhet si i pa sherr. Oferta e tij për «Shqipërinë e Madhe», sipas tij, është mesazh paqeje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet. Siç i dërgoi dje Malit të Zi «mesazh paqeje» dhe kërkoi gjysmën e territori të tij, një mesazh të tillë edhe Shesheli ia kishte dërguar Kroacisë. Nga ky mesazh kroatët qenë të detyruar të mbrohen me «Oluja» (operacioni Stuhia, me të cilin Kroacia ktheu nën kontroll territoret e zaptuara nga serbët, v.j.). Kështu pastaj, si «mesazh paqeje» nga Beogradi ndaj Bosnjës-Hercegovinës u krijua Republika Srpska.

Kur flet për paqen Veliu gënjën, këtë duhet thënë. Ta parafrazojmë deklaratën e famshme të Lordit Carringon: «E dimë se ai gënjen, ai e di se ne e dimë se ai gënjen, por ai prapë gënjen».

Vetëm se një gjë është pak e besueshme se Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia mund të thonë – në rregull, hajdeni merrni çfarë të doni; domethënë që «Shqipëria e natyrshme» të krijohet përmes rrugës paqësore. Kjo është, për besë, fantazi shkencore.

Shqipëria dhe Greqia janë shtete anëtare të NATO-s, siç do të jetë nesër Mali i Zi. Për aq kohë sa do të ekzistojë kjo aleancë, konflikti ushtarak mes vendeve anëtare përjashtohet. NATO ruan integritetin territorial të vendeve anëtare. Kjo domethënë se Veliu, Danaj dhe të tjerët projektin e tyre do të mund ta realizonin duke e mposhtur aleancën më të madhe ushtarake në histori. Jo, kjo nuk është fantazi shkencore – nuk është as barsoletë e keqe. Shqiptarët janë komb i lashtë dhe serioz. Aq i lashtë dhe serioz, saqë duket e pamundshme që barsoleta e keqe të bëhet politikë e tyre zyrtare.

Është e mundshme se jam optimist tepër i madh, si çdo njeri që beson në logjikën njerëzore. Sepse, këtë e pranoj, logjika njerëzore nuk është e plotë. Por është e tëra çfarë kemi.

(Ky koment u botua në webfaqen e Al-Jazeera Balkans. Autori është shkrimtar malazez).