Rivotimi në Tearcë nuk e përmbysi rezultatin, fjalën e kanë partitë shqiptare në Maqedoni

Në Tearcë fitoi LSDM, por votat nuk mjaftuan për t'i ndryshuar numrat e deputetëve në nivel nacional. VMRO përsëri mbeti me 51 deputetë, ndërsa LSDM me 49. Të dy partitë u zotuan se do të formojnë Qeverinë. Fjalën e fundit tani e kanë subjektet shqiptare, të cilat kanë 20 deputetë të ndarë në katër grupe: BDI 10, Besa 5, ASH 3 dhe PDSH 2




Rivotimi në Tearcë nuk e përmbysi rezulatin e votimeve të 11 dhjetorit. Edhe pse LSDM-ja e Zoran Zaevit fitoi në vendvotimin 2011, përsëri kjo parti mbeti me 49 deputetë, ndërsa VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit me 51. Tani formimi i Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë mbetet kryesisht në duart e partive shqitare, të cilat bashkë kanë 20 deputetët vendimtarë për koalicionin e ardhëshëm. Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, LSDM ka fituar 245 vota, ndërsa VMRO-DPMNE 149 nga gjithsej 402 votues. 3 vota janë shpallur të pavlefshme, ndërsa votat tjera kanë shkuar tek partitë tjera. Por, kjo fitore nuk i mjaftoi LSDM-së për t’i marrë deputetin e 51-të VMRO-së dhe për t’i barazuar mandatet me nga 50 secila.

Me rezultatet e rivotimit në vendvotimin numër 2011, tani VMRO ka gjithsej 26’193 vota në njësinë e 6-të, ndërsa LSDM ka 25’986 vota. Megjithatë nga të dyja selitë e partive maqedonase u zotuan se do të jenë formuese të Qeverisë së ardhshme. Deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov menjëherë pas numërimit të votave tha se partia e tij rezultatin në Tearcë dhe në mbarë vendin e ka pranuar si një porosi të qytetarëve për ndryshim. Ai ishte decid se LSDM do të formojë Qeverinë e ardhshme edhe pse nuk konfirmoi nëse këtë bindje e mbështet në ndonjë marrëveshje me partitë shqiptare. I pyetur nëse tanimë kanë filluar negociatat, ai tha se për këtë temë do të flasin gjatë ditëve në vazhdim. Me qëndrim të ngjashëm ka dalë edhe lideri i kësaj partie në një prononcim në Facebook, Zoran Zaev: «Fitorja është e shumicës së banorëve të vendit të cilët votuan për ndryshime, gjë që u vërtetua edhe në Tearcë. Urime më të përzemërta banorëve të Tearcës, të cilët me votën e tyre vërtetuan që shumica janë për ndryshime ne Maqedoni. Maqedonia ka zgjedhur Ndryshime dhe Jetesë! Tearca kërkoi Ndryshime dhe Jetesë».

Nga VMRO-DPMNE nuk kanë bërë ndonjë prononcim ose vlerësim të veçantë për rivotimin në Tearcë. Nga kjo parti për disa media në gjuhën maqedonase kanë thënë se për ta fitorja ishte vërtetuar që më 11 dhjetor dhe se mbeten bartës të Qeverisë së ardhëshme. «Sot edhe ne si i gjithë opinioni mësuam se edhe përskaj të gjitha përpjekjeve, tearcasit e penguan tentimin për inxhinjering paszgjedhor. I urojmë për këtë. Si fitues të zgjedhjeve, ngelemi të angazhuar për hapat e mëtejmë rreth formimit të Qeverisë së re», kanë thënë nga VMRO-DPMNE.

Pas rezultatit përfundimtar, i cili nuk i jep shumicën asnjërës nga blloqet maqedonase, formimi i Qeverisë së re tani mbetet kryekëput në duart e partive shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e 11 dhjetorit fitoi 10 deputetë, koalicioni Rilindje me Besë 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH e Menduh Thaçit 2. Këto shifra lënë të hapura shumë mundësi dhe forma koalicionimi. Tani VMRO dhe BDI mund të formojnë Qeveri pa pasur nevojë për një parti të tretë, pasi bashkë përbëjnë 61 mandate. Përfshirja e një subjekti tjetër shqiptar vetëm sa do ta forconte këtë koalicion. Por përfshirja e dy subjekteve shqiptare do të ishte e domosdoshme në një koalicion eventual me LSDM-në, e cila vetë ka 49 mandate ndërsa bashkë me BDI-në bëjnë 59. Përfshirja e PDSH-së do t’u jepte shumicën minimale prej 61 deputetësh, ndërsa përfshirja e Aleancës për Shqiptarët ose Lëvizjes Besa do ta stabilizonte koalicionin me LSDM-në e Zaevit dhe BDI-në e Ahmetit.

Një ditë para rivotimit në Tearcë, krerët e tre partive të koalicionit, Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, Vesel Memedi dhe Gëzim Ostreni pranuan ftesën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti për t’u ulur në një takim për unifikimin e qëndrimeve të bllokut shqiptar. Kjo ftesë ishte drejtuar ndaj të gjitha partive parlamentare shqiptare, por PDSH dhe Lëvizja Besa refuzuan. PDSH nuk dha ndonjë sqarim, ndërsa nga Lëvizja Besa thanë se nuk ulen në një tryezë me politikanë që janë të dyshuar për afera korruptive. Në një komunikatë të lëshuar nga liderët e ASH-së dhe BDI-së u tha që takimi i parë ishte konsultativ dhe se do të ketë takime të tjera që do të kenë për qëllim paraqitjen e shqiptarëve me një platformë para partive maqedonase.

«Duke u nisur nga rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor të këtij viti; duke njohur vullnetin e votuesit shqiptar si dhe dëshirën e shprehur të popullit shqiptar që subjektet tona të bashkërendisin forcat, mundësitë dhe resurset e tyre për të arritur rezultate më të mira në bisedimet politike që do pasojnë», u tha mes tjerash në njoftimin e përbashkët të katër subjekteve lëshuar një ditë pas takimit. Ditë më parë nga Lëvizja Besa thanë se nuk do të pranojnë koalicion e as bisedime me persona të ndjekur nga Prokuroria Speciale, duke përjashtuar këtu çdo mundësi koalicionimi me Nikolla Gruevskin. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, u zotua se do të mbështeste një Qeveri mes LSDM-së dhe BDI-së, por pa qenë pjesë e koalicionit, vetëm e vetëm për të përmbysur Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në.