Ripërdorimi i aseteve pas konfiskimit përmbush nevojat institucionale në vend

Në kuadër të projektit me financim nga Bashkimi Evropian «Mbështetje agjencisë për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara», Agjencia për Administrimin e Pasurive së Sekuestruara apo Konfiskuara(AAPSK) bashkë me akterët tjerë në çështjen e konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë, diskutuan sot për të arriturat e projektit të kësaj Agjencie.




Kryeshefi ekzekutiv i AAPSK-së, Rrahim Rama gjatë kësaj tryeze ka folur për angazhimet e këtij Agjencioni fillimisht për ndërtimin e kapaciteteve të brendshme të AAPSK-së përmes trajnimeve intensive të cilat sipas tij kanë përmirësuar dukshëm profesionalizmin e stafit si dhe procedurat standarde të operimit.

Ai shtoi se AAPSK-së do t’i shtohet edhe baza e të dhënave e cila do të ndihmojë agjencinë që të menaxhoj më mirë pasuritë si dhe ofrimi i të dhënave të jetë më i shpejt dhe më i saktë.

«AAPSK së bashku me institucionet tjera relevante, ka analizuar mënyrën se si të përdoren për nevoja shoqërore apo institucionale asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi i organizuar», ka thënë kryeshefi Rama duke kujtuar që Ligji në Kosovë i lejon gjykatat që pasuritë e konfiskuara të përdoren për nevoja institucionale të shtetit.

Zëvendësdrejtori i projektit, Andrea D’Angelo para të pranishmëve ka prezantuar statistikat për vitin 2014 si dhe i ka njoftuar pjesëmarrësit rreth përvojës italiane mbi shfrytëzimin e aseteve të konfiskuara duke shtuar se Kosova e ka mundësinë ligjore që të ndjekë shembullin e Italisë.

Në anën tjetër, kryeshefi Rama gjithashtu ka njoftuar se do t’i propozojnë Qeverisë që të themelohet një komision ndërqeveritar për ri-përdorimin e aseteve të konfiskuara.