Ringjallet tempulli serb në pjesën jugore të Mitrovicës

Kemi ardhur këtu vullnetarisht dhe i jemi mirënjohës Perëndisë dhe shkëlqesisë së tij, peshkopit të Rashkë-Prizrenit dhe Teodosijes së Kosovë-Metohisë, që më dha bekimin dhe më vendosi shërbëtor në këtë tempull.

Kemi gjithë çfarë na duhet për jetë dhe këtu e kemi bukur, ndërsa gjëja më thelbësore është se kryesisht është qetë, nëse përjashtohen provokimet e vogla verbale.

Me këto fjalë e përshkruan gëzimin në bisedën me gazetën e Beogradit, «V. Novosti», eprori i tempullit Shën Sava në pjesën jugore të Mitrovicës, jeromahu Sasha Mitroviq (29), që jetën e tij prej kleriku e nis në këtë tempull, ku qysh se ishte fëmijë i ishte lutur Zotit, kur nga Peja, qyteti i lindjes, kishte ikur me familje.

Pas ardhjes së tij me bashkëshorten Marijen (27), shkruan kjo gazetë, transmeton Koha.net, pas plot 11 vjetësh është ringjallur tempulli, i djegur gjatë pogromit të marsit të vitit 2004…

Ai thotë se ai me bashkëshorten janë të vetmit serbë që jetojnë në këtë pjesë të qytetit të Kosovës e Metohisë, siç e quajnë shtetin e Kosovës mediet e Beogradit, porse gjatë festave të rëndësishme aty vijnë besimtarë në numër më të madh.

Ai me bashkëshorten kohën më të madhe e kalojnë në shtëpinë e parohisë pranë kishës. Ai i ka thënë «Novostit» se deri tash nuk ka pasur probleme të mëdha, pos provokimeve verbale, kur del nga vetura, ose kur kosit barin dhe rregullon oborrin, i cili nga të gjitha anët është i rrethuar me tela gjembor.

«Fatmirësisht tani provokimet e tilla janë më të pakta», thotë kleriku, i cili beson se të shpërngulurit do të fillojnë të kthehen në këtë pjesë të qytetit, kur deri më 1999 ishin rreth 4000 sish.