Rimandatimi i EULEX-it nuk procedohet në Kuvend për seancën e 16 qershorit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare është mbledhur sot për të përcaktuar datën dhe rendin e ditës për seancën e rregullt të Kuvendit.

Gazetari i Kohës Ditore nga vendi i ngjarjes raporton se në këtë mbledhje u vendos që seanca e rregullt e Kuvendit të mbahet të enjten, më 16 qershor. Por, në këtë seancë nuk është përfshirë vendimi i Qeverisë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet. Në mbledhjen e Kryesisë u tha se mosprocedimi i këtij vendimi u bë për shkak se Qeveria nuk ka dorëzuar dokumentacion të kompletuar dhe sekretaria nuk ka mundur ta procedojë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se shpreson që së shpejti do të ketë një vendim për liberalizimin e vizave, ndërsa sipas tij, për vendime të mëdha partitë duhet të kenë konsensus të përbashkët.

Në seancën e rregullt të enjten Kuvendi do të ketë këtë rend të ditës:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Votimi i Projektligjit nr. 05/L-098 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10,

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-019 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-077 për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-081 për Energjinë,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë,

10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-082 për Gazin Natyror

11. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave,

12. Zgjedhja e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit,

13. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,

14. Shqyrtimi i Raportit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2015,

15. Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015,

16. Shqyrtimi i Raportit të Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015,

17. Shqyrtimi i Raportit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015.

Pritet që në seancë të marrin pjesë deputetët e Vetëvendosjes, të cilët tashmë kanë thyer bojkotin, ndërsa deputetët e dy partive të tjera opozitare – AAK-së e Nismës për Kosovën nuk kanë paralajm ëruar ndryshim të qëndrimit për mospjesëmarrje.