Rikthimi i historisë (II)

Pjesa e dytë e analizës së revistës «The Economist» mbi krizën e demokracisë.

Foto: Shutterstock



Dy arsyet kryesore të krizës botërore të demokracisë janë kriza financiare e viteve 2007-2008 dhe ngritja e Kinës. Kriza që i shkaktoi ato ishte sa psikologjike po aq edhe financiare. Ajo vuri në pah dobësitë në sistemet politike të Perëndimit, duke minuar vetëbesimin që ishte një prej aseteve më të mëdha të tyre. Qeveritë i kishin çuar përpara për dekada me radhë planet, duke lejuar nivele të larta borxhesh të rrezikshme, dhe politikanëve ua merrte mendja se tashmë i kishin këto nivele nën kontroll dhe se e kishin zbutur rrezikun. Shumëkush hoqi iluzionet për punët që kryheshin prej sistemeve të tyre politike – sidomos kur qeveritë shpëtuan bankierët me para të taksapaguesve dhe pastaj u treguan të pafuqishëm kur financierët vazhduan të përfitonin për vete bonuse të jashtëzakonshme. Kriza e shndërroi konsensusin e Washingtonit në shprehje për qasje të re anembanë botës.

Njëherësh, Partia Komuniste Kineze ka thyer monopolin e botës demokratike të përparimit ekonomik. Larry Summers nga Universiteti i Harvardit, ka vërejtur se kur Amerika po shënonte rritje të vrullshme ekonomike, kishte dyfishuar standardet e jetesës pothuajse çdo tridhjetë vite. Kina ia ka dalë të dyfishojë standardet e jetesës pothuajse çdo dekadë në tridhjetë vitet e fundit. Elita kineze pretendon se modeli i tyre – me kontroll të fortë të Partisë Komuniste, bashkë me përpjekjet e palodhshme për të rekrutuar njerëz të zgjuar në radhët më të larta të saj – është më efikas se demokracia dhe më pak i ekspozuar ndaj rreziqeve. Lidershipi politik ndryshon përafërsisht çdo dekadë, dhe përherë afron talent të rinj, derisa kuadrot e partisë promovohen mbi bazën e aftësisë së tyre për t’i jetësuar caqet.

Kritikët e Kinës dënojnë me të drejtë kontrollimin qeveritar të opinionit publik me të gjitha format e mundshme, prej burgosjes së disidentëve e deri te censurimi i diskutimeve në internet. Prapëseprapë, obsesioni i regjimit me mjetet e veta paradoksale të kontrollit i kushton rëndësi të madhe vëmendjes së publikut. Njëherësh, krerët kinezë ia kanë dalë të sfidojnë disa prej problemeve të mëdha të shtet-ndërtimit që mund të marrin dekada me radhë për t’u menaxhuar në një demokraci. Kina ia ka dalë për dy vite të mbulojë pensionet për 240 milionë banorë shtesë nga zonat rurale, ta zëmë – një shifër larg më e lartë se i gjithë sistemi i pensioneve publike të mbuluara prej Amerikës.

Shumë kinezë janë të përgatitur t’i qëndrojnë besnik sistemit nëse ofron rritje ekonomike. Anketa e vitit  2013 për sjelljet globale  e bërë nga Pew ka treguar se 85 për qind e kinezëve ishin «shumë të kënaqur» me drejtimin e vendit të tyre, krahasuar me 31 për qind të amerikanëve. Disa intelektualë kinezë po tregohen mburracakë në kuptimin pozitiv. Zhang Veivei nga Universiteti Fudan, thotë se demokracia po e shkatërron Perëndimin, sidomos Amerikën, për shkak se demokracia institucionalizon qorrsokakun politik, lë në plan të tretë vendimmarrjen dhe sjell në krye të vendit president të dorës së dytë, si puna e George Bushit të ri. Yu Keping nga Universiteti i Pekinit pretendon se demokracia i «ndërlikon së tepërmi dhe ua humb vlerën» gjërave të thjeshta, dhe ua mundëson «politikanëve të caktuar që flasin ëmbël t’i prijnë keq popullit». Vang Jisi, gjithashtu nga Universiteti i Pekinit, ka vërejtur se «shumë shtete në zhvillim që kanë pranuar vlerat dhe sistemet politike perëndimore po përjetojnë kaos” dhe se Kina ofron model alternativ. Shtete nga Afrika (Ruanda) deri në Lindje të Mesme (Dubai) dhe Azia Juglindore (Vietnami) po e marrin shumë seriozisht këtë këshillë.

Përparimi i Kinës është shumë më i fuqishëm në kontekstin e një serie zhgënjimesh për demokratët që nga viti 2000. Zmbrapsja e parë e madhe ndodhi në Rusi. Pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, dukej i pashmangshëm demokratizimi i Bashkimit të vjetër Sovjetik. Në vitet nëntëdhjetë, Rusia bëri pak hapa të dehur në atë drejtim nën drejtimin e Boris Jelcinit. Por ai dha dorëheqje më 1999 dhe pushtetin ia dorëzoi Vladimir Putinit, ish-operativit të KGB-së, i cili, që atëherë, nga dy herë ka marrë mandatin e kryeministrit dhe të presidentit. Ky car postmodern ka shkatërruar bërthamën e demokracisë në Rusi, duke ia shtypur kokën shtypit me burgosje të kundërshtarëve, njëherësh duke u kujdesur për spektaklin – krejt kanë të drejtë vote – derisa të fitojë Putini. Liderët autokratikë në Venezuelë, Ukrainë, Argjentinë dhe tjetërkund kanë ndjekur këtë rrugë, duke zbatuar një model pervers demokracie, për rrjedhojë, duke e diskredituar edhe më shumë modelin e vërtetë.

Zmbrapsja e madhe e radhës ishte lufta në Irak. Pas ndërhyrjes së prirë nga amerikanët më 2003, dhe nuk u vërtetua pretendimi i armëve të shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit, zoti Bush ndërroi mendje duke justifikuar luftën si luftë për liri dhe demokraci. «Përpjekja e bashkërenduar e shteteve të lira për të promovuar demokracinë është prelud për disfatën e armiqve tanë», argumentonte ai në adresimin e dytë inaugurues. Ky ishte oportunizëm i pastër: Zoti Bush besonte sinqerisht se Lindja e Mesme do të mbetej tokë e pëlleshme për terrorizmin derisa të dominohej prej diktatorëve. Por, i shkaktoi dëm të madh kauzës demokratike. Majtistët e proklamonin si provë se demokracia ishte vetëm maskim për imperializmin amerikan. Realistët e politikës së jashtme e morën kaosin në rritje të Irakut si dëshmi se promovimi i prirë prej amerikanëve i demokratizimit ishte recetë për destabilitet. Dhe neonservatorë të deluzionuar, si puna e Francis Fukuyamas, dijetar amerikan i shkencave politike, e shihnin si provë se demokracia nuk mund të rrënjoset thellë në tokën e gurtë.

Zmbrapsja e tretë e madhe ishte Egjipti. Rënia e regjimit të Hosni Mubarakut më 2011 në kulmin e protestave masive, ngjalli shpresat se demokracia mund të përhapej në Lindjen e Mesme. Por euforia e madhe shumë shpejt u shndërrua në zhgënjim. Zgjedhjet e para të lira nuk u fituan prej aktivistëve liberalë (të cilët ishin ndarë pikë e pesë në një mozaik partish), por prej Muhammad Morsit të Vëllazërisë Myslimane. Morsi e trajtoi demokracinë si fitues i gjithçkaje të sistemit, duk e mbushur sistemin me «Vëllezër», duke i dhënë vetes fuqi të pakufizuara dhe krijoi një dhomë të lartë parlamentare me shumicë islamike. Në korrik 2013, ushtria ndërhyri, duke arrestuar presidentin e parë të Egjiptit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, burgosi anëtarët e Vëllazërisë Myslimane dhe vrau qindra demonstrues. Bashkë me luftën në Siri dhe anarkinë në Libi, grusht shtetet davaritën shpresën se Pranvera Arabe do t’i printe lulëzimit të demokracisë anembanë Lindjes së Mesme.

Njëherësh, disa rekrutë të kampit demokratik më nuk e kishin lustrën e dikurshme. Prej shtrirjes së demokracisë më 1994 në Afrikën e Jugut, vendi është qeverisur prej të njëjtës parti, Kongresit Kombëtar Afrikan, që me kalimin e kohës po i shërbente më shumë vetes. Turqia, që dikur dukej se po kombinonte islamin modern me prosperitetin dhe demokracinë, po rrëshqet drejt korrupsionit dhe autokracisë. Në Bangladesh, Tajlandë dhe Kamboxhia, partitë opozitare kanë bojkotuar zgjedhjet e fundit ose kanë refuzuar t’i njohin rezultatet e tyre.

E gjithë kjo ka demonstruar se ndërtimi i institucioneve të nevojshme për demokraci të qëndrueshme është në fakt punë e ngadalshme, dhe e ka zbehur pretendimin e dikurshëm se demokracia do të lulëzojë vrullshëm dhe natyrshëm posa të hidhet fara e saj. Ani pse demokracia mund të jetë «aspiratë universale», siç ngulmonin zoti Bush dhe Tony Blair, tekefundit është praktikë e rrënjosur kulturalisht. Pothuajse të gjitha shtetet perëndimore kishin zgjeruar të drejtën e votës shumë kohë para se të niste themelimi i sistemeve të sofistikuara politike, me shërbime të fuqishme civile dhe të drejta të mishëruara në kushtetutë, në shoqëri që gëzonin të drejtat individuale.

Megjithatë, institucionet që janë krijuar për të promovuar modele për demokracitë e reja, viteve të fundit janë shndërruar në institucione të dala mode dhe jofunksionale. Shtetet e Bashkuara janë në një qorrsokak saqë ka pasur telashe edhe me miratimin e buxhetit në vitet e fundit. Demokracia e saj është goditur edhe prej sistemit zgjedhor ku fitojnë edhe presidentët që nuk e kanë shumicën e votës popullore. Kjo inkurajon ekstremizëm, sepse politikanët i qëndrojnë besnikë partisë, duke anashkaluar mbështetjen prej votës. Mijëra lobistë (më shumë se njëzetë për secilin kongresist) shtohen në kompleksitetin e legjislacionit, duke pështjellë punët edhe më shumë me privilegjet speciale. E gjithë kjo krijon përshtypjen se demokracia amerikane është në ankand dhe se të pasurit kanë më shumë pushtet se të varfrit, madje edhe pse lobistët dhe donatorët këmbëngulin se shpenzimet politike janë ushtrim i së drejtës së fjalës. Por, si rezultat kemi imazhin e Amerikës – dhe deri në njëfarë shkalle edhe të vetë demokracisë – në gjendje të tmerrshme.

As Bashkimi Europian nuk është shembulli më i mirë i demokracisë. Vendimi për ta përdorur euron më 1999 ishte marrë kryesisht prej teknokratëve; vetëm dy shtete, Danimarka dhe Suedia, organizuan referendume për këtë çështje (dhe në të dy vendet u refuzua). Përpjekjet për të marrë aprovimin popullor për Traktatin e Lisbonës, që konsolidonte pushtetin në Bruksel, u lanë anash kur njerëzit nisën të votonin gabimisht. Gjatë ditëve më të errëta të krizës së euros, euro-elita e detyroi Italinë dhe Greqinë të zëvendësonte liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike me teknokratë. Parlamenti Europian, një përpjekje e pasuksesshme për të arnuar deficitin demokratik të Evropës, injorohet dhe përçmohet njëherësh. Bashkimi Europian është bërë tokë e pëlleshme për parti populiste, si Partia e Lirisë e Geert Wildersit në Holandë dhe Fronti Kombëtar i Marine Le Penit në Francë, që pretendojnë se mbrojnë qytetarët e rëndomtë kundër elitës jokompetente dhe arrogante. Agimi i Artë në Greqi po teston se sa larg demokracitë mund t’i tolerojnë partitë e stilit nazist. Projekti i dizajnuar për t’ia shtypur kokën bishës së populizmit evropian në fakt po e ngacmon për ta ringjallur.

(Vazhdon nesër)