Rikthehen në Kuvend të Prishtinës plani rregulluese të bllokuara 6 muaj

Kreu i Prishtinës i ka dërguar në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal 9 plane rregulluese për shqyrtim, pavarësisht që ato dhe propozimet nga Drejtoria e drejtuar nga Liburn Aliu ka 6 muaj që bllokojnë funksionalitetin e legjislativit.




Caktimi i këtij rendi të ditës, edhe pse ka kaluar në KPF, është bërë pa ndonjë marrëveshje paraprake midis subjekteve politike përfaqësuese në KK, që të gjendet zgjidhja për zhbllokimin e situatës. Se nuk ka ndonjë marrëveshje në këtë plan, ka treguar edhe kryesuesi i KK-së, Halimi Halimi.

«Ne i kemi proceduar propozimet për plane rregulluese në KK, sa i përket këtij institucioni që të vendosë për procedim të mëtejshëm», ka thënë Halimi. Ai thotë se është i interesuar për një marrëveshje paraprake midis subjekteve politike për heqje të bllokadës.

«Jam i bindur që sikur të uleshin përfaqësuesit e subjekteve politike, pjesëmarrëse në KK, problemi do të zgjidhej kaherë, por ekzekutivi nuk po shpreh interesim», ka thënë Halimi. Ky ka kritikuar Ahmetin që nuk po e bën ndarjen e drejtorive të propozuara, në bazë të kompetencave që ka, shkruan sot «Koha Ditore». Nga ana tjetër, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka thënë se për dialog nevojiten dy palë.

«Në rastin e planeve që po bllokohen, ekzekutivi ka treguar vullnet të mirë, përderisa me gjithë vullnetin e mirë koalicioni Sami-Lirak ka vendosur përsëri të mos i votojë në mbledhjen e kaluar», ka thënë Sejdiu. Nënkryetari është ndier i provokuar kur është pyetur se pse po dërgohen 9 pika në KK për një çështje që po krijon bllokadë dhe a mund të jetë ky si një provokim. «Ka 6 muaj që PDK-LDK nuk votojnë asnjë pikë, dhe tash këto plane janë akumuluar. Ndoshta pyetja më adekuate do të ishte pse nuk po votohen planet», është përgjigjja e nënkryetarit Sejdiu. Ndërkaq përkitazi me vërejtjet e opozitës se planet rregulluese janë jashtëligjore, pasi, sipas tyre, duhet të bëhen harta zonale, nënkryetari i Komunës, Sejdiu, ka thënë se Prishtina është çrregulluar qe 15 vjet. «Tani kur po rregullohet, atyre që e kanë çrregulluar, degraduar, vjedhur e uzurpuar, po u pengon rregulli. Sa i përket hartës zonale, duhet plotësuar ligji me udhëzime, dhe atëherë mund të bëhet harta zonale. Deri atëherë nuk mund të ndalet rregullimi urbanistik i kryeqytetit», është shprehur ai.

Përfaqësuesit e dy subjekteve politike opozitare, LDK e PDK, përkatësisht Flamur Shala e Lirak Çelaj, kanë qëndrime refuzuese ndaj 9 propozimeve që do të shkojnë në KK dhe që lidhen me Drejtorinë e Urbanizmit. Shala i LDK-së tregon se ende nuk kanë qëndrim të qartë si subjekt. Kjo vërehet nga përgjigjet e përgjithësuara të tij.

«Paraprakisht do ta shqyrtojmë rendin ashtu siç na obligon ligji dhe pastaj do të marrim vendime në favor të kryeqytetit», ka thënë ai, me konstatimin se LDK-ja çdo pikë të rendit të ditës e shqyrton në mbledhje sipas konceptit të saj. Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Lirak Çelaj, nga ana tjetër, lë të kuptohet se nuk do të pranojë të shqyrtohen planet rregulluese. «Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë me Urbanizmin, por me Liburn Aliun. Ai qëndrim tashmë dihet. Në propozime po theksohet se me zbatimin e vendimeve merret kryetari dhe organet kompetente, por kryetari nuk merret vetëm me ato çështje, prapë shkojnë në drejtorinë që e drejton Liburn Aliu», ka thënë Çelaj. Ky ka shtuar se sikur të vijnë propozimet nga një drejtori «që s’drejtohet nga Aliu, do të shqyrtohen». Vërejtje tjetër e Çelajt është grumbullimi i 9 pikëve që lidhen me një çështje.

«Edhe sikur të mos kishim telashe të tjera, nuk mund të shqyrtohen 9 plane në një seancë të Kuvendit», ka vijuar ai, me dyshimin se grumbullimi i tyre është bërë vetëm sa për të provokuar.

Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Imer Rusinovci, ka thënë se do të ishte më e udhës që ekzekutivi të bisedonte dhe të pajtohej me opozitën para se të vendosen pikat e rendit të ditës.

I ka vlerësuar shumë që të shqyrtohen 9 plane edhe përfaqësuesi i Shoqatës së arkitektëve të Kosovës, Valdet Osmani.

«Kuvendi nuk ka kapacitet profesional për t’i analizuar dhe shqyrtuar 9 plane në një seancë. Prandaj do të ishte mirë që asambleja të angazhojë disa profesionistë të jashtëm që do ta ndihmonin», ka thënë Osmani, i cili e ka kritikuar edhe opozitën.

«Nuk do të duhej opozita të merrej me individë. Nëse puna e drejtorit është e dobët ose e dëmshme, ose e kundërligjshme, atëherë do të duhej të reagonte. Opozita ka shumë mënyra të kritikojë punën, sepse më pas edhe dështimi, edhe suksesi është i të dy palëve.

Propozimvendimet e dërguara për shqyrtim në KK janë plani rregullues i lagjes «Mati2»; miratimi, plotësimi dhe ndryshimi i planit rregullues të lagjes «Sofalia»; ndryshimi dhe plotësimi i planit rregullues të lagjes «Tophane»; fillimi i ndryshimit dhe plotësimit të planit rregullues të lagjes «Dodona»; fillimi i ndryshimit dhe plotësimit të planit rregullues të lagjes «Qyteza Pejton»; miratimi – lënie në dispozicion për diskutim publik të planit rregullues të lagjes «Kodra e Trimave 1»; miratimi – lënia në dispozicion për diskutim publik e planit rregullues të lagjes «Kalabria»; fillimi i ndryshimit dhe plotësimit të planit rregullues të lagjes «Mati 1» dhe dhënia e pëlqimit për ndryshime në infrastrukturë në një pjesë të planit rregullues të lagjes «Lakërishte» në Prishtinë. Në fund të secilit propozim-vendim theksohet se për zbatim do të kujdesen kryetari i Komunës së Prishtinës, kurse organet e tjera përkatëse kompetente do t’i kryejnë veprimet procedurale për zbatim të këtij. Deri në këtë mbledhje, ka qenë se për zbatimin e vendimit vendos drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit, Mbrojtjes dhe Mjedisit.

Bllokimi i propozimeve të Urbanizimit në KK ka ndodhur për shkak të sulmit fizik të Libun Aliut ndaj këshilltarit të PDK-së, Muhamet Selmani.