Rikthehen bisedimet për emrin dhe shpresat për integrimet e Maqedonisë

Shefat e diplomacisë greke dhe maqedonase takohen në Athinë.

Shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov dhe homologu i tij grek Nikos Kocijas gjatë takimit në Athinë.



Ende pa u kompletuar kabineti qeveritar, Shkupi zyrtar është rikthyer në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e kontestit me Athinën për emrin e Maqedonisë që është pengesa kryesore për anëtarësimin në strukturat euroatlantike. Pas një kohe të gjatë të ndërprerjes së bisedimeve dhe ftohjes së raporteve mes dy fqinjëve, shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov ka takuar sot në Athinë homologun e tij grek Nikos Kocijas. Pas takimit janë dhënë sinjale optimiste për debllokimin e procesit integrues të Maqedonisë, por Kocijas ka përsëritur se Athina zyrtare ende kushtëzon mbështetjen për Maqedoninë me zgjidhjen e kontestit rreth emrit. Megjithatë, tonet e këtij të fundit dhe vlerësimet e para për rrjedhën e mëtejme të bisedimeve kanë qenë më optimiste.

«Greqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të shtetit, pa ndërhyrje nga palët e treta. Ne jemi kundër sanksioneve ndaj fqinjit tonë. E dimë se fqinji ynë dëshiron të anëtarësohet në organizata të ndryshme, ne jemi të gatshëm ta mbështesin, por së pari duhet të zgjidhet çështja e emrit. Qeveria e mëparshme nuk punonte për kompromis dhe çështjen e emrit nga problemi gjeografik e shndërroi në identitar. Shpresojmë në negociata për emrin që do të çojnë në zgjidhje», ka deklaruar shefi i diplomacisë greke Nikos Kocijas.

Ai më pas i është përgjigjur pozitivisht homologut të tij maqedonas Nikolla Dimitrov për të vizuar «Shkupin e bukur», siç e quajti ai. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka vlerësuar pozitivisht takimin e parë në Athinë dhe ka bërë të ditur se Qeveria e re e udhëhequr nga Zoran Zaev është e përkushtuar të punojë intensivisht jo vetëm në debllokimin e proceseve integruese, por edhe në përmirësimin e raporteve me fqinjët. «Ne duam që nëpërmjet projekteve konkrete të krijojmë një fotografi të re në rajon. Ne do të bëjmë punën tone dhe do të vazhdojmë të japim argument me fjalë e vepra se në interes të fqinjit tonë me ndikim është që të jemi demokraci europiane, e cila do të anëtarësohet në NATO dhe e cila do të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk jam naiv, ky është takimi i parë, rruga nuk do të jetë e lehtë, por dua të përcjell mesazhin se këtu jam për të kërkuar mbështetje. Neve na duhet nxitje për të ecur rrugës të cilët e dëshirojmë», ka thënë Dimitrov.

Edhe vetë kreu i ekzekutivit të Maqedonisë, Zoran Zaev, është shprehur optimist në një rezultat pozitiv nga përpjekjet e reja mes dy vendeve për të tejkaluar problemin shumëvjeçar që i ka mbyllur Maqedonisë dyert e NATO-s dhe BE-së. «Çdo takim është mundësi për gjetje të zgjidhjes për zhbllokimin e proceseve tona drejtë integrimit të tërësishëm në NATO dhe Bashkimin Europian. E di se çdo takim me motive miqësore mund t’i afrojë qëndrimet dhe të gjejmë zgjidhje që ky vend i vogël këtu në Ballkan, Republika jonë e Maqedonisë, përfundimisht pas aq viteve të ecë përpara», deklaroi ai.

Nga ana tjetër Parlamenti Europian me 503 vota pro, 113 kundër dhe 45 abstenime e miratoi rezolutën e eurodeputetit slloven Ivo Vajgëll, pas raportit për Republikën e Maqedonisë, të hartuar nga Komisioni Europian në vitin 2016. Lajmi pozitiv nga ky raport është se ka pësuar ndryshime të vogla dhe është marrë parasysh evolucioni i situatës në Maqedoni. Gjithsej janë parashtruar 40 amendamente. Shpresat për zgjidhjen e kontestit që ka zgjatur që nga pavarësia e Maqedonisë lidhen edhe me faktin se dy partitë qeverisëse në Shkup dhe Athinë vijnë nga një familje e partive europiane, Internacionalja Socialiste.