Rezultate të reja shkencore për vijën kufitare Kosovë – Mali i Zi




Dy profesorët, Dr. Florim Isufi, Dr. Shpejtim Bulliqi, të cilët nga motive shkencore janë marrë me hulumtimin e fakteve rreth vijës kufitare midis Kosovës e Malit të Zi, pas publikimit të dy pjesëve më përpara, i kanë dërguar redaksisë sonë edhe vazhdimin e tretë, të cilin për arsye të aktualitetit po e publikojmë në tërësi.

 

Dy hulumtuesit që në moto të këtij punimi theksojnë: Hulumtimi është me karakter shkencor dhe nuk ka karakter patriotik, nacionalist, racor apo pretendim territorial.

Meqë problematika e kufirit të Kosovës me Malin e Zi është përcjell me shumë moskuptime dhe paqartësi, vendosëm që opinionit t’ia paraqesim edhe një pjesë (pjesa e III-të) të hulumtimit shkencor në lidhje me demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi. Nga analizat shkencore vërehet se ka shumë paqartësi shkencore dhe metodologjike në qasje të problemit. Gjithashtu vërehet mos përmbajtje e rregullave hartografike në identifikimin dhe shtjellimin e objekteve të paraqitura në hartat e ndryshme si për ato që kanë legjendën dhe shkallën e hartës, ashtu edhe për ato të cilat nuk i kanë. Gjatë hulumtimit të zhvillimit historik të një ngjarje gjeografike nuk merret parasysh vetëm një burim hartografik, por shumë burime dhe vetëm me metodën krahasimore mund të vihet deri te rezultatet e sakta dhe të pamohueshme. Këto rezultate duhet të jene te verifikuara edhe nga ekspertet tjerë.

Dihet se Kosova me Malin e Zi kufizohet në anën perëndimore dhe veriperëndimore. Është obligim shtetëror (i institucioneve të shtetit) të bëjë bartjen e vijës kufitare nga terreni në hartë dhe anasjelltas, pastaj të bëjë monitorimin dhe menaxhimin e vijës kufitare, jo e komunave, sepse ato janë vetëm njësi territoriale administrative. Çdo analizë dhe paraqitje hartografike për territorin e Kosovës në përgjithësi dhe pjesëve të veçanta të saj i takon institucioneve qendrore, ndërsa njësit më të vogla administrative i respektojnë dhe i përdorin ato. Hartat, veçmas tek ato ku definohet kufiri shtetëror nuk i punon dhe nuk guxon ti punoj komuna e as ndonjë grup punues i ekspertëve të specializuar në tematikën e caktuar pa lejet përkatëse shtetërore. Ata duhet ti përmbahen dhe i përmbahen hartave digjitale dhe hartcopy të institucioneve qendrore. Në këtë kontekst në Kosovë pas luftës së vitit 1999 ka ekzistuar vetëm një hartë e Kosovës, ajo e territorit të Kosovës bazuar në sipërfaqen e pronave të paluajtshme. Shkencërisht kjo sipërfaqe ndryshon nga territori shtetëror i Kosovës. Shikuar në përgjithësi të gjitha planet hapësinore komunale dhe shtetërore, planet tjera zhvillimore, plane menaxhuese etj., janë punuar mbi hartën e sipërfaqeve të pronave të paluajtshëm, jo edhe mbi harta tjera, prandaj gjatë krahasimeve dhe gjetjeve të tematikave të ndryshme nuk kemi të bëjmë me një atllas hartash por vetëm me një hartë grafike me tematika të ndryshme. Kështu nuk mundemi që në aspektin hartografik të kemi rezultate bindëse për ndryshimin (tkurrjen) e territorit të Kosovës. Një gjë e tillë është, hutese dhe jo e kuptueshme për opinionin dhe qarqet e ndryshme vendimmarrëse.

Duke parë këtë fakte ne vendosë të paraqesim disa të gjetura në hulumtimin tonë te cilat institucioneve të Kosovës dhe opinionit te gjere publik do ti ndihmoj që të kenë një pasqyre më te çarte rrethe kësaj problematike.

1. Harta e parë e territorit të Kosovës (me kufirin zyrtar Kosovë Mali i Zi) është botuar në vitin 1948 nga Instituti gjeografik ushtarak i Jugosllavisë. Harta është topografike me shkallë 1: 100 000 që do të thotë 1 centimetër në hartë është e barabartë me 1 km në natyrë. Në këtë hartë është e vizatuar (gjendet) vija kufitare e hapësirës së Kosovës me Malin e Zi. Për opinionin në përgjithësi dhe ata që nuk kanë njohuri gjeografike dhe hartografike kjo vijë kufitare u bë shqetësuese sepse pretendohet se paraqet ndonjë vij të territorit të ndonjë hapësire organizative ushtarake «harta speciale ushtarake apo kufij te njësive ushtarake». Është gabim shumë i madh sepse sqaruesit e objekteve të paraqitura në hartat topografike japin shpjegimin dhe dimensionet për secilin objekt veç e veç në një harte serioze siç janë këto harta. Ne në hulumtimin tonë kemi përdorur shumë literaturë topografike ndërkombëtare, por qe të mos hutonim lexuesit po paraqesim literaturën në gjuhën shqipe. Më së miri e shpjegon libri «Përpilimi i hatave & përgjithësimi hartografik» i botuar në Shkup me 2006 i autorit Bashkim Idrizi në faqen 118, dhe në shtojcën në fund të librit. Te dhënat lidhur me kufirin ndarës ne mes të Kosovës dhe Malit te Zi, paraqiten edhe në hartat topografike 1: 50 000 të vitit 1958 duke përcjell koordinatat e njëjta, pika dhe kuota, në tersit morfologjik të njëjtë me atë të vitit 1948. Që të shuhen të gjitha dilemat e vërtetësisë së kësaj vije kufitare kemi bërë krahasimin e hartave topografike të territorit të Kosovës të prodhuara në Gjermani me shkallë 1;50 000. Sqaruesi i legjendës tregon se në hartë kemi vija kufitare dhe se vija me ndërprerje 1 vijë 2 pika, paraqet kufi mes njësive administrative. Rezultati: edhe në këtë hartë vërehet zvogëlimi i sipërfaqes së Kosovës.

 

2. E njëjta vijë është e publikuar edhe në librin ENCIKLOPEDIA E JUGOSLLAVISË, Botues: Naklada Leksikografski Zavod FNRJ, Zagreb 1962/83, në hartën me titull Pec. Harta është kolor, e punuar, dhe ka kufirin Kosovë – Mali i Zi me vija të ndërprera. Vija kufitare është në përputhje me vijën kufitare të hartave topografike të mësipërme, kufirin paraqitet në qafën e Çakorrit dhe të Kullës dhe dallon shumë nga vija kufitare e demarkacionit të fundit që po pretendohet te vihet ne fuqi. Për autoret dhe seriozitetin shkencorë të kësaj enciklopedie nuk diskutohet pasi që në të kanë marre pjese autoret eminent të kohës. Rezultati: edhe në këtë hartë vërehet zvogëlimi i sipërfaqes së Kosovës.

3. E njëjta hartë është botuar edhe në librin VOJNA ENCIKLOPEDIJA në hartën e Jugosllavisë dhe në hartën e Kosovës e botuar në vitin e 1974. Harta është kolor dhe ka kufirin Kosovë – Mali i Zi me vija paralele (ngjyrë të kuqe) dhe pika të zeza. Vija kufitare është në përputhje me vijën kufitare të hartave topografike. Kufiri paraqitet në qafën e Çakorrit dhe të Kullës dhe dallon shumë nga vija kufitare e demarkacionit të fundit që po pretendohet të jete në rregull nga ana e komisionit. Për autoret dhe seriozitetin e madh shkencorë të kësaj enciklopedie nuk diskutohet pasi që edhe në të kanë marre pjese eksperte të njohur të kohës. Të gjitha këto materiale autoret e këtij hulumtimi i kane në dispozicion për institucionet dhe opinionin e gjere publik. Rezultati: edhe në këtë hartë vërehet zvogëlimi i sipërfaqes së Kosovës.

4. Në vitin 1974 botohet atllasi pedologjik i Kosovës (Grup autorësh Harta pedologjike e Kosovës, IEU, J. Cerni, Beograd 1974), me saktësi të madhe për kushtet shkencore të atëhershëm. Shkalla 1:50 000, baza është harta topografike 1:50 000, kufiri i Kosovës me Malin e Zi jo i njëjtë me vijën e re të demarkacionit, por në përputhje të plotë me kufirin e pas luftës së II-të botërore (i njëjtë me vijën kufitare në hartat topografike dhe enciklopedit). Saktësia 1 cm në hartë 500 metra në natyrë. Serioziteti shkencor dhe profesional i autorëve dhe botuesit flet për kualitetin e hartës. Rezultati: edhe në këtë hartë vërehet zvogëlimi i sipërfaqes së Kosovës.

5. Në vitin 1985 Enti Krahinor për Mbrojtjen e Natyrës boton studimin mbi arsyeshmerinë shoqërore të shpalljes së një pjese të Bjeshkëve të Nemuna në komunën e Pejës «Park Nacional». Përveç detajeve tekstuale studimi boton edhe një hartë me shkallë shume të saktë 1:30 000, ku paraqet edhe kufirin verior të komunës së Pejës. Kufiri përputhet me vijën kufitare të hartave topografike dhe enciklopedive që u përmendën më sipër dhe dallon shumë me vijën aktuale të demarkacionit. Kufiri shkon deri në qafën e Kullës. Ndër autorët e shumtë janë edhe disa inxhinier serbë të gjeodezisë, drejtori i drejtorisë së gjeodezisë së KK Pejë, si dhe kryetari i kuvendit të Pejës dhe kryetari i Këshillit ekzekutiv të K.K. Pejës i cili ishte serb. Rezultati: edhe në këtë hartë vërehet zvogëlimi i sipërfaqes së Kosovës.

6. Në vitin 1998 botohet njëra ndër hartat më të sakta për territorin e Kosovë, autor M. Meha, botues Rilindja, shkalla 1:200 000, baza topografike me izohipse. Harta ka edhe bashkautor nga një gjeografë dhe gjuhëtar toponime. Kjo hartë ka kufijtë e Kosovës shumë të dallueshëm dhe në përputhje me kufijtë e hartave topografike dhe enciklopedive me pak devijime. Rezultati: edhe në këtë hartë vërehet zvogëlimi i sipërfaqes së Kosovës.

7. Nga hulumtimi i hartave të ndryshme nëpër vite, të institucioneve relevante, botuesve dhe autorëve të ndryshëm, dhe duke u mbështet në bazën hartografike të përpiluar nga institucionet federative të ish Jugosllavisë kemi ardhur në përfundim se kufijtë e Kosovës janë paraqitur drejt dhe pa gabime të mëdha, varësisht nga shkalla e hartës. Asnjëherë nuk kanë cenuar territorin e Kosovës dhe se me siguri janë bazuar në demarkacionin e vendosur nga komisioni i pas luftës së II-të botërore. Vetëm hartat e punuar nga institucionet lokale dhe pas luftës së vitit 1999 ndryshojnë nga kufijtë e asaj kohe, tkurrin hapësirën territoriale të Kosovës dhe nuk mbështetën në ndonjë vendim administrativ apo politik të dalur nga Kuvendi i Kosovës apo republikave për rreth që nga paslufta e II-të Botërore. Nga këtu është e pa qartë pse vije e re demarkacioni nuk bazohet në kufijtë territorial të Kosovës, por në kufijtë ende të pa aprovuar me ndonjë vendim administrativ bazuar në kushtetutën e ish Jugosllavisë apo kushtetutën e KSA të Kosovë, si dhe ndonjë vendim të parlamentit të Republikës së Kosovës pas luftës së vitit 1999.

8. E gjithë kjo rrëmujë dhe paqartësi hartografike dhe territoriale për territorin e Kosovës rrjedh si pasoj e mos angazhimit permanent në ruajtjen e saj. Autoret dhe institucionet e ndryshme shkencore dhe hartografike kosovare nuk i kanë kushtuar kujdes me kalimin e kohës problemit të kufirit të Kosovës. Mungesa e një instituti hartografik dhe mos arkivimi i bazës hartografike ngrit dilema në lidhje me hapësirën territoriale të Kosovës. Analizat e shumta të bëra konstatojnë se aprovimi i vijës së demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi duhet të anulohet. Institucionet vendimmarrëse dhe ato akademike duhet ti qasen shkencërisht problematikës së territorit të Kosovës, të arrihen rezultatet të pamohueshëm e pastaj të fillohet me demarkacion. Burimi i të dhënave dhe faktet hartografike janë të shumta dhe në anën tonë. A ka ma mirë se me mbrojt atë që na takon duke u thirr në fakte të autorëve, akademikëve, institucioneve dhe literaturën jo shqiptare, sidomos të atyre që nuk ja donin të mirën Kosovës. Aq më tepër kur dihet se këto fakte janë të sakta dhe institucionale.
Nga të gjitha këto mund të konkludohet se hulumtimet shkencore-profesionale të mbështetura në fakte hartografike, historike dhe praktike vërtetojnë se territori i Kosovës me demarkacionin e ri humbë sipërfaqe prej 8229.4 hektar.
Autoret kanë punuar edhe pjesën e katërt të hulumtimit që ka të bëj me vërtetën e sipërfaqes së Kosovës nëpër vite nga autoret dhe institucionet e ndryshme. Momentalisht janë duke punuar në gjetjen e dokumentacioneve administrative të cilat vërtetojnë (mos) harmonizimin e territorit të vërtet të Kosovës me territorin e pronave të paluajtshme. Kërkimet janë përqendruar në të gjitha periudhat kohore pas luftës së dytë botërore.