Rezistencë kundër racizmit zviceran

Shqiptarët manipulojnë zgjedhjet, dëmtojnë veturën e një zvicerani, therin me thikë «zviceranët»: komuniteti shqiptar në Zvicër duhet të kundërshtojë shpifjet dhe akuzat raciste e paushalle të një shtrese zviceranësh të prapambetur. Njëherë duhet të vijë momenti kur duhet thënë: stop!



Rreth 200 mijë shqiptarë jetojnë në Zvicër. Jo të gjithë janë engjëj. Disa merren me drogë, disa mashtrojnë institucionet sociale dhe përfitojnë paligjshëm para, disa sillen me agresivitet të paparë në jetën publike, disa rrezikojnë jetën e këmbësorëve me stilin e ngasjes së veturave. Të gjitha këto sjellje janë të papranueshme dhe e dëmtojnë rëndë imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Por, kjo shtresë nuk përbën shumicën. Është një pakicë që prodhon lajme negative. Pasojat i bart shumica. Një vajzë me mbiemrin Berisha refuzohet nga ndërmarrjet sa herë që kërkon punë, madje edhe kur i plotëson kushtet për punësim më shumë se ndonjë çupë vendore. Një djalë me mbiemrin Kelmendi, Thaçi apo Gashi s’mund të gjejë një firmë, ku mund të nxë një profesion për shkak se dikush me një nga këta mbiemra mund të ketë rënë në konflikt me ligjin. Një hajvan shqiptar gjuan një gurë në liqen apo në lumë dhe 100 shqiptarë të tjerë duhet të bartin damkën.

Së fundi, pas zgjedhjeve në kantonin e Wallisit, eksponentë të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) ngritën akuza kundër një shqiptari për manipulim të procesit zgjedhor. Shqiptarët në Wallis nga SVP shikohen me dyshim, sepse mbështesin partinë demokristiane (CVP). Në festat dhe tubimet e shqiptarëve marrin pjesë edhe liderë demokristianë zviceranë. Kjo i ka shërbyer SVP-së, e cila qe 25 vjet suksesin e saj politik e arrin edhe falë fushatave të egra, madje raciste kundër të huajve, të ngre dyshime për kosovarët që manipulojnë zgjedhjet. SVP e ka një hall në Wallis: ministri i saj kantonal për arsim dhe drejtësi, Oskar Freysinger, humbi postin në zgjedhje pas një sërë skandalesh. Freysinger kishte angazhuar si këshilltar një serb, që mohon gjenocidin në Srebrenicë. Po ashtu Freysinger njihet për qëndrimet e tij proruse dhe proserbe, ai është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Të mërkurën mediat bulevardeske të Zürichut përhapën lajmin se një taksist në kantonin Thurgau nuk e ka ndërmend të transportojë më shqiptarë. Në profilin e tij në Facebook ai ka njoftuar se ka marrë një vendim të tillë për shkak se shqiptarët nuk janë të sinqertë dhe për shkak se kanë demoluar veturën e tij. Ky rast individual dhe ende i pa hulumtuar nga mediat e etabluara shërben tani për ndezje të emocioneve negative kundër shqiptarëve. Thua se zviceranët na qenkan engjëj. A nuk janë fansat e klubeve të futbollit të Zürichut dhe Baselit ata që demolojnë çdo gjë që shohin pas ndeshjeve, a nuk janë ata që e ndalin madje edhe trenin dhe paralizojnë transportin publik, a nuk janë zviceranë ata që shpesh shkatërrojnë dyqane dhe filiale bankash në protesta kundër kapitalizmit? Natyrisht që janë, por askujt nuk do t’i shkonte ndërmend që për këto delikte t’i akuzojë të gjithë zviceranët, pa dallim.

Para disa vitesh një hajvan shqiptar kishte sulmuar me thikë një zviceran, kampion të Schwingen (ose Hosenlupf), një sport tradicional që mund të krahasohet me pehlivanllëkun në viset shqiptare. Natyrisht që kjo është një vepër e papranueshme, por çfarë bëri Partia Popullore të Zvicrës (SVP)? E mbuloi Zvicrën me posterë: «Kosovarët therin zviceranët». Drejtësia reagoi dhe i dënoi disa kuadro të SVP-së për racizëm.

Shqiptarët nuk duhet të durojnë racizmin e disa hajvanëve zviceranë. Zvicra është shtet ku funksionon ligji dhe shqiptarët, pa marrë parasysh nëse kanë shtetësi zvicerane apo vetëm lejeqëndrim, kanë të drejtë të rezistojnë kundër kësaj fushate, kanë të drejtë të denoncojnë në gjykata racistët dhe kanë shanse të mira të dalin fitues. Komuniteti shqiptar në Zvicër duhet të kundërshtojë shpifjet dhe akuzat raciste të një shtrese zviceranësh të prapambetur. Më aktive në këtë drejtim duhet të jenë edhe përfaqësitë e përgjumura diplomatike. 200 mijë shqiptarë nuk janë mysafirë në këtë vend. Shumë prej tyre janë shtetas zviceranë, pra gëzojnë të drejta absolutisht të barabarta si çdo zviceran, madje edhe nëse ai zviceran e ka mbiemrin Müller apo Meier. Shqiptarët janë edhe taksapagues, andaj nuk duhet të durojnë asnjë përbuzje dhe nuk duhet të pranojnë me kokën ulur çdo fushatë të ndërtuar me gënjeshtra. Njëherë duhet të vijë momenti kur duhet thënë: stop!