Rezistenca e bllokut lindor ndaj refugjatëve vë në pah ndarjet kulturore dhe politike të Evropës




Qëndrimi i shteteve lindore – që reflekton përzierje të lëvizjeve të së djathhtës ekstreme, nacionalizmit, paragjykimeve racore dhe fetare, si dhe argumentet për gjendjen e vështirësuar ekonomike krahasuar me shtetet më të pasura fqinje – është dëshmia e fundit e dallimeve kulturore dhe politike që përherë kanë ndarë Perëndimin dhe Lindjen

 

Nga Rick LYMAN

Megjithëse shteteve të ish-bllokut komunist të Evropës Qendrore dhe të asaj Lindore u është kërkuar të pranojnë vetëm një hise të vogël të numrit të lartë të refugjatëve që po i merr Gjermania dhe vendet e tjera, rezistenca e tyre e ashpër tani qëndron si pengesa kryesore për kundërpërgjigjen e bashkuar evropiane ndaj krizës.

«Diktatet» e «solidaritetit të rrejshëm»

Presidenti i ri polak, Andrzej Duda, është ankuar kundër «diktateve» nga Bashkimi Evropian për të pranuar emigrantë që kanë vërshuar kontinentin pas ikjes nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Kryeministri sllovak, Robert Fico, thekson se vendi i tij do të pranojë vetëm refugjatë të krishterë, sepse do të ishte «solidaritet i rrejshëm» që të detyrohen myslimanët të vendosen në një vend që nuk e ka as edhe një xhami të vetme. Viktor Orban, kryeministër i linjës së ashpër i Hungarisë, e ka quajtur «rebelimin të emigrantëve ilegalë» fluksin e fundit dhe zotohet se prej kësaj jave do të ketë ashpërsim të masave ndaj tyre.

Kjo paqartësi e dhënies së përgjigjes së përbashkët ka shkundur edhe më shumë unionin që edhe ashtu nuk ka strategji të qartë kundrejt krizës financiare greke. Evropa është vërshuar nga fluksi historik i emigrantëve dhe nuk ka zë unik, megjithëse po përjeton një paqe dhe perspektivë relative.

Kur përfaqësuesit e shteteve të Bashkimit Evropian takohen në fillim të javës për punën e propozimit për alokimin e refugjatëve në shtetet anëtare, shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore me gjasë do të jenë kundërshtaret më të fuqishme. Qëndrimi i tyre – që reflekton përzierje të lëvizjeve të së djathhtës ekstreme, nacionalizmit, paragjykimeve racore dhe fetare, si dhe argumentet për gjendjen e vështirësuar ekonomike krahasuar me shtetet më të pasura fqinje – është dëshmia e fundit e ndarjeve kulturore dhe politike që përherë kanë ndarë Perëndimin dhe Lindjen.

Kriza e vlerave evropiane

Kur iu bashkuan Bashkimit Evropian – qysh bënë edhe ish-shtetet komuniste në vitin 2004 – anëtarëve të rinj iu kërkua që të zotoheshin për zbatim të të ashtuquajturave vlera evropiane, përfshirë tregjet e hapura, qeverisjen transparente, respektimin e medias së pavarur, kufijtë të hapur, diversitetin kulturor, mbrojtjen e minoriteteve dhe refuzimin e ksenofobisë.

Por është realitet se shtetet e ish-bllokut komunist kanë dështuar gjatë menaxhimit të krizës së fundit të refugjatëve dhe nuk kanë zbatuar shumicën e këtyre vlerave për të cilat kishin dhënë fjalën. Oligarkët, korrupsioni kronik dhe endemik mbesin pjesë e përditshmërisë në mesin e shumicës së këtyre vendeve, liria e shtypit është në rënie, derisa shihet rritje e nacionalizmit dhe lëvizjeve populiste politike, që kanë ndikuar në krijimin e atmosferës anti-emigrante.

«Njerëzit duhet ta kujtojnë se Polonia ka qenë në transicion prej komunizmit qe 25 vjet me radhë», ka deklaruar Lech Walesa, që i priu lëvizjes për pavarësim të vendit. Ai ka deklaruar gjatë një intevriste se «pagat dhe shtëpitë tonë ende janë më të vogla se ato në Perëndim. Shumë njerëz këtu nuk besojnë se kanë çfarë të ndajnë me emigrantët. Veçanërisht kur ata shohin se emigantët janë të veshur mirë, nganjëherë edhe më mirë se shumë polakë».

Evropa Lindore s’i do myslimanët

Në fakt pak emigrantë janë të interesuar të vendosen në Evropën Lindore, duke preferuar të marrin rrugë drejt Gjermanisë dhe Skandinavisë, ku përfitimet prej sistemeve sociale janë më të larta dhe ka më shumë mundësi për vendosje dhe integrim në komunitet. Aty ka edhe diaspora të stabilizuara të vendeve të Lindjes së Mesme. Në këtë kuptim edhe emigrantët ndjejnë neveri për krerët e shteteve të ish-bllokut komunist të Evropës Lindore, të cilët mendojnë se blloku me 28 shtete anëtare duhet të fokusohet para së gjithash që të mbyllë kufijtë dhe të marrë masa për përfundimin e luftës civile në Siri para se të flitet për pranimin e kuotave të emigrantëve për secilin shtet veç e veç.

Por qysh ndodh edhe shpesh, diskursi politik në këto vende shpejt ka lëvizur drejt zemërimit të hapur të pranimit të diversitetit fetar e racor.

«Ky fluks refugjatësh ka zemëruar krahun djathtist», ka deklaruar Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i «Human Rights Watch». «Nëse ua hiqni maskat, pse atëherë janë kaq të zhgënjyer? Nuk është puna e vendeve të punës ose aftësisë për të menaxhuar sistemet e mirëqenies sociale ose të refugjatëve. Bëhet fjalë vetëm për faktin se ata janë myslimanë».

Ndryshe prej shteteve në Evropën Perëndimore, ku ka rrëfime të vjetra të pranimit të emigrantëve të kulturave të ndryshme, shtetet e ish-bllokut komunist kanë prirje të jenë më homogjene. Polonia, ta zëmë, ka 98 për qind të popullsisë të bardhë dhe 94 për qind katolike.

Transformimi i papritur «të moderuarve»

«Dhe shtetet që kanë shumë pak diversitet janë ato me kundërshtimet më të vendosura ndaj refugjatëve», ka deklaruar Andrew Stroehlein, drejtor evropian për analiza mediatike në «Human Rights Watch».

Madje edhe krerët politikë të rrymës kryesore të etur për t’iu afruar Brukselit, vendit ku janë selitë qendrore të institucioneve të Bashkimit Evropian, ndjejnë presionin që t’i bashkohen kësaj vale të nacionalizmit në ngritje.

«Duke ashpërsuar retorikën e tyre dhe duke treguar dorë të fortë kundrejt minoritetit rom, duke hedhur poshtë BE-në dhe duke refuzuar zgjidhjen e përbashkët të krizës së refugjatëve, ata po mundohen t’ia marrin anën të djathtës ekstreme dhe të mbajnë në pushtet partitë politike tradicionale», ka deklaruar Zuzana Kusa, hulumtuese seniore në Institutin për Sociologji të Akademisë Sllovake të Shkencave.

Ka edhe dëshpërim të përhapur gjithandej me shpejtësinë me të cilën po zhvillohet ekonomia pas rënies së komunizmit dhe se vendet janë shumë të varfra për të ofruar mbështetje vendimtare për emigrantët.

«Ka një histori të vjetër të viktimizimit në rajonin tonë», ka thënë Csaba Szalo, profesor i sociologjisë në Universitetin Masaryk në Brno. «Ne kemi qenë ata që gjithnjë kemi qenë viktima të padrejtësisë, ata që kemi vuajtur. Dhe tani është dikush që po mundohet ta rrëmbejë këtë status. Njerëzit e kanë të zorshme ta pranojnë se dikush mund të ketë vuajtur më shumë se ne».

Ksenofobia në ngritje

Derisa ksenofobia në ngritje ka rolin e vet, ka edhe faktorë të tjerë prapa ndarjes Lindje-Perëndim, ka thënë Marcin Zaborowski, zëvendëspresident ekzekutiv në Qendrën për Analiza Politike Evropiane dhe drejtues i zyrës së saj në Varshavë.

«Arsyeja kryesore për këtë dallim në sjellje është se ne vijmë nga një rajon ku është e dobët tradita e pranimit të refugjatit me kulturë tjetër», ka thënë ai. «Dhe tani është kjo valë e refugjatëve nga një kontinent tjetër që nuk ka precedent, kështu që njerëzit nuk dinë çfarë të mendojnë».

Shumica e vendeve, si Polonia, nuk «kanë infrastrukturën e duhur në vend për t’u marrë me asimilimin e tillë kulturor» dhe pak apetit për të shpenzuar burime të çmuara për krijimin e politikave asimiluese, ka deklaruar Zaborowski.

E kur vjen puna te indiferenca e dukshme e rajonit ndaj vuajtjes së emigrantëve, ndryshe prej Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, shtetet e dikurshm ekomuniste nuk kanë histori të kolonializmit, ka thënë ai.

«Sjellja është kjo: Nuk jemi përzier në këto shtete që tani po dërgojnë refugjatë, qysh kanë bërë vendet e tjera, dhe ne nuk kemi ndjenjën e fajësisë për detyrimin tonë që të merremi me ta», ka thënë Zaborowski.

Dhe të gjitha këto sjellje përbashkohen në aversionin e përbashkët ndaj Brukselit që u tregon shteteve anëtare çfarë duhet të bëjnë.

«Rrezikimi» i vlerave të krishtera hungareze

Në Hungari, zoti Orban ka mbajtur qasje të pakompromis, duke kërkuar më shumë ndihmë nga Brukseli për menaxhimin e mijëra refugjatëve që hyjnë përditë në vendin e tij. Ka ngulmuar se Hungaria nuk e ka për detyrë të rrezikojë vlerat e saj tradicionale të krishtera duke pranuar numra të lartë myslimanësh.

Një garniturë e re ligjesh do të fuqizohet prej të martës, duke ia lejuar Qeverisë hungareze të ndërtojë “zona të reja transiti” në kufi, ku shumë shpejt do të diskutohen kërkesat për azil – tetë ditë dhe tri të tjera për të drejtë ankese, një procedurë që të gjithë thonë se shkel rregullat e vëna prej Bashkimit Evropian.

Por Hungaria nuk është vend që mban qëndrim të fortë dhe nuk ka pasur protesta antiemigrante. Marshet antiemigrante kanë qenë të shpeshta në Sllovaki dhe në disa vende të tjera.

Në Estoni, shtet në pjesën veriore të Baltikut, që ka një popullsi prej 1.3 milionë banorësh, ka mjaftuar zotimi për pranimin e më shumë se 200 refugjatëve gjatë dy viteve të ardhshme për të nxitur protesta. Motoçiklistët djathtistë kanë demonstruar jashtë qendrës së vetme të vendosjes së refugjatëve në korrik, dhe në fillim të këtij muaji ajo ishte djegur rrafsh me tokë.

Zyrtarët në Letoni kanë thënë se do të vazhdojnë të kundërshtojnë kërkesat e detyrueshme që të pranojnë një numër refugjatësh, ndërkaq partitë e koalicionit qeverisës duket se nuk janë të zonja të pajtohen nëse kjo çështje duhet të hidhet për votim në kuvend.

«Do të ishte gabim i madh dhe pikëlluese nëse kjo çështje do ta kërcënonte qeverinë», ka deklaruar presidenti Raimonds Vejonis.

Mekanizmi i sherrit apo i ndihmës?

Zyrtarët lituanë kanë thënë se janë të hapur për diskutim të pranimit të më shumë refugjatëve, por vetëm në baza vullnetare, dhe se do të vazhdojnë të kundërshtojnë «mekanizmin e përhershëm», që do të dërgonte refugjatë në Letoni edhe në të ardhmen.

Bullgaria është pajtuar të pranojë 500 refugjatë, por sipas formulës së re të publikuar javën e kaluar, Sofjes zyrtare mund t’i kërkohet të panojë më shumë se 2.000.

Duke folur nëpërmjet telefonit derisa po voziste pas mbarimit të një konference ekonomike në jug të Polonisë, Robert Beidron, kryetar i qytetit Slupsk, ka thënë se i vjen turp prej reagimit të shumë njerëzve ndaj vuajtjes së emigrantëve. «Gjithnjë ka konflikte anembanë botës dhe njerëzve u duhet ndihma», ka deklaruar zoti Biedron. «Mbase, ndonjë ditë përsëri, popullit polak do t’i duhet ndihmë. A dëshirojmë të dëgjojmë: ‹Oh, polakët janë shoqëri e rrezikshme, ju jeni ndryshe, ju nuk jeni pjesë e kulturës tonë›».

Ai ka thënë se tashmë ua ka bërë «bllok» shumë miqve në «Facebook» – madje edhe «njerëzve me arsim të lartë, që i mendoja si miq të mi» – për shkak të komenteve antiemigrante që i kanë postuar.

«Ja ku jam, duke vozituar në një rrugë të ndërtuar me paratë e Bashkimit Evropian», ka thënë zoti Biedron. «Është ndërtuar me paratë e mbledhura prej taksapaguesve në Itali, Gjermani dhe Francë. Ne tani refuzojmë të kryejmë pjesën tonë? Përnjëmend më vjen turp».

Zoti Walesa ka thënë se është munduar të kryejë detyrën e tij. Duke reaguar ndaj një lutje të Papa Françeskut që katolikët të marrin nga një refugjat në familje, zoti Walesa ka theksuar se do ta bënte këtë po të pajtohej edhe gruaja e tij.

«Ajo heziton», ka thënë ai. «Ajo i rriti vetë fëmijët tanë dhe është lodhur nga jeta. Kështu që do të duhej të merresha unë me përgjegjësinë e kujdesit ndaj emigrantëve».

«New York Times»
Foto: Istvan Csak/Shutterstock.com