Revolucion mjekësor: Firma zvicerane prezanton një terapi për shërimin e leukemisë

Leukemia ose kanceri në gjak mund të shërohet përmes një terapie të re të zhvilluar nga kompania zvicerane Novartis.

Ilustrimi: Shutterstock



Leukemia, një ndër sëmundjet më të rënda kanceroze, gjendet para mposhtjes nga mjekësia. Siç njofton gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» në numrin e së enjtes, një terapi e re do të mundësojë një revolucion në luftimin e kësaj sëmundjeje shpeshherë vdekjeprurëse. Pacientët te të cilët nuk ka ndikuar pozitivisht asnjë terapi e deritanishme, tani kanë shans të shërohen dhe kështu të fillojnë një kapitull të ri jetësor. Terapia ka rezultuar aq e suksesshme, saqë zyra amerikane për licencimin e barërave (FDA) ka lejuar aplikimin e saj me procedurë të përshpejtuar. Kërkesën për licencim e ka bërë kompania e njohur zvicerane e barërave Novartis. Vendimi definitiv pritet të merret në tetor. Kërkesë për licencim të ilaçit Novartis ka bërë edhe në Zvicër pranë zyrës për licencim të barërave Swissmedic.

CTL019 quhet arma e re efektive kundër leukemisë. Nuk bëhet fjalë për tabletë, as për injeksion, por për një trajtim me qeliza imune të pacientit. Ato shndërrohen gjenetikisht në laborator në atë mënyrë, saqë kur të kthehen në trup të njeriut i dallojnë qelizat kancerogjene, i atakojnë dhe mbysin. Mjeku Carl June nga Universiteti në Pennsylvania tha se këto qeliza janë «Serial Killers», vrasëse serike.

Në një studim klinik që ka kryer Novartis leukemia është zhdukur te 52 prej 63 pacientëve. «Pa asnjë dyshim kjo është një terapi efektive», tha Jakob Passweg, kryemjek i hematologjisë në Universitetin e Baselit. Mendohet se 80 për qind e sëmundjeve të leukemisë mund të luftohen me terapinë e re. Fillimisht çmimi i terapisë, sipas analistëve mjekësore, do të sillet rreth 500 mijë franga, por ky çmim mund të bie në 100 mijë franga për shkak se në këtë fushë janë duke hulumtuar edhe kompani të tjera konkurruese. Në mesin e mjekëve në Zvicër ekziston një entuziazëm i madh pas lajmit për terapinë e re kundër leukemisë, e cila në fillim do të aplikohet veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë e prekur nga kjo sëmundje. (-lli)