«Revolucion? Çfarë revolucioni?» – pyet Rusia pas një shekulli

Shpjegimi më i mundshëm që e japin disa zyrtarë Kremlini, historianë dhe analistë të tjerë është se presidenti Vladimir Putin nuk e do hiç idenë e revolucionit, e lëre më t’i shkojë nëpër mend se rusët mund të dalin në rrugë dhe të festojnë rrëzimin e një sundimtari. Për më tepër, viti 1917 nuk i shkon fare për shtati versionit të Kremlinit për historinë ruse si një vend që po mundohet të vërë frymën e një vendi me krenari të kahershme dhe të bashkuar drejt qëllimit të përbashkët, shkruan Neil MacFarquhar në «New York Times»

Foto: Schutterstock



Kremlini e ka ndarë mendjen që të mos e shënojë njëqindvjetorin e Revolucionit Rus. Ani pse kryengritjet e vitit 1917 e transformuan vendin dhe botën, duke sjellë papritmas fundin e carëve, nisjen e epokës komuniste dhe përhapjen e përplasjes ideologjike me Perëndimin që nuk ka mbaruar sot e asaj dite.

Nuk është organizuar asgjë më 12 mars, dita që përgjithësisht njihet si fillimi i kryengritjes. As nuk ka pasur ndonjë interpretim zyrtar të lëshuar nga Qeveria, si me rastin e përvjetorit të Luftës së Dytë Botërore që ishte konsideruar «Fitore e madhe». Arsyeja pse shteti rus ka vendosur të heshtë për këtë ngjarje është se Rusia vazhdon të mbetet tepër e ndarë kur vjen puna te pasojat e atij revolucioni fatal.

Shpjegimi më i mundshëm që e japin disa zyrtarë Kremlini, historianë dhe analistë të tjerë është se presidenti Vladimir Putin nuk e do hiç idenë e revolucionit, e lëre më t’i shkojë nëpër mend se rusët mund të dalin në rrugë dhe të festojnë rrëzimin e një sundimtari. Për më tepër, viti 1917 nuk i shkon fare për shtati versionit të Kremlinit për historinë ruse si një vend që po mundohet të vërë frymën e një vendi me krenari të kahershme dhe të bashkuar drejt qëllimit të përbashkët.

Dhe kur vjen puna te njëngjarje të tillë, Kremlini po i qëndron linjës zyrtare për të shmangur ndonjë pakënaqësi të brendshme. «Për një grup njerëzish, revolucioni ishte kambanë vdekjeje e Rusisë së Madhe – ishte Brexit, kur ne ndalëm zhvillimin tonë në Europë», thekson Mikhail Shvydkoy, përfaqësues special i Putinit për çështje kulturore gjatë një interviste dhënë në Shtëpinë Qendrore të Shkrimtarëve, njëfarë rezidence pararevolucionare. «Për shumëkënd, e kaluara sovjetike ishte koha më e mirë në jetën e tyre».

Putini po lufton me mish e me shpirt që ta bashkojë vendin, por ka thënë se ndërkaq «çfarëdo feste në nivel shtetëror do të thellonte edhe më shumë ndasitë». Pavarësisht perceptimit të përhapur me të madh se cari ishte rrëzuar në atë që sovjetikët e kishin cilësuar si Revolucioni i Madh Socialist i tetorit, ishin dy revolucione më 1917. Revolucioni i Shkurtit (që tani bie në mars, për shkak të një kalendari tjetër të përdorur atëherë) rrëzoi carin dhe e zëvendësoi me një qeveri të përkohshme që zbatoi reforma liberale si të drejtën e përgjithshme të votës. Tetë muaj më vonë, Lenini dhe fraksioni i tij i margjinalizuar sovjetik orkestruan një grusht shteti të jashtëzakonshëm që botës ia dha shtetin e parë komunist.

Kritikët e Putinit të revolucionit thonë se ndryshimi i madh nuk shkon assesi me lavdet që ai i thur për historinë ruse. «Ne i dimë fort mirë pasojat që mund të sjellin këto kryengritje të mëdha», ka deklaruar ai në fjalimin e tij drejtuar kombit në dhjetor. «Fatkeqësisht, vendi ynë ka kaluar nëpër shumë trazira dhe nëpër pasojat e tyre në shekullin njëzetë». Në një forum të mëparshëm publik, duke nënçmuar Leninin, ka thënë: «Nuk na duhej një revolucion botëror».

Presidenti e ka heshtur këtë përvjetor deri në nivel ceremonish akademike, duke e caktuar një komision special për organizimin e seminareve të ngjashme. Më parë, rrëfimi zyrtar ishte një ese shkruar prej Aleksandër Solzhenicin, në të cilën shkruante se mosbesimi i thellë ndërmjet shpurës së carit dhe elitës së shkolluar bashkë me përzierjen e gjermanëve sollën katastrofën politike.

Pretendimi për ndërhyrje të jashtme se Rusia kaherë ka qenë e rrethuar me agresorë të jashtëm dhe se Perëndimi digjet për instalimin e qeverive të dëgjueshme kudo duke sponsoruar «revolucione me ngjyra», gjithnjë kanë qenë në thelb të narrativit të Kremlinit. Kolumnistët e kanë krahasuar vitin 1917 me revolucionet e fundit me ngjyra në shtete si Gjeorgjia dhe Ukraina, ku natyrisht se janë Shtetet e Bashkuara në krye të listës së atyre që akuzohen si agjitatorë të dyshuar.

Por ka edhe mungesë të figurave heroike në revolucion. Cari Nikollai i Dytë ishte rrëzuar se ishte i dobët. Aleksander Kerenski, njeriu kryesor në qeverinë e përkohshme, doli se ishte joefikas. Lenini nisi bojkotin me nxitje të gjakderdhjes dhe shkatërroi Kishën Ortodokse Ruse, shtyllë e përkrahjes së Putinit.

«Vladimir Putini nuk mund ta krahasojë veten me Nikollain e Dytë, as me Leninin a Kerenskin, sepse kjo nuk është historia ruse me të cilët mund të krenohet», ka deklaruar Mikhail Zygar, gazetar rus dhe autor i librit bestseller, «Krejt burrat e Kremlinit», që sjell hollësi për mënyrën e qeverisjes së Putinit. «Sa i përket vitit 1917, nuk ka asnjë që mund të përdoret si vegël propagande».

Sa për krahasim, Kremlini e ka shndërruar Luftën e Dytë Botërore në apogje të unitetit kombëtar. Në mungesë të fushate të instruktuar, fraksione të tjera janë të lumtura që së paku mund t’u referohen ngjarjeve të fundit. Në një prej forumeve të fundit, Vladimir Medinsky, ministri konservator i Kulturës, theksoi se revolucioni kishte nënvlerësuar rreziqet e hapjes së rrugës së sundimit të liberalëve, sepse ata, sipas tij, përherë e vënë interesin e tyre para Rusisë.

Metropoliti Hilarion i Kishës Ortodokse Ruse, duke folur në të njëjtën ngjarje, nuk e la pa folur kundër atyre që kishin shkatërruar shtetin carist dhe nuk kërkoi një rrugë të ndërmjetme. Liberalët ndërkaq konsiderojnë se qeveria represive që injoron faktet dhe shkel të drejtat elementare të qytetarëve ka rrezik se mund të sjellë përsëritje të historisë.

«Autoritetet nuk mund a festojnë 1917-shin», ka deklaruar historiani Nikita Sokolov. «Çfarëdo që mund të ketë ndodhur, shpirti i revolucionit ishte drejtësia sociale. Një vend me pabarazi të tillë nuk mund ta festojë këtë ngjarje. Dhe duhet thënë gjithashtu se autoritetet çdo revolucion e shohin si revolucion me ngjyra».

Për Partinë Komuniste – që ka lidhje si asnjëherë tjetër të dobët me opozitën – themelimi i Bashkimit Sovjetik ishte arritja e vetme e madhe. Ajo po bën plan që ta festojë përvjetorin së paku me parada në Moskë dhe vende të tjera më 7 nëntor, që në kohën e Bashkimit Sovjetik ishte festa më e madhe kombëtare.

Por ka përpjekje që kjo ngjarje të kujtohet me disa zhvillime. Zygari, ish-kryeredaktor i kanalit të pavarur informativ «TV Rain», ka themeluar një prej projekteve më ambicioze, të quajtur «Projekti 1917». Duke ua hequr pluhurin një mali me dokumenti arkivore, ai dhe stafi i tij kanë përpiluar projekti të njohur si «Imitim Facebooku», duke sjellë kronologjinë e ngjarjeve të vitit 1917 në rusisht e anglisht. Aty përdoren kujtime të qindra figurave të njohura të asaj kohe që krijojnë një pasqyrë të ngjarjeve të përditshme, përfshirë edhe përshkrimet për motin.

Më tetë mars, ta zëmë, derisa kishin nisur pakënaqësitë në Shën Petërburg, Nikollai i Dytë ankohet për shkak se fëmijët e tij e kishin fruthin. Të tjerët ishin përqendruar te kaosi. Mikhail Rodzianko, kryetar i Dumës, shkruante: «Diçka nuk shkoi sot dhe makineria e shtetit e mori teposhtën». Më 15 mars, në ditën e abdikimit, cari shkruante: «Gjithkah tradhti, qyqari dhe mashtrim». Një ditë më vonë shkruante se po lexonte një libër për Julius Caesarin, pastaj u shmanget referencave politike deri në prill, ka vërejtur Zygari.

Nëse perandori ishte i plogësht, qindra të tjerë kishin marrë vrull. Ishte koha e gjigantëve rusë në letërsi, balet, pikturë, pikturë, muzikë dhe filma, njerëz, si puna e Serge Diaghilevit, Igor Stravinskyt, Sergei Eisensteinit, Vladimir Mayakovskyt dhe Kazmir Melavichit. Figura politike si Lenini, Maxim Gorky dhe Leon Trovki po rrisnin peshën e ndikimit.

«Pothuajse të gjithë rusët më të famshëm në botë rastisi se po jetonin në atë epokë», ka deklaruar Zygari, që ishte frymëzuar të shkruante një histori të asaj epoke me titullin «Perandoria duhet të vdesë» dhe pastaj ëndërroi punën e uebfaqes që të mundohej të arrinte te masat e gjera.

Shumë historianë dhe njerëz të tjerë theksojnë se Rusia ka njëfarë qasje të dykuptimshme kur vjen puna te viti 1917. Megjithëse shumëkush mendon se ai shkatërroi vendin, simbolet e atij revolucioni ende vërehen në jetën e përditshme. Në një forum të mbajtur së fundi, Leonid Reshetnikov, historian dhe ushtarak i pensionuar në shërbimin e jashtëm të inteligjencës ruse, përshkroi se ishte munduar t’ia shpjegonte mbesës pse qyteti Jakaterinburg ka një kishë kushtuar carit dhe familjes së tij, që ishin pagëzuar nga kisha, si dhe një monument komandantit lokal bolshevik që besohet se kishte urdhëruar vrasjen e tyre aty.

«Ne jetojmë në shizofreni historike, me këto monumente kushtuar Leninit, dhe gjithë atyre», ka deklaruar ai, duke thënë se nuk mund të konsiderohen protestuesit e rrugës si revolucionarë potencialë. «Si t’ua shpjegojmë të rinjve se nuk duhet të bëhen revolucionarë, se duhet të tregohen qytetarë besnikë – po, të luftojnë për Rusinë, t’ia dëshirojnë të mbarën, por jo në rrethana komploti, grusht shteti, marshimi e vrasje?»