Reuters hedh dyshime për liberalizim

Shtetet e Bashkimit Evropian kanë vendosur që të shtyjnë procesin e liberalizimit të vizave për Turqinë, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Kosovën për shkak të frikës për imigrim, raporton agjencia e lajmeve Reuters në burime të veta.




«Ne nuk duam të ndalim gjithë procesin. Ne vetëm duam të jemi më të kujdesshëm», ka thënë një diplomat i BE-së për Reutersin kundër liberalizimit të vizave për Gjeorgjinë.

Reuters raporton se kjo është bërë për shkak se BE frikësohet nga fluksi i madh i qytetarëve nga këto katër shtete.

Agjencia e njohur ka raportuar në detaje për Turqinë dhe Gjeorgjinë se pse do t’iu shtyhet ky proces, ndërsa për Kosovën një gjë e tillë nuk është bërë.

Rasti i një shteti tjetër optimist, Kosovës, është ngadalësuar edhe pse Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për katër shtetet, kanë thënë burimet e Reutersit brenda BE-së.

Reuters ka treguar se Kosova nuk njihet nga pesë shtete të BE-së dhe është vendi i fundit nga Ballkani që nuk ka liberalizim të vizave.

Reuters nuk ka njoftuar kur do të merret një vendim përfundimtar, por ka shtuar se ambasadorët e Kosovës dhe Gjeorgjisë në Bruksel janë shprehur optimistë për marrjen e liberalizimit të vizave.

«Kjo është ajo që neve na është kërkuar të bëjmë, këto janë kriteret dhe rruga që është ndjekur. Dhe nëse ky është proces teknik, këtë është dashur ta bëjmë», thotë Mimoza Ahmetaj, ambasadore e Kosovës në Bruksel, duke shtuar se «Kosova nuk mund ta kërcënojë gjithë Evropën».