Restaurimi i urës rikthen optimizmin në Mitrovicën e përçarë

Serbët dhe shqiptarët në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës në veri të Kosovës, mirëpritën fillimin e punimeve të rinovimit të urës, si shenjë shprese për rikthimin e marrëdhënieve normale te banorët.

Foto: bibiphoto / Shutterstock.com

Pak vendas qenë të pranishëm në fillimin e punimeve të rinovimit për urën që ndan veriun e mbizotëruar nga serbët dhe jugun kryesisht shqiptar të qytetit të ndarë etnikisht të Mitrovicës.

Ndërsa disa nuk preferuan të flasin me median, ata që folën për BIRN të dielën, kur filluan punimet, përshëndetën fillimin e restaurimit dhe rihapjen e mëvonshme të urës si një shenjë që marrëdhëniet normale mund të kthehen në qytet.

Ndërsa makineritë e rënda filluan çmontimin e të ashtuquajturit Parku i Paqes – një barrikadë e përbërë nga vazot me lule e vënë prej serbëve për të bllokuar kalimin e makinave në urë – disa qenë optimistë se kjo lëvizje do të kthejë jetën thuajse në normalitetin e para luftërave të Ballkanit në vitet 1990.

Nusha Haradini, një banore shqiptare, foli për BIRN ndërsa kalonte më këmbë urën nga veriu në jug.

«Rivitalizimi duhet të kishte ndodhur shumë më herët, por për sa kohë mund të përfitojmë prej kësaj, nuk është ende shumë vonë. Kjo urë duhet të ketë funksionon e para luftës, kur njerëzit lëviznin lirshëm nga të dyja anët», tha ajo.

«Kam parë që kohët e fundit shtetasit nga të dyja anët e lumit filluan të udhëtonin më shumë nga veriu në jug dhe e kundërta. Duket se kemi filluar më në fund të ecin përpara».

Po ashtu, Zivojin Simiç, një serb që jeton në veri të qytetit e përshkroi fillimin e punimeve dhe rihapjen e urës për kalim si «shumë të mirë për banorët e të dyja anëve të lumit».

«Kjo urë nuk duhej bllokuar kurrë. Bllokimi i urës çon në ndarje të mëtejshme mes dy etnive», tha ai. Ura, që ndodhet mbi lumin Ibër, pritet të hapet për kalimtarët dhe makinat më 20 janar 2017.

Në vitet e fundit, një barrikadë e madhe e bërë nga guri dhe rëra që u bë nga serbët vendas – të njohur si monitoruesit e urës – ndalonte lëvizjen e lirë të makinave mbi urë.

Ndërsa barrikada u hoq në qershor 2014, menjëherë u zëvendësua nga Parku i Paqes, bërë kryesisht nga vazo bimësh. Barrikada e re shkaktoi protesta te shqiptarët e Kosovës, disa prej të cilave degraduan në dhunë dhe çuan në djegien e disa makinave.

«Mjedis i qetë»

Përfaqësuesit e policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR po monitorojnë prishjen e barrikadës. Nuk pati mbledhje të njerëzve apo protesta nga asnjë grup etnik.

«Mendoj se është gjë e mirë që kjo po ndodh në një mjedis të qetë. Kjo është ajo që prisnim në një hap të rëndësishëm, që shpejt do të çojë në hapjen e urës për kalim», tha për BIRN Thomas Gnoçhi, i cili drejton Seksionin Politik, Ekonomik dhe Integrimin Europian të Zyrës së BE në Kosovë.

Ndërsa asnjë zyrtar serb nuk qe i pranishëm, Gnoçhi thotë se ai është siguruar se ata janë pro vazhdimësisë së ndërtimit të urës.

«Kemi kontaktuar me ta dhe gjithçka është normale», tha Gnoçhi.

Agim Bahtiri, kryetar i komunës jugore të Mitrovicës, tha se kjo ishte shumë e rëndësishme për të gjithë banorët e qytetit, si shqiptarët edhe serbët.

«Sot është një ditë e mirë për të gjithë qytetarët. Sot bashkimi i qytetarëve tanë po bëhet i mundur dhe ata do të mund të lëvizin lirshëm pas rivitalizimit të urës», tha Bahtiri.

Puna për urën filloi pasi Edita Tahiri, ministrja e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe Marko Djuriç, kryenegociatori i Serbisë, arritën një marrëveshje gjatë diskutimeve të ndërmjetësuara nga BE më 5 gusht.

Rinovimi i urës po financohet nga BE me një kosto prej më shumë se 1.2 milionë euro. Projekti mori mbështetjen e BE-së për të ndërmjetësuar kontaktin mes banorëve të veriut dhe jugut të qytetit.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia refuzon ta njohë. Megjithatë, që nga viti 2011 të dyja palët kanë marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Pas përfundimit të konfliktit në Kosovë në vitin 1999, veriu i vendit doli jashtë kontrollit të plotë të autoriteteve të Prishtinës, pasi Beogradi ka vazhduar të financojë sigurinë, gjyqësorin, shëndetësinë dhe institucionet arsimore në zonat ku dominojnë serbët.

Një marrëveshje e prillit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ktheu serbët në veri të Kosovës nën autoritetin e përgjithshëm të institucioneve të Kosovës, me kusht që t’u garantohej autonomi e kufizuar përmes një Lidhje të Komunave Serbe të Veriut.

(reporter.al: http://www.reporter.al/restaurimi-i-ures-rikthen-optimizmin-ne-mitrovicen-e-percare/)