Reshjet e shiut shkaktojnë tre të vdekur dhe përmbytje në Shqipëri

Moti i keq dhe reshjet e dendura shkaktojnë vdekjen e tre personave në Shqipëri, ndërkohë që mijëra banorë përballen me përmbytje dhe bllokimin e rrugëve.

Albania Bad Weather

Tre persona humbën jetën të martën, ndërsa mijëra qytetarë po përballen me pasojat e rreshjeve të dendura të shiut që shkaktuan përmbytje dhe bllokime rrugësh në zona të ndryshme të Shqipërisë. Policia raportoi për gjetjen e një personi të mbytur në lumin e Tiranës, në afërsi të Kamzës gjatë orëve të mesditës, ndërsa një skuadër polumbarësh mbërriti në vendngjarje për nxjerrjen e tij nga uji.

Më herët në zonën veriore të Klosit, policia u njoftua se një 40 vjeçar është marrë përpara nga rrjedha e rrëmbyer e lumit Mat. Një zëdhënës i policisë konfirmoi për BIRN se grupi hetimor është në vendin e ngjarjes dhe po heton shkaqet e vdekjes. Ndërsa në fshatin Sukë të Këlcyrës, 50 vjeçari Kastriot Spahiu ka humbur jetën pasi ka rënë nga çatia e shtëpisë, që i ishte dëmtuar nga stuhia.

Qytetet më të prekura nga përmbytjet janë Tirana, Durrësi, Dibra, Lezha, Shkodra dhe Gjirokastra. Në kryeqytet, uji vërshoi në rrugët kryesore, ndërsa autostrada Tiranë-Durrës u bllokua për disa orë. Qindra hektarë tokë u gjendën nën ujë, sipas një njoftimi të Ministrisë së Bujqësisë në zonat e Shkodrës, Lezhës dhe Gjirokastrës.

Kryeministri Edi Rama mblodhi mesditën e së martës Shtabin e Emergjencave dhe e cilësoi situatën e krijuar nga reshjet të pazakonshme.

«Të gjitha strukturat nën drejtimin e ministrave dhe personave përgjegjës janë angazhuar për ta përballuar sa më mirë të jetë e mundur një gjendje që realisht është vërtet e pazakonshme sa i përket reshjeve të paparashikuara», tha ai.

Përmes një shkrese të botuar në faqen zyrtare, Ministria e Arsimit urdhëroi ndërprerjen e mësimit në sistemin parauniversitar shkollor në të gjithë vendin deri në një njoftim të dytë. Forcat e Armatosura ndodhen gjithashtu në zona të ndryshme të vendit, përkrah Shtabit të Emergjencave.

Shërbimet e parashikimit të motit në vend paralajmërojnë se situata do të jetë e rënduar edhe gjatë ditës së mërkurë. Sinoptikania Larja Porja tha për televizionin News 24 se shirat e dendur do të rikthehen në orët e natës dhe mëngjesin e së mërkurës, sidomos në Shqipërinë Qendrore dhe atë Jugore.

(reporter.al: http://www.reporter.al/reshjet-e-shiut-shkaktojne-tre-te-vdekur-dhe-permbytje-ne-shqiperi/)