Republika e thasëve të zinj me kanabis

Si u bë mbarë Shqipëria Lazarat? Një listë me lajme mbi lulëzimin e kontrabandës me drogë vetëm gjatë muajit prill.

Foto: Shutterstock



Organizata amerikane Freedom House në fillim të prillit ka publikuar një vlerësim mbi demokracinë në Shqipëri. Një vend në udhëkryq me një demokraci të brishtë, i detyruar të zgjedh mes trashëgimisë së korrupsionit e krimit të organizuar dhe një shkëputjeje radikale e ngritje në nivelin e aspiratave të popullit për një shtet që përmbush standardet e Bashkimit Europian. Kështu e vlerëson Freedon House Shqipërinë – për të konstatuar se pavarësisht aksioneve policore kundër lëndëve narkotike, financuesit dhe trafikantët arritën t’i shtrijnë plantacionet e kanabisit në të gjithë vendin, duke përfituar nga varfëria e fshatarëve dhe zyrtarët e korruptuar shtetërorë. Evidente është se shkëputja radikale nga krimi i organizuar dhe kontrabanda me drogë nuk po ndodh – përkundër premtimeve të mëdha të qeverisë së Edi Ramës.

Pas ardhjes në pushtet në vitin 2014 Rama urdhëroi policinë të futet në fshatin Lazarat afër Gjirokastrës, një vatër e kultivimit të kanabisit e njohur edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Për të treguar se shteti tani është i vendosur të luftojë mbjellësit dhe trafikantët e drogës, Rama e paralajmëroi fillimin e epokës së re duke postuar në rrjetet sociale një fotografi të një policeje me shumë hire. Kjo do të ishte policia shqiptare e ardhmërisë: e bukur, sexy, e vendosur, e pamëshirshme ndaj shkelësve të ligjit.

Për të kuptuar sa i madh është hendeku mes asaj fotografie propagandistike dhe realitetit mjafton një listë me lajme mbi qarkullimin e kanabisit gjatë muajit prill. Kronologjia bazohet në lajmet e Top Channel. Bëhet fjalë kryesisht për aksione të policisë kundër trafikantëve të narkotikëve. Qeveria shqiptare, afërmendsh, mund të arsyetohet se aksionet treguakan vendosmërinë e saj për luftimin e trafikut me drogë. Në të vërtetë aksionet tregojnë se në Shqipëri tashmë është etabluar një industri gjigante e kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Pra, gjatë prillit «agjentë të policisë së Tiranës kanë arrestuar (…) dy persona të shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Vlorës nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Në pranga kanë rënë shtetasit Kaman Lumani, 28 vjeç dhe banues në Përmet; Anastazios Extadakstilios, 29 vjeç, shtetas grek, banues në Sarandë; Mariglen Coha, 26 vjeç, banues në Elbasan».

Gjatë prillit «Fiks Fare ka denoncuar (…) futjen e naftës kontrabandë nga Maqedonia. Shqiptarët e kanë gjetur zgjidhjen për të përballuar çmimin e lartë të naftës në vend. Diferenca e çmimeve të naftës dhe benzinës në shitje, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, është rreth 68 lekë. Kjo ka bërë, që drejtuesit e mjeteve në zonën kufitare të udhëtojnë drejt Maqedonisë për t’u furnizuar me naftë, ku paguajnë vetëm 110 lekë për litër, nga 178 lekë që e blejnë në Shqipëri».

Gjatë prillit është dhënë edhe ky lajm: «Kultivimi i hashashit dhe korrupsioni janë dy shqetësimet kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili, duke përfituar nga takimi me ministrin e Drejtësisë, u kujtoi edhe një herë vartësve se prioriteti i hetimeve duhet të jenë këto dy krime. Por, ndërsa pranoi se shifrat mbeten të ulëta për autorët e të dyja këtyre veprave, Prokurori i Përgjithshëm deklaron, në kulmin e fushatës antihashash, se ngarkesat e drogës nuk po asgjësohen sipas ligjit. <Edhe mënyra e administrimit të provave materiale mbetet shqetësim. Ka mospërfshirje të prokurorëve në mënyrën se si sekuestrohen e asgjësohen lëndët narkotike. Droga e sekuestruar nuk po asgjësohet sipas ligjit>, tha Llalla».

Gjatë prillit «dy shtetas shqiptarë u arrestuan në flagrancë (…), duke transportuar me dy automjete 211 kilogramë kanabis sativa, në vendin e quajtur Paliuri, pranë Igumenicës. Sipas policisë vendase, dy të arrestuarit janë 27 dhe 30 vjeç, ndërkohë që emrat e tyre nuk bëhen publikë. Autoritet greke thanë se kishin informacion se po transportohej sasi droge nga kufiri shqiptar në brendësi të territorit grek».

Gjatë prillit «policia kufitare e Korçës ka sekuestruar (…) një ngarkesë me lëndë narkotike, të llojit kanabis sativa. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave droga është konstatuar në vendin e quajtur <Piramida 54>, në Vidohovë, e vendosur në dy çanta sportive dhe në një thes. Pas kontrollit të kryer, uniformat blu kanë konstatuar se lënda narkotike ka qenë e ndarë në 121 pako, të mbështjella me letër natriban. Autoritetet kufitare dyshojnë se sasia e kanabisit do të trafikohej drejt Greqisë dhe për këtë arsye po koordinohen me palën greke për të identifikuar autorët. Ndërkohë, agjentët po kryejnë veprimet e duhura procedurale dhe materialet hetimore do t’i referohen së shpejti Prokurorisë së rrethit të Korçës».

Gjatë prillit «shërbimet e policisë kufitare, gjatë patrullimit në kufirin jeshil në kufi me Malin e Zi, në vendin e quajtur Bukoviç, mbi fshatin Brigjë, Hot, kanë konstatuar me kamera termike disa persona që po transportonin dy thasë ku dyshohej se ishin me lëndë narkotike».

Gjatë prillit «policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi prej 102 kg kanabis sativa, dhe ka vënë në pranga 4 persona. Në sajë të operacionit <Befasia> është vënë në pranga Arjan Mustafaj, 43 vjeç, Shpëtim Sinaj, 40 vjeç, Erjon Zenelaj, 33 vjeç, të tre nga Mallakastra, dhe Niko Dula, 41 vjeç nga Tepelena».

Gjatë prillit «një 29-vjeçar shqiptar u arrestua në vendin e quajtur Komboti, në afërsi të qytetit të Artës, pasi në automjetin me të cilin po udhëtonte u gjetën 119 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Sipas policisë së Artës, i riu po transportonte lëndën narkotike me një automjet të marrë me qira nga një grek, i cili u shpall në kërkim».

Gjatë prillit «forcat e policisë së Shkodrës kanë finalizuar operacionin e koduar <Limitless>. Në kuadër të aksionit janë sekuestruar 540 fidanë kanabisi dhe 300 bimë në gjendje të tharë».

Gjatë prillit «policia e Korçës ka dhënë detaje lidhur me operacionin (…) në parë në Vithkuq, ku u sekuestruan në total 160 kg kanabis sativa. Në sajë të operacionit të koduar <Kontrata> është arrestuar Janaq Qirici, 52 vjeç, nga Vithkuqi, dhe Aldo Kita, 26 vjeç nga Korça, i dënuar më parë për vjedhje».

Gjatë prillit «rreth 300 kilogramë kanabis dhe dy armë zjarri janë sekuestruar nga policia (…) në Vithkuq të Korçës. Policia bën të ditur se gjatë kontrollit në dy ambiente të ndryshme, konkretisht në çatinë e një ndërtese dhe në banesën e një shtetasi tjetër, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 23 thasë me një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis, si dhe 2 armë zjarri».

Gjatë prillit u bë e ditur se «Maliq Kadilli është njëri prej të dyshuarve, i cili si agjent dogane në Qafë-Thanë ka lejuar udhëtimin e 8 tonëve drogë. Por, Kadilli u shpreh se nuk ishte detyra e tij të kontrollonte çfarë kishte në automjet, sepse ai firmosi procedurën e mëtejshme, duke iu referuar dokumenteve që i depozitohen».

Gjatë prillit «368 kilogramë kanabis janë sekuestruar gjatë kërkimit në det, rreth 700 m larg nga bregu, nga policia kufitare e Vlorës në bashkëpunim me Delta Force dhe Gdf. Operacioni i Policisë Kufitare Vlorë ka nisur në bazë të një informacioni paraprak të marrë, se në Gjirin e Karaburunit dyshohet se ndodheshin disa pako me lëndë narkotike, menjëherë u organizua puna dhe pas verifikimit të informacionit, shërbimet konstatuan 2 pako me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva në bregdetin e zonës së quajtur <Shën Jani>».

Gjatë prillit «policia greke arrestoi 3 shqiptarë në një prej lagjeve të Athinës. Ata ishin pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë. Po hetohen ndërkohë edhe 19 anëtarë të tjerë bandës, por dyshohet se disa shqiptarë janë kthyer në Shqipëri për t’i shpëtuar arrestimit».

Gjatë prillit «Prokuroria për Krimet e Rënda ka urdhëruar arrestimin e shefit të stacionit policor dhe 9 punonjësve të Policisë në Portin e Durrësit, si edhe 8 doganierëve të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa, nga Shqipëria në Itali».

Gjatë prillit «policia e Kapshticës ka sekuestruar një sasi prej 71 kg kanabis sativa, e cila ishte fshehur në 99 tuba plastikë».

Gjatë prillit «policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar <Llampa>, ku është zbuluar një laborator droge, i cili shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa janë vënë në pranga edhe 8 persona».

Gjatë prillit «policia kufitare në Vlorë ka parandaluar pasditen e kësaj të enjteje një tjetër rast trafiku me rrugë detare të lëndëve narkotike».

Gjatë prillit «policia italiane sekuestroi 2 tonelata kanabis që dyshohet të jetë trafikuar me skaf nga Shqipëria. Droga është kapur në zonën e Abrucos dhe vlera e saj i kalonte 10 milionë euro».

Gjatë prillit u dha edhe ky lajm: «Në vijim të operacionit të dy javëve më parë, ku u gjetën 1.2 ton kanabis, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar edhe një laborator për përpunimin e lëndës narkotike në zonën e Skraparit».

Gjatë prillit u njoftua se «pas gjetjes së 80 bimëve narkotike të dyshuara kanabis sativa e të kultivuara në një parcelë në pyll në zonën e quajtur Bregu i Gushës në Drenovë të Mallakastrës, policia ka bërë të mundur arrestimin e inspektorit të Policisë Pyjore në Bashkinë e Ballshit, si dhe kryetarin e fshatit Drenovë».

Gjatë prillit «një sasi rekord kanabisi u sekuestrua nga policia (…). Në një magazinë në fshatin Pagri të rrethit të Përmetit, uniformat blu gjetën mbi 10 tonelata lëndë narkotike, e cila ishte gati për trafikim».

Gjatë prillit «policia ka sekuestruar 2 tonelata e 53 kg kanabis në vendin e quajtur Shullani i Vilës, në fshatin Rreth-Bazë të Matit».

Lexues të nderuar, lexuese të nderuara! Dhamë lajmet. Dhe me padurim presim muajin maj në Republikën e thasëve të zinj me kanabis.