Republika e lirë e Kosovës e Salman Rushdie

«Shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur tmerre, të cilat janë të pafalshme»: Në 70 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Salman Rushdie.

Salman Rushdie.



Ndërkohë ne flasim për kombinimet e mundshme partiake, të cilat do të prodhojnë qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Ndërkohë Kosova është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s dhe luan futboll. Ndërkohë Kosova ka fituar medaljen e parë olimpike. Faleminderit Majlinda Kelmendi! Ndërkohë të gjitha mediat botërore të hënën, më 19 qershor 2017, kanë botuar tekste të gjata me rastin e 70 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Salman Rushdie, Kosova ka heshtur. Kështu është puna në Saharën tonë kulturore.

Të hënën shkrimtari nga India, Salman Rushdie, mbushi 70 vjet. Kur i mbushi 60 vjet Mbretëresha e Britanisë së Madhe ia dha titullin e lartë «Kalorës» Salman Rushdiesë, të gjitha mediumet botërore e lavdëruan veprën e tij të madhe letrare dhe rikujtuan vitet kur Salman Rushdie ishte i detyruar të jetonte në fshehtësi të plotë për shkak të kërcënimeve me vrasje nga ana e mullahëve të Iranit, menjëherë pasi Rushdie botoi romanin «Vargjet satanike».

Në këtë vepër reflektohet jeta e emigrantëve myslimanë nga India me banim në Britaninë e Madhe. Po ashtu në roman i bëhet një përshkrim heqjes së disa pjesëve të Kuranit (një fakt i dëshmuar historikisht), të cilat, siç thuhet, ishin futur në librin e shenjtë nga ana e djallit. Lexuesit myslimanë u hidhëruan keq, sidomos për shkak të një pjese të romanit, ku disa prostituta mbajnë emrat e grave të profetit.

Protestat e ekstremistëve islamistë arritën kulmin më 14 shkurt 1989, kur udhëheqësi i revolucionit iranian, Ajatollah Homeini, në një fjalim në radio i bëri thirrje «popullsisë krenare myslimane në mbarë botën» të ekzekutojnë vendimin e tij për vrasjen e Salman Rushdie. Pas këtij kërcënimi shtetet evropiane tërhoqën ambasadorët nga Teherani. Pas vdekjes së Homeinit (3 qershor 1989) Irani tërhoqi fetfanë. Rushdie ka mbrojtur romanin e tij dhe ka hedhur poshtë akuzën e blasfemisë.

Rushdie u lind më 19 qershor 1947 në Bombay të Indisë në një familje të pasur myslimane. Në vitet ‘60 familja e Rushdie u shpërngul në Pakistan; që nga viti 1964 Rushdie është shtetas britanik. Në vitin 1968 ai ndërmori një udhëtim disamujor me veturë nga Anglia – përmes Jugosllavisë, Turqisë, Iranit dhe Pakistanit – në Indi, ku vizitoi një pjesë të familjes së tij.

Karrierën letrare Rushdie e filloi në Angli. Në skenën letrare ndërkombëtare ai u bë i njohur në fillim të viteve 80-të me romanin «Fëmijët e mesnatës», ku përshkruan një familje në rrëmujën e pavarësimit të Indisë. Sukses të madh Rushdie arriti edhe me romanin «Turpi», në të cilin ai kombinon artin provokues, alegorinë politike dhe historike dhe fantazinë e përrallave. Për veprën e tij Rushdie është shpërblyer me çmime të rëndësishme në mbarë botën.

Përveç si autor Rushdie është shquar edhe si komentues i zhvillimeve politike në botë dhe polemist i ashpër. Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë së Slobodan Milosheviqit në pranverë 1999 Rushdie kishte sulmuar shkrimtarin austriak Peter Handke për qëndrimet e tij skandaloze në favor të krimeve serbe. Në komentin e tij «Për një Kosovë shqiptare» të botuar në qershor 1999 Rushdie i bën thirrje kryeministrit britanik Tony Blair dhe liderëve të tjerë perëndimorë që të heqin dorë nga iluzionet e krijimit të një shoqërie multietnike dhe të pranojnë realitetin se Kosova është një trevë etnike shqiptare.

«Shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur tmerre, ndikimi i errët i të cilave mbase është matanë çdo gjëje që janë në gjendje ta përfytyrojnë njerëz të kujdesshëm si Tony Blair. Këto tmerre ndoshta thjesht janë të pafalshme», shkruante Rushdie menjëherë pas vrasjes së 14 serbëve në një fshat afër Lipjanit. Sipas Rushdie «shumë shqiptarë në fillim të konfliktit nuk i kishin kuptuar përmasat e llahtarisë, e cila po vinte drejt tyre. Në shumë fshatra burrat kishin vendosur të arratiseshin, sepse ishin të bindur se ushtria e Milosheviqit synonte t’i masakronte. Ata humbën nëpër male dhe kodra dhe kështu i shpëtuan dorës vrastare të kësaj ushtrie. Por, në një pikë kalkulimi i tyre nuk doli si duhet: ata prapa kishin lënë familjet, sepse nuk kishin mundur të merrnin me mend se gratë e tyre, fëmijët e tyre, gjyshërit dhe gjyshet e tyre të leqendisur paraqesin ndonjë rrezik për ushtarët që po marshonin. Siç u dëshmua aftësia njerëzore për barbari ishte më e madhe se ç’kishin mundur ta parashihnin këta njerëz. Tashti të përfytyrojmë kthimin e këtyre refugjatëve pas përfundimit të konfliktit. Të shqetësuar dhe duke shpresuar në një takim të gëzueshëm, ata i afrohen fshatit të tyre. Por, para se të mbërrijnë, ata kuptojnë se ka ndodhur e papërfytyrueshmja. Arat janë të mbuluara me lecka rrobash të përgjakura dhe pjesë të sakatuara të trupit. Përqark fluturojnë zogj që hanë kërmë. Ajri ka një erë të rëndë. Meshkujt e këtij fshati papritur ndodhen para një të vërtete, ku turpërimi i thellë dhe poshtërimi përzihen me pikëllim të pafund. Ata janë gjallë, sepse kanë ikur, por të dashurit e tyre, të cilët i kanë lënë prapa, janë vrarë në vend të tyre. Tashti ata duke i çuar të vdekurit me karroca në sheshe varrimi nga qefini thërrasin qortimet e tyre: biri im, në orën e ligë të jetës sime ti nuk ishte këtu të më shpëtoje. Burri im, ti më ke lënë vetëm që të më dhunojnë dhe masakrojnë. Babai im, ti më ke lënë të vdes. Ata që kanë mbijetuar në fshat u tregojnë të kthyerve historinë e masakrës. Ata rrëfejnë se si disa serbë nga fshati kanë veshur uniforma ushtarake serbe dhe u kanë ndihmuar vrasësve me njohuritë e tyre të vendit për t’i trembur nga vrimat e tyre shqiptarët e frikësuar: jo atë shtëpi atje nuk keni nevojë ta kontrolloni, nuk ka bodrum. Kurse kjo këtu ka bodrum, aty nën qilim mbase janë fshehur».

Rushdie në komentin e tij kritikonte ashpër kundërshtarët e intervenimit në Kosovë. «Argumenti më i rëndësishëm i atyre që hidhnin poshtë intervenimin në Kosovë ishte se aksioni i NATO-s paskësh vënë në lëvizje të plotë dhunën që kishte dashur ta evitojë, kështu që faj për masakrat, nëse e shohim kështu, në të vërtetë paskësh Madeleine Albright. Këtë tezë unë e quaj moralisht të poshtër, sepse ajo i shfajëson vrasësit e vërtetë, dhe përveç kësaj është fund e krye e rrejshme. Nëse lihen anash të gjitha emocionet dhe shikohet logjistika e vërtetë e masakrave të Milosheviqit, shumë shpejt bëhet e qartë se tmerret janë planifikuar me kujdes. (…) Nëse gjykojmë sipas raporteve të korrespondentëve me përvojë ndërkombëtare, të cilët kanë vizituar Kosovën, realiteti atje duket ashtu që vetëm disa serbë kanë mbetur dhe mbase është e pamundshme që ata të mbrohen. Sarajeva e lashtë multikulturore është shkatërruar me luftën e Bosnjës. Edhe Kosova e lashtë është zhdukur, ndoshta përgjithmonë. Kosova ideale e Tony Blair është një ëndërr. Ai dhe kolegët e tij tashti do të duhej të angazhoheshin për ndërtimin e një krijese politike, të lirë dhe etnike shqiptare, e cila ndërkohë, me sa duket, është bërë pashmangshmëri historike. Kohërat e pasluftës nuk janë kohëra për ëndërrimtarë», shkruante Rushdie.

Urime 70 vjetori i lindjes – mjeshtër i letërsisë dhe kampion i luftës për të drejtat e njeriut.