«Reporterët pa kufij»: Mediat në Kosovë vetëm pjesërisht të lira, gazetarët stigmatizohen si tradhtarë

Në raportin e ri organizata «Reporterët pa kufij» alarmon mbi gjendjen e mediave në Kosovë.




Sipas «Reporterëve pa kufij» Kosova hyn në mesin e shteteve me media pjesërisht të lira dhe radhitet në vendin e ’78 – katër pozita më mirë se vitin e shkuar. Mediat e Kosovës ballafaqohen me ndërhyrje të drejtpërdrejta ose të tërthorta politike, presion financiar dhe probleme të pronësisë. Një shqetësim tjetër është varësia nga pronarët e mediave. Gazetarët kritikë ndaj autoriteteve shpesh akuzohen si tradhtarë ose «simpatizues të serbëve».

«Reporterët pa kufij» kanë përkujtuar rastin kur «dy gazetarë hulumtues u sulmuan fizikisht pasi me raportime kritikuan anëtarët e qeverisë dhe aleatët e tyre». «Reporterët pa kufij» gjithashtu raportojnë për ndasitë etnike nëpër media në Kosovë. Në marrëdhënie me mediat qeveria Haradinaj merr nota më të mira se qeveritë e mëparshme. «Qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi, për dallim prej dy qeverive të mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog».

Sa i përket vendeve të rajonit, pasqyra duket kështu: Maqedonia tani gjendet në pozitën e ‘109, një ngritje për dy pozita në krahasim me vitin e shkuar. Kjo ka ndodhur pas rrëzimit të semidiktaturës së Nikolla Gruevskit në Maqedoni. Qeveria e re socialdemokrate ka bërë disa haüa pozitivë në mundësimin e një hapësire më të relaksuar mediale. Shqipëria praktikisht nuk ka lëvizur fare – nga vendi i ’76 ka përparuar në atë të ’75. Raporti përkujton gjuhën e shthurur të kryeministrit Edi Rama, i cili në paraqijet publike i sulmon gazetarët me epitete si «injorantë», «helm», «sharlatanë», «armiq publik».

Rënie dramatike – nga vendi ’66 në ’76 – ka pësuar Serbia, ku regjimi autokratik i Aleksandër Vuçiqit ka futur nën kontroll gati të gjitha mediat dhe po bllokon edhe ata pak zëra medialë në provincë, të cilët marrin guximin të kritikojnë qeverinë. Gazetat bulevardeske të Beogradit shërbejnë si instrumente për torturimin e rivalëve politikë të partisë së Vuçiqit. Në tabelën e lirisë së mediave Shqipëria, Serbia dhe Kosova janë fqinj.

Raporti e quan Norvegjinë sërish vendin me shkallën më të lartë të lirisë së medies. Koreja e Veriut është e fundit.