Reperi shqiptar dëbohet nga Zvicra për në Kosovë

Kishte premtuar se do përmirësohej, por s’e kishte mbajtur fjalën. Reperi i dënuar shumëfish, Besko, nga qarku 4 i Cyrihut, u përcoll për në Prishtinë.

Imazhi: Vertes Edmond Mihai / Shutterstock

Reperi Besko të premten e kaluar duhej ta lëshonte Zvcrën për në Kosovë. 31-vjeçari Besijan Kacorraj ka lindur në Zvicër si bir i një familjeje emigrantësh kosovarë. Ai është rritur në Qarkun 4 të Cyrihut, ku si i ri e ka filluar karrierën e tij kriminale, transmeton Tages Anzeiger. Për delikte dhune, vjedhjeje dhe plaçkitjeje me armë ai u dënua me pesë vite burg dhe e humbi lejen e qëndrimit në Zvicër. Ai vendimin e ankimoi në instanca të ndryshme, deri në Gjyqin Federal, por kot.

Sipas vetë deklaratave të tij, Beskos data e saktë të dëbimit nga Zvicra i është komunikuar shumë shkurt para largimit. Që të mund të përshëndetej me djalin e tij, ai për një kohë ishte zhdukur. Më pas ishte lajmëruar vetë në polici, ka rrëfyer ai për një medie tjetër zvicerane. Shkurt më pas u gjet në një avion për në Prishtinë.

Për më tepër, Besko nuk ka të drejtë të dalë më në Zvicër, apo në hapësirën Shengen. Këtë vendim, transmeton raporti, Besko dhe avokatët e tij do ta ankimojnë më lartë. Gjithsesi ai tani duhet të sistemohet në Kosovë, në një vend pothuajse të huaj për të. «Nuk e njoh askënd. Duhet të shoh se ku mund të flej dhe si mund t’ia dal financiarisht», është shprehur ai. Shtëpia e gjyshërve të tij është shkatërruar në luftë.

Muzikën rep Besko e ka filluar gjatë qëndrimit në burg. Në fillim kishte shkruar tekste; kur iu lehtësuan kushtet e burgut për qëndrim të mirë, këngët e tija i kishte regjistruar në një studio. «Repi më ka shpëtuar», i ka thënë ai Tages Anzeigerit në një bisedë në vitin 2012. Në këngët e tij ai shpesh rrëfen për pendimin që ndjen për veprat e kryera. Dhe se do një fillim të ri. Pas daljes nga burgu, më 2014, u shfaq në televizion, nëpër shkolla dhe qendra të rinjsh. Kudër dëbimit të tij ishin angazhuar reperë me nam në Zvicër me argumentin se qëndrimi i tij tani e bën atë një model për të rinjtë emigrantë. Ai vetë kishte dashur të bëhej punëtor social për të rinjtë në Zvicër. ks