Rënia e Republikës

Lexoj shkrimtarët antikë, që të argëtohem dhe të ik nga realiteti, kësisoj kam vërejtur ngjashmëritë mes historisë së Romës së lashtë dhe lajmeve gjithnjë e më të këqija nga bota ime. Mendoj, para së gjithash, për rënien e Republikës romake, shkruan kolumnisti i «New York Times», Paul Krugman. Nëse ekziston shpresa, ajo qëndron në konstatimin se gjendja është e keqe. Demokracia amerikane është buzë humnerës.

Paul Krugman.



Shumë analistë kërkojnë shpjegime nga historia, veçanërisht ajo e viteve ‘30 të shekullit të kaluar për suksesin e Donald Trumpit dhe të lëvizjes etno-nativistike në Europë. Vërtet ka ngjashmëri ndërmjet rritjes së fashizmit dhe anktheve tona. Por, paralele të tilla ekzistojnë ende. Kohëve të fundit kam lexuar shkrimtarët antikë, që të argëtohem dhe të ik nga realiteti, prandaj e kam vënë re ngjashmërinë ndërmjet historisë së Romës së lashtë dhe lajmeve gjithnjë e më të këqija të ditëve tona. Gjithnjë më shpesh mendoj në rënien e Republikës romake.

Kështu unë e kuptova se institucionet e Republikës nuk janë mbrojtje kundër tiranisë, nëse të fuqishmit nuk i respektojnë normat e miratuara politike. Tirania mund të lulëzojë edhe prapa fasadës republikane. Politika romake ishte një betejë e ashpër ndërmjet njerëzve ambiciozë, të cilën për shekuj i kanë kufizuar disa rregulla të pashkruara. Ato i përshkuan Adrian Goldsworthy në librin e tij «Në emër të Romës»: «Sado që fama ose reputacioni i familjes janë të rëndësishme, ato gjithmonë janë në varësi nga e mira e përbashkët e Republikës… Asnjë politikan i zhgënjyer romak nuk e kërkon ndihmën e fuqive të huaja».

Edhe Amerika dikur ishte vend ku senatorët e shquar bënin thirrje për marrëveshje ndërmjet partive. Por, tani e kemi zgjedhur një president, i cili hapur i bëri thirrje Rusisë për ta përlyer kundërshtaren e tij, me ç’rast partia e tij heshti. (Sondazhet tregojnë se republikanët gjithnjë e më shumë e kanë një mendim më të mirë për Vladimir Putinin, edhe pse pala ruse ndërhyri në zgjedhjet e fundit amerikane). E rëndësishme është për të fituar – kush të pyet për Republikën. Dhe, pastaj çfarë ndodh me të? Në Romën e lashtë formalisht nuk ka ndodhur kurrë kalimi i Republikës në perandori. Me vendin edhe më tutje zyrtarisht ka udhëhequr Senati, i cili për të gjitha çështjet e rëndësishme i është adresuar perandorit, titulli i të cilit ishte vetëm «komandant». Ndoshta nuk do ta marrim të njëjtën rrugë – a jemi të sigurt për këtë? -, por në masë të madhe është një degradim i demokracisë pas maskës së paraqitjes së saj.

Ta marrim si shembull atë çfarë ndodhi në Karolinën e Veriut. Votuesit e zgjodhën me shumicë dërmuese një guvernator demokrat. Organet legjislative të cilat i kontrollojnë republikanët nuk e anuluan haptas atë rezultat, por guvernatorin e privuan nga të gjitha përgjegjësitë dhe kështu dërguan mesazh se ata nuk brengosen për vendimin e votuesve. Ndoshta kjo lidhet edhe me përpjekjet për t’ua marrë të drejtën e votimit pakicave – dhe fitohet një shtet njëpartiak me pamje të demokracisë, ku çdo gjë është e kurdisur në mënyrë që pala tjetër nuk mund të fitojë kurrë.

Pse po ndodh kjo? Nuk pyes pse klasa e bardhë punëtore mbështet politikanët që punojnë kundër interesave të tyre (me këtë do të merrem në kolumnet e mia të ardhshme). Pyetja ime tingëllon: si politikanët e njërës parti pushuan të kujdesen për vlerat amerikane? Me këtë mendoj në Partinë Republikane, por në asnjë mënyrë nuk mendoj se «të gjithë janë njësoj fajtorë». Kush është shkaktari i kësaj? Mendoj se nuk është çështje e ideologjisë. Politikanët proklamues të tregtisë së lirë thjesht e kanë hetuar se kapitalizmi është mik i mirë nëse bëhet fjalë për njerëzit afër tyre. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me luftën klasore – duke marrë nga klasa e varfër dhe e mesme për t’u dhënë të pasurve, gjë që është njëra nga karakteristikat kryesore të Partisë moderne Republikane.

Ky sulm është i motivuar drejtpërdrejt nga aparatçikët e vegjël karrieristë të sistemit të mbrojtur nga presionet e zonave publike për ridefinimin e njësive zgjedhore, me besnikërinë e palëkundur dhe financimin plutokratik të partisë së vet. Për njerëzit e tillë, partia është e vetmja gjë e shenjtë. Si mashtrues të vërtetë, ata do të çmenden kur dikush t’i demaskojë. Natyrisht, është e qartë se shkatërrimi i politikës amerikane nuk ka filluar me Donald Trumpin, ashtu sikur shkatërrimi i Republikës Romake nuk ka filluar me Cezarin. Erozioni i themeleve demokratike vazhdon tani më për disa dekada me radhë dhe askush nuk garanton se ato do të shërohen. Nëse ekziston shpresa, ajo qëndron në konstatimin se gjendja është e keqe. Demokracia amerikane është buzë humnerës.