Rënia e industrisë i largon të rinjtë nga Suhareka

Biznesmenët në qytetin e vogël të Suharekës në Kosovë përballen me detyrën e vështirë për të rindërtuar industrinë e saj të shkatërruar dhe të bindin të rinjtë e mbetur aty që ia vlen të qëndrojnë.

Kompania e këpucëve ‘Solid’ në Suharekë | Foto nga : BIRN



Qyteti i Suharekës në jug të Kosovës dikur gumëzhinte nga fabrikat ku ishin të punësuar me mijëra njerëz, por tani shumë prej tyre janë larguar nga vendi pasi industria ka rënë.

Dikur i njohur për një fabrikë të quajtur «Ballkan» që prodhonte shirita transportues prej gome dhe kishte të punësuar më shumë se 2,000 punëtorë, si dhe për punishtet e verës, qyteti dhe rrethinat e tij tashmë e kanë humbur atmosferën e tyre të prosperitetit.

Njësoj si kudo tjetër në Kosovë, lufta dhe rënia e industrive të mëdha gjatë viteve 1990 kanë pasur një ndikim të ashpër në popullsinë lokale.

Tani vlerësohet se rreth 30 për qind e popullsisë prej 90,000 banorësh në vend tani jetojnë në vendet e Europës Perëndimore, kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali.

Paratë që u dërgojnë të afërmit nga jashtë u sigurojnë gjithashtu jetesën shumë njerëzve që kanë ndenjur dhe bujqësia ende luan një rol kyç në ekonominë vendase.

Më shumë se 2,000 fermerë vazhdojnë traditën e kultivimit të rrushit në një zonë që para luftës njihej për vreshtat e saj.

Gjatë viteve të fundit, fermerët vendas kanë filluar gjithashtu kultivimin në shkallë të gjerë të mjedrës dhe luleshtrydhes, me ndihmën e subvencioneve shtetërore, si dhe rritjen e perimeve.

Por ka nga ata që ëndërrojnë të ringrenë edhe njëherë industrinë dikur të begatë të qytetit dhe të hapin vende të reja pune në fabrikë – edhe pse një punëdhënës vendas u ankua se nuk mundi të gjente mjaftueshëm punëtorë të trajnuar.

«Mundësitë për punë në fabrikën tonë janë gjithnjë të hapura. Ne kemi më shumë kapacitet sa ka njerëz në Suharekë», tha Shefqet Kuqi, pronari i fabrikës së këpucëve «Solid», punëdhënësi më i madh privat në qytet.

Kuqi, një ish-teknolog te «Ballkan»-i, tha se fabrika e tij ka 330 të punësuar, por ka vend për shumë të tjerë.

«Kapaciteti ynë është 700,000 deri në 800,000 palë këpucë në vit, por mungesa e fuqisë punëtore në Suharekë që është e përgatitur profesionalisht për këtë na prek, kështu që ne prodhojmë rreth 600,000 palë në vit, që do të thotë rreth 1,500 palë në ditë», shpjegoi Kuqi.

Kuqi eksporton këpucë në vende të ndryshe, si për shembull, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani dhe Serbi.

«Në Serbi kompania jonë shet më shumë se 100,000 palë këpucë në vit», tha ai, duke shpjeguar se në shtator ai planifikon të përdorë një pjesë të një fabrike në Preshevë, Serbi, në të cilën ai ka investuar në një përpjekje për të lehtësuar shitjen e produkteve të tij edhe në tregun rus.

«Po e bëjmë këtë për shkak të tregut në Serbi dhe Rumani, por edhe në Rusi, pasi aktualisht punojmë nëpërmjet Rumanisë për shkak të problemeve politike që Rusia ka me Kosovën, kështu që mallrat tona s’mund të shkojnë direkt atje», tha ai.

Rusia mbështet Serbinë duke refuzuar ta njohë Kosovën si të pavarur, ndërsa në vitin 2014 Kosova mbështeti vendimin e SHBA-së dhe BE-së për të vendosur sanksione ndaj Moskës mbi përfshirjen e saj ushtarake në Ukrainë.

Edhe gjatë verës kur punëtorët marrin pushimet, fabrika e këpucëve «Solid» nuk mbyllet kurrë.

Shumica e punëtorëve janë nga 20 deri në 40 vjeç, shumica prej tyre janë gra dhe ata sigurohen që secili prej tetë proceseve në të cilat duhet të kalojë një këpucë që të jetë gati për shitje, të kryhet sa më mirë është e mundur.

Kur një palë këpucë paketohen më në fund, atyre u stampohet «Prodhuar në Kosovë» – që shpesh bën që kosovarë të diasporës me krenari të postojnë fotografi nëpër rrjetet sociale pasi i blejnë ato në Gjermani, Itali ose vende të tjera europiane.

‘Rinia e Kosovës ka humbur shpresën’

Kuqi fajëson Ministrinë e Arsimit të Kosovës se nuk ka kontribuar mjaftueshëm kundrejt zhvillimit të sektorit ekonomik.

«Problemi është se shkollat e mesme nuk janë në përputhje me kërkesat e ekonomisë, por në shërbim të politikës. Në zonën tonë industriale, ka një shkollë të mesme, por ajo ka departament ekonomie, finance dhe ligji. Asnjë nga këta nxënës nuk mund të gjejë një punë pasi të mbarojë shkollën», tha ai.

Kuqi shpjegoi se nxënës të tillë duhet të studiojnë më gjatë pasi mbarojnë shkollën e mesme që të mund të jenë gati për punë në industri.

«Për shembull, dikush që shkoi në shkollë të mesme për rrobaqepësi mund të punojë menjëherë në fabrikën tonë», theksoi ai.

Ai tha se një tjetër problem ishte se shumë pak të rinj duan të rrinë dhe të fillojnë një punë të qëndrueshme në Suharekë, madje edhe ata që rrinë shpesh nuk janë shumë të kualifikuar.

Kosova ka popullsinë më të re në Europë, por ai shprehu frikë se «rinia e Kosovës ka humbur shpresën për të jetuar në Kosovë».

Shqetësimet e tij u mbështetën edhe nga disa të rinj të arsimuar që jetojnë në qytet.

Arian Curri, një doktor 29 vjeçar në Suharekë, tha se ai ishte i zhgënjyer me situatën e punësimit në Kosovë dhe se ishte gati të largohej nga vendi.

«Rroga ime e ulët është shumë pak ndryshe nga ajo e një pastruesi. Puna nuk është e sigurt. Për shembull, unë dhe shumë punonjës të tjerë punojmë me kontrata afatshkurtra prej gjashtë muajsh ose një viti», shpjegoi Curri.

Gjithashtu nuk ka mundësi për t’u përmirësuar profesionalisht, shtoi ai, kështu që ai mendon të shpërngulet së shpejti në ndonjë vend të Europës Perëndimore.

Mirlinda Morina, 27 vjeçe, e cila përfundoi studimet e saj në Prishtinë dhe pastaj u kthye në Suharekë, tha se gjatë dy viteve të fundit për të s’ka pasur ndonjë mundësi për ndonjë punë të përshtatshme në qytet.

«Nuk e shoh këtu të ardhmen time. Kam studiuar pedagogji sociale. Po të kishte ndonjë mundësi që të punoja në këtë fushë, do të shkoja kudo në botë», tha Morina.

Duke marrë parasysh statistikat, në Suharekë, ajo s’është e vetme.

(https://www.reporter.al/renia-e-industrise-i-largon-te-rinjte-nga-suhareka/)