Rënia e diktatorit të Maqedonisë

Regjimi i Nikola Gruevskit shkaktoi ngecje, kurse njëri nga problemet më të vështira me të cilat do të përballet qeveria e re është gjyqësori i partitizuar. Pasojat e pushtetit të tij dhjetëvjeçar do të përjetohen shumë gjatë dhe do të duhet një kohë e gjatë që jeta e përditshme dhe shteti të kthehen, më shumë ose më pak, në binarë normalë.

Ilustrimi: Shutterstock



U rrënua regjimi i Nikola Gruevskit, të cilin ai e ndërtoi për më shumë se një dekadë në Maqedoni. Mandati të cilin përfundimisht e mori lideri socialdemokrat Zoran Zaev edhe zyrtarisht e shënoi fundin e pushtetit totalitar, të pushtetit njëpartiak, i cili për nga arroganca dhe arbitrariteti mund të krahasohet me regjimet ortodokse staliniste.

U hap një faqe e re, e cila i inkurajon qytetarët e Maqedonisë, ata që votuan kundër Greuvskit në zgjedhjet e dhjetorit, e ata janë shumica bindëse. Regjimi që nuk deshi ta pranojë humbjen iku në histori vetëm pas të enjtes së përgjakshme në parlament (më 27 prill) dhe pas përpjekjes së pasuksesshme për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Dhënia e mandatit Zaevit i inkurajoi qytetarët që për gati tre vjet jetojnë në kushte të krizës të përhershme, përveç përkrahësve më besnikë të Gruevskit. Ata u gëzuan, disa madje edhe festuan, që presidenti Gjorge Ivanov përfundimisht pushoi ta shkelë Kushtetutën, dhe ia dha mandatin koalicionit që e ka shumicën. Respektimi i Kushtetutës në një shtet normal nuk duhet të jetë arsye për të festuar.

Presidenti Ivanov, i cili për më shumë se dy muaj e bllokoi formimin e qeverisë për shkak të rrezikut të pretenduar nga e ashtuquajtura platformë e Tiranës, më në fund ia dha mandatin Zaevit, nën presionin e fortë ndërkombëtar. Gruevski i thirri njerëzit të dalin në rrugë që me protesta t’i ndihmojnë atij për t’u kthyer në pushtet, e madhëroi Ivanovin si një hero, për ta shpallur më vonë si tradhtar dhe thjesht për ta pështyrë.

Presioni i fortë

Mbështetësit e socialdemokratëve, të cilët e sulmonin Ivanovin për shkak se nuk lëshonte pe, tani tallen me rolin e tij kukull. Është më tepër se e qartë që Ivanovi e mohoi qëndrimin këmbëngulës vetëm pasi për këtë i dha leje Gruevski, pa miratimin e të cilit nuk mund të sillej vendimi me të cilin u shënua fundi i karrierës së tij prej burrështetasi.

Gruevski luftoi gati tre vjet çmendurisht për t’u kthyer në pushtet, duke e çuar vendin në krizë gjithnjë e më të thellë. Por iu desh të lëshojë pe për shkak se u përball me argumente të pakundërshtueshme. Më i rëndësishmi, me sa duket, ishte konflikti i hapur me bashkësinë ndërkombëtare, e cila iu përgjigj me presion të fortë, që u zhvillua kryesisht në prapaskenë.
Bashkimi Europian (BE) është angazhuar dhe vazhdimisht ka ndërhyrë, por nuk arriti, së paku jo me diplomaci publike, t’ia tërheqë vërejtjen dhe ta evitojë krizën. Të pasuksesshme ishin vizitat e presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk, të kreut të diplomacisë së BE-së Federica Mogherini dhe komisarit të BE-së, Johannes Hahn. Njëra nga arsyet ishte se Gruevski e kishte mbështetjen e një pjese të partive popullore me ndikim në BE.
Por, me sa duket, vendimtare ishte vizita e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, menjëherë pas të enjtes së përgjakshme në Kuvend. Presidenti Ivanov, i cili për shkak të agjendës së ngjeshur kategorikisht e refuzoi takimin, papritmas gjeti kohë, dhe pas bisedës tregoi shenja të qarta të lëshimit pe rreth mandatit. Hoyt Brian Yee më parë pati takime me liderët e partive politike, përfshirë edhe Gruevskin.

Ikja nga drejtësia

Shpresat e Gruevskit se administrata e presidentit Donald Trump, të cilit iu vardis pa shije, do ta marrë nën mbrojtje, u shuan. Nuk ndihmuan as lobistët amerikanë të paguar shtrenjtë, por sigurisht që penguan sulmet e pashembullta dhe të vrazhda në ambasadorin amerikan në Shkup, Jess Bailey. Moska, e cila me entuziazëm i mbështeti përpjekjet e Gruevskit për t’u kthyer në pushtet, nuk u deklarua fare pas vendimit që Zaevit t’i ndahet mandati për ta formuar qeverinë.

Argumentet që e detyruan Gruevskin të tërhiqet duket të kenë qenë më shumë se bindëse. Vendimtare, me sa duket, ishte një përpjekje e dështuar për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Tani është e qartë se paraprakisht ishte planifikuar sulmi në Parlament, në të cilin ishte përfshirë edhe një pjesë e udhëheqjes së policisë, dhe keqpërdorimi i njerëzve të ftuar në rrugë për të protestuar.

Gruevski, që nga afera «Përgjimet», kur ishte e qartë se karriera e tij politike po shkonte drejt greminës dhe se mund të gjendej para gjykatës, përpiqet t’i shmanget drejtësisë. Fakti që me neveri e përmend Prokurorinë Speciale, mandati i së cilës me siguri do të zgjatet pas formimit të qeverisë së re, nxit dyshime se ai me arsye shmanget nga ligji.

E drejta e ekzekutorëve

Gruevski ndoshta mund të ketë frikë, në qoftë se vjen puna deri aty, se edhe ai do të gjykohet sikur edhe kundërshtarët e tij politikë. Pronari i stacionit më të shikuar televiziv A1, i cili është pushuar nga puna, Velija Ramkovski, është dënuar me 13 vjet burg, pasi më parë ia kishte kthyer shpinën Gruevskit. Lideri i njërës prej partive opozitare, Lube Boshkovski, ishte i burgosur politik, ndërsa u dënua në një proces shumë të dyshuar se ishte i montuar.
Se çfarë drejtësie ka instaluar dhe çfarë regjimi ka ndërtuar dhe rindërtuar Gruevski tregon monumenti kushtuar Andon Janev-Qosetit. Historia dëshmon që ai ka vrarë 100 njerëz, si ekzekutues i VMRO-së, në fund të shekullit ’19 dhe në fillim të shekullit ’20. Vetëm mendjet e çakorduara mund ta madhërojnë një terrorist dhe vrasës masiv, ndërsa dihet se kush dhe si ka vendosur për monumentet.

Regjimi i Gruevskit, në kuadër të projektit «Shkupi 2014», për të cilin u harxhuan më shumë se 670 milionë euro, ndërtoi edhe 34 monumente. Veçohet monumenti i Qosetit, i cili, gjithsesi jorastësisht, është vendosur para kompleksit të gjykatave në Shkup dhe e ka një mesazh të dyfishtë. Çfarë drejtësie i pret kundërshtarët e partisë së Gruevskit, që mban shenjën VMRO, ndërsa gjyqtarët që të mos gabojnë rastësisht me kundërshtimin e direktivave të partisë.

Fundi i regjimit

Dhënia e mandatit Zaevit e shënoi edhe fundin formal të regjimit, të cilin e ndërtoi Gruevski. Ai më nuk do të mund ta luajë rolin e kryeministrit në vend të marionetës Emil Dimitriev, të cilin në janar të vitit të kaluar e emëroi si kryetar të qeverisë teknike, dhe i cili mezi u shfaq në opinion.

Pas disfatës përfundimtare të regjimit, Gruevski do të përballet me kërkesën për ta braktisur pozitën udhëheqëse në VMRO-DPMNE. Kriza shumëvjeçare, e cila është thelluar me përpjekjet e vazhdueshme që me të gjitha mjetet të kthehet në pushtet, e ka rrezikuar edhe pozitën e tij prej lideri.

Goditje e fuqishme, ndoshta fatale për pozicionin e lëkundur prej lideri të Gruevskit ishte përpjekja e dështuar që me instalimin e gjendjes së jashtëzakonshme të kthehet në pushtet. Themeluesit dhe anëtarët më të devotshëm të VMRO-DPMNE-së në mënyrë të hapur dhe të vendosur kërkojnë që Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të largohen nga pozitat udhëheqëse të partisë.

Disa nga anëtarët me ndikim e mbrojnë Gruevskin, gjë që vetëm dëshmon se ka filluar lufta për pushtet në parti. Në të njëjtën kohë, në skenën politike po shtohen përpjekjet e partive të djathta për ta përvetësuar anëtarësinë e pakënaqur. Njërën prej tyre e udhëheq Lupço Georgievski, njëri nga themeluesit e VMRO-DPMNE-së, kryetari i parë i saj dhe ish-kryeministër. Ai e solli Gruevskin në krye të partisë, por për shkak të tij u detyrua të largohet dhe ta themelojë Partinë Popullore VMRO.

VMRO-DPMNE është njëra nga shtyllat e pavarësisë së Maqedonisë. Me siguri që në këtë apo në ndonjë mënyrë tjetër, me shenjën e të njëjtë VMRO, do të jetë një faktor i rëndësishëm në skenën politike. Partia e Gruevskit me 51 nga 120 deputetë mund të jetë opozitë me ndikim, të luftojë për pushtet, vetëm nëse arrin të reformohet rrënjësisht.
Dalja nga kriza, e vështirë

Partia e Gruevskit, të paktën publikisht, relativisht qetë e pranoi vendimin për ndarjen e mandatit dhe nuk pati kontestim dhe mohim të procedurave. Reagimi pajtues, aq sa i papritur, po aq në kundërshtim me arrogancën e deritanishme, është një shenjë e mirë, por vështirë të krijojë një unitet që zgjat. Një opozitë konstruktive mund të jetë vetëm një VMRO-DPMNE e reformuar.

Zaev, i cili pas marrjes së mandatit e ka mbështetjen e fortë nga BE-ja dhe SHBA-ja, paralajmëron formimin e shpejtë të qeverisë. Ai i ka filluar konsultimet me partinë BDI të Ali Ahmeti, e cila është partneri më i madh i koalicionit me socialdemokratët. Paralajmëron se qeveria nuk do të jetë partiake dhe se do të përfshihen edhe ekspertët, që është precedent inkurajues.

Qeveria e Zaevit që nga momenti i parë do të përballet me sfida të mëdha. Jo vetëm për shkak se pritjet nga ajo janë të mëdha, por edhe për shkak se duhet të përballet me pasojat e regjimit arbitrar të pushtetit të Gruevskit, të cilat vetëm tani do të fillojnë të shpërfaqen.
Që tani është e qartë se borxhi i shtetit, i cili sipas disa vlerësimeve është afër falimentimit, do të jetë njëri nga problemet më të rënda, që mund t’i rrezikojë paralajmërimet optimiste të Zaevit. Regjimi i Gruevskit ka shkaktuar ngecje pothuajse në të gjitha fushat, ndërsa një nga problemet më të rënda me të cilat do të përballet qeveria e re është gjyqësori i partitizuar, i cili më shumë i ka respektuar direktivat e partisë, në vend të neneve të ligjit.
Qeveria e Zaevit do të përballet edhe me komisarët e instaluar të partisë së Gruevskit pothuajse në të gjitha, por veçanërisht në institucionet kryesore. Komisarët i kanë mbajtur nën kontroll të rreptë punonjësit, ua kanë imponuar direktivat e partisë, të cilat është dashur të zbatohen, pavarësisht nëse kanë qenë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën. I rëndësishëm ka qenë vullneti arbitrar i partisë dhe liderit të saj.

Për qytetarët është me rëndësi që regjimi i Gruevskit është përmbysur përfundimisht dhe që Maqedonia si shtet po hyn në një fazë të re, e çliruar nga disiplina partiake dhe shtrëngimi i arbitraritetit. Dalja nga kriza do të jetë e gjatë dhe plot vështirësi, por kapërcimi i tyre duhet të çojë në dalje nga kriza.

Shumica e qytetarëve të Maqedonisë janë të inkurajuar me ndërrimin e pushtetit, por edhe të kujdesshëm në pritjet dhe parashikimet, edhe pse besojnë se vështirë mund të jetë më keq se nën regjimin e Gruevskit. Pasojat e pushtetit të tij dhjetëvjeçar do të përjetohen shumë gjatë dhe do të duhet një kohë e gjatë që jeta e përditshme dhe shteti të kthehen, më shumë ose më pak, në binarë normalë.
(Autori është publicist nga Shkupi)