Rënia e bastioneve dhe fundi i sundimit klanor

Çfarë tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundjavës?

Foto: Shutterstock



Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kanë sjellë të paktën dy ndryshime pozitive. I pari është se monopolet dhe bastionet politike janë thyer, që si ogur i mirë u paralajmërua në zgjedhjet e fundit lokale në Drenas. Ndryshimi i dytë është se edhe votuesit kosovarë kanë «zbuluar», më në fund, armën e tyre të vërtetë, votën, dhe përmes saj do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi nga të përzgjedhurit e tyre dhe do të ndëshkojnë ata që qeverisin keq dhe të papërgjegjshmit. Votuesin më askush nuk mund ta tërheq përjetësisht për hunde. Humbësit realë dhe moralë të këtyre zgjedhjeve janë partitë që kanë sunduar vendin për 18 vjet me radhë. Ato tani ose duhet të reformohen duke qëndruar në opozitë dhe duke u ridefinuar përmes koncepteve të qarta politike e përmbajtjesorë ose do të vazhdojnë të sillen në vorbullën e atij procesi permament të shkatërrimit të vetes, në të cilin kanë hyrë tash e sa vjet.

Dështimi dhe ndëshkimi i tyre është suksesi i të tjerëve, veçmas i Vetëvendosjes. Tani spektrit politik të Kosovës i nevojitet më shume se kurrë një parti e mirëfilltë liberale e qendrës së djathtë që për synim ka zhvillimin e vendit përmes lehtësimit të iniciativës së lirë private, inovacionit dhe qeverisjes së mirë. Të rinjtë që kanë votuar për herë të parë sivjet e do të votojnë edhe në të ardhmen, janë fëmijë të lirisë, të pasluftës. Ata nuk motivohen më me mitet e rezistencës paqësore apo të asaj të armatosur. Ata me të drejtë duan një jetë më të mirë, zhvillim, punësim dhe shanse të barabarta.

Fitorja e PAN-it është prandaj fitore e Pirros. Mundësia e bashkimit me partitë e tjera shqiptare duket iluzore, ndonëse e kaluara na mëson se vijat e kuqe mund të zhduken lehtë. Nëse dy partitë kryesore refuzojnë koalicionin me PAN-in, këtij të fundit i mbetet që për të marre mandatin të bashkohet me pakicat dhe të bëjë gjah mbi votat individuale të deputetëve të partive të tjera. Me një koalicion të tillë, qeveria do të ishte tejet jostabile. Përpos vështirësive në menaxhimin e krizave të vetëshkaktuara, si marrëveshja e kufirit, specialja, asociacioni etj., një qeverisje e tillë nuk do të kishte as kredencialet profesionale e as potencialin që të trajtojë si duhet sfidat në ekonomi, arsim, shëndetësi. Në këto rrethana, zgjedhjet e reja mund të ndodhin brenda jo më shumë se një viti. Në këtë periudhë partive opozitare nuk do t’u mbetej të bëjnë shume, veçse të vazhdojnë konsolidimin dhe të kapitalizojnë më tej nga gabimet e partive në pushtet.

Fitorja e opozitës në zgjedhjet e radhës do të ishte vërtet plebishitare. Nëse PAN-i dështon dhe mandati për krijim të qeverisë i bartet LVV-së si parti e dytë, atëherë një koalicion me LDK/LAA dhe pakicat bëhet i pashmangshëm. Sfida më e vogël për funksionimin e këtij koalicioni do të ishin dallimet ideologjike. Sfidë e vërtetë janë dallimet substanciale në interpretimin e çështjeve si kufiri me Malin e Zi, asociacioni dhe specialja. Prandaj, edhe kjo qeveri do të ishte tejet jostabile. Shto këtu një opozitë të fuqishme dhe joparimore, e cila duke lëpirë plagët e saja të humbjes do të ndikonte që situata të bëhet edhe më e paparashikueshme.

Nëse presidenti shfrytëzon diskrecionin e tij të njohur nga kushtetuesja për të mos i dhëne mandatin partisë së dytë, atëherë zgjedhjet e reja janë të pashmangshme. Ato do të duhej të mbaheshin brenda pak javësh, në një periudhë kur kosovaret janë në pushime e diaspora në Kosovë. Rezultatin mund ta imagjinoni. Si përfundim, kosovarët, më në fund, po përjetojnë të mirat e asaj që do e quaja konkurrencë e lirë politike. Javët në vijim mund të prodhojnë kriza e ngërçe të reja, por vendi ynë përfundimisht po lë prapa periudhën e sundimit klanor.