Rekord: 178 mijë vende të lira pune në Zvicër

Ekonomia zvicerane po zhvillohet në mënyrë të mahnitshme dhe kjo po vërehet në tregun e punës.

Foto: Shutterstock



Me ndërrimin e moteve numri i vendeve të lira të punës në Zvicër ka arritur një rekord të ri. Sipas radarit të vendeve të punës të firmës X28AG në çerekun e katërt të vitit 2017 numri i vendeve të lira të punës është rritur nga 164 mijë në 178 mijë. Një numër kaq i madh i vendeve të lira të punës nuk është shënuar prej se para 9 viteve është themeluar firma X28AG, e cila përmes një makine të specializuar numëron vendet e lira të punës. Kjo makinë është aq e sofistikuar, saqë arrin të numërojë praktikisht të gjitha vendet e lira të punës.

Vende të lira janë hapur edhe në industri – në ndërtimin e makinave, në industrinë e metaleve, në elektroteknikë dhe në farmaceutikë, përkundër problemeve që kanë pasur këto degë për shkak të rritjes së vlerës së frangut. Vende ë lira të punës janë regjistruar edhe në ndërtimtari, shitje dhe në sektorin publik.

Ky zhvillim ka ndikuar në rënien e mëtutjeshme të papunësisë. Për këtë vit autoritetet zvicerane llogarisin me një kuotë mesatare të papunësisë prej 2,9 për qind. Kësisoj Zvicra hyn në mesin e pak vendeve të botës me numrin më të vogël të të papunëve. Vende të reja të punës janë hapur edhe në industrinë digjitale. Ndër 20 profesionet më të kërkuara janë mjeshtër i automatikës dhe polimekaniku. Ndërmarrjet zvicerane kërkojnë edhe specialistë interneti, administratorë të IT-së, ekspertë të sigurisë së IT, programerë, zhvillues të softuerit, specialistë sistemi, inxhinierë dhe ekspertë të teknikës. (dp)