Regjisorët zviceranë në «Dokufest»

Dy regjisorët zviceranë, Edgar Hagen dhe Christian Frei, tashmë janë bërë të njohur për publikun kosovar. Ata ishin mysafirë në festivalin e filmit «Dokufest», që para pak kohësh u zhvillua në Kosovë.




Në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të metrazhit të shkurtër «Dokufest», në Prizren, këtë vit, në mesin e 230 dokumentarëve nga e gjithë bota, u shfaqën edhe dy dokumentarët e këtyre regjisorëve zviceranë.

«Rruga për te vendi më i sigurt në Tokë»

Egdar Hagen është një emër i njohur për dokumentarët që trajtojnë aspekte të çmendurisë njerëzore. Titulli paksa ironik dhe kontradiktor «Udhëtimi për te vendi më i sigurt në Tokë» shpalos çmendurinë tonë kolektive, zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe prodhimin e qindra-mijëra tonelatave mbetjesh nukleare gjatë disa dekadave, për të cilat autori e kërkon vendin më të sigurt për t’i deponuar.

«Ekzistonte një lloj propagande pas Luftës së Dytë Botërore, që energjia bërthamore të transformohet nga përdorimi ushtarak në atë civil. Ajo që shohim sot, e që tenton ta japë filmi, është një konfrontim, sepse ndodhemi përtej asaj që quhet përdorimi i energjisë. Edhe pse jo të gjitha termocentralet nukleare eksplodojnë, pra mund t’i kontrollojmë deri në një pikë, megjithatë ekziston edhe një element i pakontrollueshëm në gjithë këtë: çka të bëhet me qindra-mijëra tonelata mbetjesh, ku të gjendet një deponi e sigurt për to», thotë regjisori Hagen, me rastin e shfaqjes se filmit të tij në festivalin e filmit, «Dokufest».

Hagen rrëfen që filmi tregon edhe për josinqeritetin dhe mashtrimin që ia bëjnë njerëzimit, pos industrisë nukleare, edhe shkencëtarët që janë të lidhur me këtë industri, e që e propagandojnë sigurinë në këtë fushë. «Po, këta shkencëtarë kanë udhëtuar në gjithë botën për 45 vjet, duke e kërkuar vendin më të sigurt. Është shumë e vështirë të provohet që është i sigurt, ose gati e pamundur. Pra, si t’ia bëjmë?», pyet Hagen, i cili konsideron se problemi i mbetjeve nukleare është njëra nga sfidat më të mëdha për demokracinë e sotme.

Në Zvicër, që prej viteve të ‘70-ta janë ndërtuar pesë impiante bërthamore për mbetjet e të cilave kërkohet zgjidhje. Dhe, a ekziston një vend i sigurt për to në botë? Edgar Hagen e ka kërkuar atë në Kinë, Japoni, SHBA, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Gjermani, në oqeane dhe në shkretëtira – një Zhyl Vern i kohës sonë, por kudo përgjigjet nuk ishin shpresëdhënëse.

«Pati një moment, diku kah fundi i viteve të ‘90-ta, kur kuptuam që këtë ishte e pamundur ta bënim brenda vendit tonë. Atëherë na thanë: ‹Nuk ka problem, do të shkojmë në një vend tjetër›». Hagen vazhdon: «Personazhi kryesor në filmin tim është një person që është angazhuar në këto ‹zgjidhjet ndërkombëtare›. Kjo do të thotë, e merrni problemin që nuk mund ta zgjidhni brenda vendit dhe e dërgoni në një vend tjetër, e pastaj shpresohet që do të gjendet një vend, një vend i varfër përfundimisht, ku njerëzit do ta pranojnë. Ose, ndoshta as nuk u tregohet fare!».

Edgar Hagen është i njohur për atë që në të gjithë dokumentarët e tij ka trajtuar aspekte të çmendurisë njerëzore, jo vetëm kolektive, por edhe individuale. Filmat e tij tregojnë se ka një dalje nga çmenduria e rëndë, nga skizofrenia, psikoza, ka një zgjidhje, një rrugë kthimi. Kështu ndodh edhe me filmin «Rruga për te vendi më i sigurt në Tokë», i cili rrëfen jo për çmendurinë individuale, por për atë kolektive. «Shoqëria në një mënyrë arrin në një qorrsokak nëse nuk mendon për pasojat e ardhshme të asaj që po bën sot», thotë Hagen, dhe deklaron se është i vetëdijshëm se tema është politike, por qëllimi i tij po ashtu është të kuptojë se çfarë bën vendi i tij, Zvicra, në këtë drejtim, dhe cili është roli i saj në botë.

«Pa gjumë në Nju-Jork»

Para 15 vjetësh, Christian Frei ishte në Kosovë për të xhiruar me fotografin Xhejms Nashui në një prej zonave të panumërta të krizës në botë, të rrethuara me kaos, vdekje e dhimbje. Këtë vit, në Prizren ishte kthyer me një film për dashurinë. Filmi dokumentar i regjisorit zviceran Christian Frei ka të bëjë me atë që quhet sëmundja e dashurisë. Regjisori kërkon rrugët e daljes nga kjo gjendje dhe zhytet në netët e ndërkryera të tre personave të sapobraktisur nga dashuria.

«Mendoj që dashuria është një prej gjërave më të rëndësishme në jetë. Karriera, paratë, gjithçka që kemi, e gjejmë një person tjetër për t’i reflektuar këto tek ai, për të marrë jehonën e gjërave nga ai», pohon ai. Shumë njerëz e pyetnin: «Pas filmit ‹Fotografi i luftës›, pas statujave të mëdha të Budës, bile edhe fotografimin e hapësirës jashtëtokësore, si turist hapësire, pse tash zgjedh të bësh një temë kaq të butë, si dashuria? Unë u them: ‹Kjo nuk është temë e butë! Kjo është një prej gjërave më të rëndësishme në jetën tonë. Ky është një rrugëtim drejt brendisë sonë, drejt esencës së jetës›», thotë Frei, të cilit i pëlqen të shprehet se «dashuria është çmenduria e Zotërave», sikur besonin grekët e vjetër.

Duke vëzhguar sjelljet vetëshkatërruese me qëllim të ndërtimit të vetvetes se re, «Pa gjumë në Nju-Jork», duket të jetë film për ata që dashurojnë, për ata që janë në kërkim të dashurisë, por edhe për ata që janë të zhgënjyer nga dashuria.

«Dashuria është gjë shumë e vështirë, të gjithë e kërkojmë atë, por ajo lidhet pastaj tejet ngushtë me vuajtjen. Pra, ka gjithmonë dy anë: është njëkohësisht gjëja më e mirë në jetën tonë, por edhe mund të krijojë situatat më të dhimbshme të saj! Mendoj se nuk mund të kuptohet njëra pa tjetrën. Ato janë të ndërlidhura dhe mu këtu qëndron bukuria e saj, në të qenët e bukur dhe e tmerrshme njëkohësisht», thotë Frei, pas shfaqjes së filmit të tij në kinemanë «Lumbardhi» në Prizren.

Dokumentari tjetër i Christian Freit «Statujat e Budës» është film për fanatizmin dhe diversitetin, për terrorin dhe tolerancën, për padijen dhe identitetin, për kundërshtitë që ndodhen në luftë me njëra tjetrën. «Duke qenë i rritur në Zvicër, që është një vend i ‹tejmbrojtur›, gjithmonë shfaqja interesim për të gjetur aspekte të veçanta të jetës njerëzore, përplasjen e kulturave, feve dhe civilizimeve, gjëra që nuk i gjen në Zvicër, apo që aty janë tepër të fshehura», tha Frei, të cilit iu desh të shkojë në rajone të tjera t’i gjejë këto aspekte të jetës njerëzore.

Njohja me kosovarët e Zvicrës

Të dy regjisorët zviceranë, gjatë qëndrimit në festivalin «Dokufest» në Prizren, thanë se Kosova dhe Zvicra e kanë të përbashkët një numër të madh të shqiptarëve, që tashmë janë qytetarë zviceranë, dhe që shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet dy kulturave.

«Në Zvicër kemi shumë shqiptarë, apo njerëz nga Kosova, që kanë ardhur atje e janë bërë zviceranë. Por, nuk dimë edhe aq shumë për atë se prej nga vijnë ata. Besoj që ia vlen të vish këtu dhe të hulumtosh vetë, të njohësh kulturën e këtij vendi, sepse shpesh njerëzit nuk janë aq të vetëdijshëm për këtë. Për këtë, besoj që lëvizja e këmbimi janë gjëra tejet të rëndësishme. Jo vetëm lëvizja e mallrave, por edhe e njerëzve dhe e kulturave», thotë regjisori Edgar Hagen, i cili nuk e mohoi se në planet e ardhshme do ta konsiderojë edhe Kosovën.

Christian Frei thotë se shqiptarët e Kosovës janë integruar shumë mirë në Zvicër dhe se tashmë ekziston ajo që mund të quhet «Kantoni i Kosovës». «Shikojeni suksesin e ekipit tonë të futbollit, ka kaq shumë lojtarë nga Kosova. I shihni emrat e tyre dhe në fakt është Kombëtarja e Kosovës, e jo e Zvicrës!», thotë Frei, i cili sheh shumë ngjashmëri ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. «Malet, kodrat, bujqit, nuk janë edhe aq larg! Sigurisht që janë larg ndërmjet vete, sepse e dimë që ky është një rajon i vështirë, ka shumë rrugë për të bërë drejt paqes, e kështu me radhë, por ndoshta mund të mësoni edhe nga Zvicra, ndërsa ne të mësojmë nga Ballkani!»