Regjimi i Erdoanit ndalon Krishtlindjet në gjimnazin elitar të Stambollit

Në të ardhmen nuk bën të flitet për traditën dhe festat e krishtera – kështu kërkon udhëheqja e një shkolle të mesme elitare në Stamboll. Shumë arsimtarë të gjimnazit janë gjermanë dhe paguhen nga Gjermania.

Foto: Shutterstock



Siç njoftojnë mediat gjermane autoritetet turke po synojnë të ndalojnë çdo debat për temën e Krishtlindjeve në një gjimnaz në Stamboll. Bëhet fjalë për shkollën e mesme «Istanbul Lisesi», në të cilin japin mësim 35 arsimtarë nga Gjermania. Ata paguhen nga shteti gjerman dhe një ndër detyrat e tyre është në ndihmojnë në ndërmjetësimin e kulturave, bazuar në një marrëveshje kulturore mes Gjermanisë dhe Turqisë të nënshkruar në vitet ’50. Agjencia gjermane e lajmeve DPA bëri të ditur se sipas një njoftimi të drejtorisë së shkollës nga tani e tutje nuk mund të trajtohet në mësim tema e traditave të Krishtlindjes dhe vetë festa e krishterë. Shkolla ka ndaluar edhe pjesëmarrjen e korit të shkollës në koncertin e Krishtlindjeve të Konsullatës së përgjithshme të Gjermanisë në Stamboll. Shkolla ka demantuar lajmin, por në emailin dërguar arsimtarëve gjuha është e qartë: nuk lejohet përmendja e Krishtlindjeve në mësim.

Politikanët gjermanë kanë reaguar me zemërim kundër paralajmërimit të kësaj mase nga autoritetet turke. Shefi i Partisë së Gjelbër në Gjermani, Cem Özdemir, tha: «Ne japim para për këtë shkollë, ne i paguajmë arsimtarët dhe nëse tani ka përpjekje që neve të na ndalohet të këndojmë këngë të Krishtlindjes – kjo është e papranueshme. I vetmi reagim i mundshëm, nëse kjo s’ndryshon, që në të mos japim më para për këtë shkollë». Ministria e Jashtme e Gjermanisë shprehu keqardhje që një traditë e tillë po ndërpritej nga autoritetet turke. (-lli)