Regjimenti mysliman i perandorit gjerman

Në vitin 1745 Mbreti i Prusisë Friedrich II themeloi një regjiment mysliman - të përbërë nga boshnjakët dhe tatarët.

Boshnjakë me uniforma të ndryshme të Armatës së Prusisë. Foto: Museum Digital / Sachsen Anhalt



Mbreti i Prusisë Friedrich II që në moshën 28-vjeçare ishte njeri me horizont të gjerë. Më 1740 ai shkroi: «Të gjitha fetë janë të barabarta dhe të mira, nëse njerëzit që i përqafojnë ato janë njerëz të ndershëm. Po të vinin turqit apo paganët te ne dhe po të donin të popullonin vendin, atëherë ne do t’u ndërtonim atyre xhami dhe kisha».

Në Gjermani sot shumë njerëz mund të mendojnë se myslimanët kanë ardhur në këtë vend nga fillimi i viteve ’60, kur firmat gjermane filluan të rekrutojnë fuqi punonjëse në Turqi dhe në vendet e Ballkanit me popullsi myslimane. Por, emigranët myslimanë erdhën në viset gjermane në fund të shekullit të ’17 dhe në shekullin e ’18. Disa josheshin me premtime për të bërë karrierë ushtarake, të tjerët rrëmbeheshin. Këta njerëz gjermanët i quanin «Beutetürken» (turqit e grabitur). Për myslimanët përdoreshin edhe përshkrime të tjera: «ismaelitë», «mohamedanë», «turq», «tatarë», «Mohr» (fjalë gjermane për njerëz me ngjyrë).

Më 1741 Mbreti i Prusisë Friedrich II themeloi një regjiment të përbërë nga tatarët. Ata u integruan në ushtrinë e Prusisë. Katër vite më vonë armatës mbretërore gjermane iu bashkuan 70 myslimanë të Bosnjës. Kjo njësi u njoh me emrin «Bosniakenkorps» (Korpusi i boshnjakëve). Turqit e rrëmbyer duhej t’i përshtateshin jetës së re në Gjermani. Ata mësonin gjuhën gjermane dhe mbi fenë e krishterë. Me rëndësi të madhe në integrimin e tyre ishte edhe rituali i pagëzimit. Kësisoj ata prej «të huajve» shndërroheshin «në njerëz tanë». Historiani gjerman Stephan Theilig shkruan në doktoratën e tij se në kohëra të paqes boshnjakët bënin një jetë monotone zonat e pasura me male e liqene të Prusisë Lindore, ndërsa në luftëra ishin të shkathtë si ulanë.

Respekti i gjermanëve për myslimanët do të vazhdonte edhe në shekujt e ardhshëm. Më 1898 Perandori Wilhelm II gjatë vizitës së varrit të Saladinit në Damask tha: «Lartmadhëria e tij Sulltan Abdylhamiti dhe 300 milionë muhamedanë, të cilët jetojnë të shpërndarë anekënd botës dhe e nderojnë atë si kalif, të jenë të sigurt se në të gjitha kohërat Perandori gjerman do të jetë mik i tyre».